1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjykata e Kasacionit në Romë vendos për zhdëmtimin e familjeve të viktimave të nazistëve

Gregor Hoppe23 Tetor 2008

Gjermania duhet të zhdëmtojë nëntë familje të viktimave të një masakre naziste në Itali të kryer në qershor të vitit 1944. Ky vendim i Gjykatës së Kasacionit në Romë mund të shërbejë si shembull për raste të tjera.

https://p.dw.com/p/Ff1j
Pushtimi i Romës nga Vermahti (Wehrmacht) gjerman, 1943
Pushtimi i Romës nga Vermahti (Wehrmacht) gjerman, 1943Fotografi: picture-alliance / akg-images

Italia pret me kurreshtje reagimet e palës gjermane. Sipas ekspertëve italianë vendimi i Gjykatës së Kasacionit mund të shkaktojë një valë të re procesesh për dëmshpërblime.

Teoria dhe praktika flasin gjuhë të ndryshme

Përfaqësuesi i drejtësisë gjermane në procesin e zhvilluar në Romë, Augusto Dosena (Augusto Dossena) e vlerësoi gjendjen me këto fjalë: "Teorikisht Gjermania është e detyruar t'i paguajë dëmshpërblimet. Por në praktikë dyshoj që qeveria gjermane do të paguajë, pasi ajo nuk e ka bërë asnjëherë këtë".

Sipas vlerësimeve të Dosenës ndaj Gjermanis mund të ngrihen rreth 10 000 padi për zhdëmtim dhe dëmshpërblime. Nëse ndodh kjo, vazhdon avokati i qeverisë gjermane, atëherë Berlinit do t'i mbylleshin të gjitha rrugët për shembull për ngritjen e fondeve të reja për zhdëmtim dhe dëmshpërblime pasi do të duhej të priteshin vendimet nga rastet e ngritura veç e veç.


Sfondi historik

Gjatë Luftës së II-të Botërore shumë italianë kundërshtuan diktaturën fashiste të Benito Musolinit, i cili qeveriste Italinë. Trupat naziste gjermane ishin aleate të Musolinit dhe ishin futur në Itali si forcë aleate miqësore. Partizanët luftonin kundër njësive të Vehrmahtit dhe njësive të SS-ve. Për t'u hakmarrë ndaj sulmeve të partizanëve italianë ushtarët gjermanë kryenin masakra ndaj civilëve. Disa qindra krime të tilla u kushtuan jetën rreth dhjetë mijë njerëzve.

Fotografi nga ekspozita "Krimet e ushtrisë gjermane 1941-1944"
Fotografi nga ekspozita "Krimet e ushtrisë gjermane 1941-1944"Fotografi: AP


Në rastin konkret bëhet fjalë për 203 persona të cilët ranë viktima të masakrave hakmarrëse në fshatrat Civitela, Kornia dhe San Pancrazio në krahinën e Italisë së Veriut, Arezzo. Për pjesëmarrjen e tij në këto masakra, në dhjetor të vitit 2007 u dënua me burgim të përjetëshëm oficeri i atëhershëm gjerman Maks Jozef Milde (Max Josef Milde). Natyrisht në mungesë pasi Gjermania nuk i ekstradon shtetasit e saj në raste të tilla. Disa prej keqbërësve jetojnë edhe sot e kësaj dite në Gjermani.

Gjatë viteve të kaluara gjykatat italiane kanë filluar të shqyrtojnë rastet ende te hapura. Rezultatet zakonisht janë të njëta: dënime të larta në mungesë, fajtorët nuk ekstradohen, të afërmit e viktimave nuk zhdëmtohen.

Nuk bëhet fjalë për të holla por për drejtësi

Sipas familjeve te viktimave nuk bëhet fjalë për të holla por për drejtësi. Roberto Alboni (Roberto Alboni), avokat i familjeve të vikltimave të Civitellës: "Në radhë të parë ky është një lehtësim moral. Për mua dhe për klientët e mi, të cilët i kam edhe të afërm. Ne jemi anagazhuar kundrejt qëndrimit refuzues të shumë personave".

Nga ana juridike risia e procesit të fundit është se familjeve të viktimave u njihet e drejta e dëmshpërblimit. Nga ana tjetër vendimet e Gjykatës së Kasacionit në Romë shumicën e rasteve nuk njihen nga instancat ndërkombëtare. Megjithatë shoqatat e viktimave në Itali shohin në këtë vendim një hap të rëndësishëm në drejtim të përpunimit të së kaluarës së tmerrshme.