1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kushtetuesja pezullon marrëveshjen Kosovë-Serbi

Bekim Shehu10 Nëntor 2015

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pezulloi marrëveshjen për krijiimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe deri në vendimin përfundimtar për vlerësimin e kushtetutshmërisë së saj.

https://p.dw.com/p/1H3hU
Präsidentin Kosovo Atifete Jahjaga ARCHIV 2014
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi(10. 11) që të pezullojë përkohësisht zbatimin e çfarëdo veprimi të mëtejshëm ligjor të parimeve të përgjithshme të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kjo masë e përkohshme vlen deri në vlerësimin e përputhshmërisë së këtyre parimeve me Kushtetutën e Kosovës. Njoftimi u bë në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese dhe ndodh pikërisht në ditën kur në Raportin e Progresit për Kosovën i publikuar në Bruksel, vlerësohet arrritja e marraveshjeve me Serbinë përfshirë edhe ajo për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se "në seancën e mbajtur më 10 nëntor 2015, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës mbajti këshillime dhe njëherazi miratoi masë të përkohshme në rastin KO130/15, në kërkesën e paraqitur nga Presidentja e Republikës së Kosovës lidhur me vlerësimin e përputhshmërisë së Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë - Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore me frymën e Kushtetutës, nenin 3, paragrafin 1 (Barazia para Ligjit), Kapitullin II (Të Drejtat dhe Liritë Themelore) dhe Kapitullin III (Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës".

"Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë dhe ka publikuar vendimin për masë të përkohshme, me të cilin suspendon implementimin e çfarëdo veprimeve të mëtejshme ligjore në bazë të këtyre" parimeve të përgjithshme/elementet kryesore të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë deri në vlerësimin e përputhshmërisë së këtyre Parimeve me Kushtetutën nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Ky Vendim për Masë të përkohshme është pa paragjykim ndaj ndonjë vendimi të mëtejshëm që do të nxirret nga Gjykata për pranueshmërinë apo për meritat e kërkesës", thuhet në njoftimin zyrtarë të Gjykatës Kushtetuese.

10 ditë më parë presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, kërkoi nga Gjykata Kushtetuese, vlerësimin e përputhshmërisë së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë me frymën e Kushtetutës së Kosovës. Kërkesa e presidentes drejtuar Gjykatës Kushtetuese pasoi pas një periudhe të gjatë tensionesh politike ndërmjet pozitës dhe opozitës. Opozita kosovare kërkoi tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshja për krijimin e asociaionit të komunave me shumicë serbe dhe ajo për shënimin e vijës kufitare Kosovë Mali i Zi. Opozita bllokoi punën e parlamentit duke theksuar se këto dy marrëveshje janë të dëmshme për Kosovën.

Kërkesa e presidentes drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e asociacionit nxiti reagimin e autoriteteve të Beogradit dhe serbëve të Kosovës, të cilët thanë se dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese do të zvarrisë krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.