1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjykata e Gëtingenit: Kosovarët nuk duhet të shkojnë më në konsullatën serbe

A. Shuka17 Qershor 2008

Disa zyra të huajsh në Gjermani vazhdojnë t'u kërkojnë kosovarëve të shkojnë në konsullatën e Serbisë për të marrë dokumentat e identitetit. Por kjo ështe e paligjshme, konstaton Gjykata e Gëtingenit

https://p.dw.com/p/ELiO
Zyra federale për migrantët dhe refugjatëtFotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

Gjykata administrative e Gëtingenit mendon se nuk mund të kërkohet nga shtetasit e Kosovës që të kërkojnë pasaportë pranë konsullatës serbe, i tha Deutsche Welles presidenti i kësaj Gjykate, Tomas Smolih (Thomas Smollich): "Kosova është e pavarur dhe Gjermania e ka njohur atë. Kështu që Serbia për Kosovarët është një shtet i huaj. E nuk mund të dërgosh dikë në një shtet tjetër për të marrë një pasaportë", thotë Smolih.

Letërnjoftim i përkohshëm

Një pasaportë nevojitet zakonisht për të marrë lejen e qendrimit. Zyra e të huajve në Gëtingen i kishte kërkuar një shtetasi të Kosovës që ta merrte pasaportën në një konsullatë serbe, meqënëse Kosova nuk ka përfaqësinë e vet konsullore në Gjermani. Në rast të kundërt ai nuk do të kishte të drejtën e lejes së qendrimit. Çështja shkoi deri në gjykatë, e cila i dha të drejtë shtetasit të Kosovës.

Me këtë vendim Gykata e Gëtingenit veçse ka konfirmuar sërish dekretet përkatëse që më parë kishin nxjerrë ministritë e landeve gjermane, ku gjithashtu thuhej, se përsa kohë që Kosova nuk ka përfaqësinë e saj konsullore në Gjermani, shtetasit e Kosovës duhet të pajisen me një letërnjoftim të përkohshëm. Ky është një dokument gjerman që u mundëson kosovarëve të marrin lejen e qendrimit, thotë Smolih.

56 azilkërkues nga Kosova në maj

Enti Federal për Migrantët dhe Refugjatët (BAMF) bën të ditur se afro 56 shtetas kosovarë kanë kërkuar azil politik në Gjermani në muajin maj. Është hera e parë që Kosova figuron më vete në statistikat zyrtare të Ministrisë së Brendshme. Në Gjermani supozohet se jetojnë afro 60 mijë kosovarë, që presin të rregullojnë lejen e qendrimit, gjysma e tyre janë pjestarë të pakicave. Por numri i përgjithshëm i shtetasve nga Kosova që do të kenë nevojë për shërbime konsullore në Gjermani mendohet të jetë afro 200 mijë, 70 përqind e tyre kanë qenë deri tani me dokumente jugosllavë.