1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjithnjë e më shumë turq kërkojnë azil në Gjermani

Kevin Lynch
1 Dhjetor 2016

Sa më shumë që në Turqi presidenti Erdogan vepron kundër atyre që mendojnë ndryshe, aq më shumë rritet në Gjermani numri i turqve që kërkojnë azil. DW sjell fatin e një politikani kurd.

https://p.dw.com/p/2TaKu
Deutschland Asylbewerber Mazhar Zümrüt
Fotografi: DW/V. Witting

Më shumë se 4000 kërkesa për azil të qytetarëve turq janë regjistruar këtë vit në Gjermani. Kjo shifër është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar. Frika dhe shtypja prej muajsh janë përditshmëri në Turqi. Dhjetëra mijëra vetë kanë humbur punën, ndodhen në burgje, me gjasë edhe janë torturuar. Madje edhe politikanë të zgjedhur të partisë prokurde, HDP janë arrestuar si Mazhar Zümrüt, një kurd nga Anadolli lindor. Në një odise të gjatë përmes Sirisë dhe Irakut ai ka mbërritur më në fund në Gjermani. "Turqia që kam lënë pas më kujton Gjermaninë e vitit 1933", thotë ai.

Forcat turke të sigurisë hynë në shtëpinë e tij në Diyarbakir me një urdhër-arresti të dyshimtë. Akuza: Ai është anëtar i partisë militante kurde, PKK. Zümrüt e mohon këtë. Ai vetëm ka punuar për partinë rajonale, një parti paqësore dhe tregon një vërtetim. Tani ai shpreson në njohjen e azilit në Gjermani. "Kam shpresë, sepse Gjermania është një shtet ligjor, nuk besoj se do të më kthejnë tek ata fashistë." Megjithëse i sëmurë, ai e duron fatin e tij, më e padurueshme për të është mungesa e gruas. Ata nuk mundën të arratiseshin së bashku " Nuk mund të jetoj pa të, më mungon", thotë ai.

Pasiguria e bren përditë Mazhar Zümrüt. "Turqia nuk është më demokraci. Për sa kohë që të drejtat e kurdëve nuk vendosen në kushteturë, nuk mund të kthehem në këtë vend." Çdo ditë ai shikon postën me shpresën se mos i ka ardhur përgjigja për njohjen e azilit në Gjermani.