1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Go Germany! Studimi: Gjermanët më popullorë se kurrë më parë në SHBA

Alexandra Reinsberg/ Lindita Arapi31 Janar 2014

Moderne, e suksesshme, e orientuar nga e ardhmja - imazhi i amerikanëve për Gjermaninë është shumë pozitiv. Eksperti Andrew Hare shpjegon në intervistë me Deutsche Wellen pse gjermanët janë kaq popullorë në SHBA.

https://p.dw.com/p/1B02B
Para e Steuben në New York
Fotografi: picture-alliance/dpa

Andrew Hare është drejtues i projektit studimor "Perceptimi mbi Gjermaninë dhe gjermanët tek populli amerikan". 59% e amerikanëve kanë një imazh të shkëlqyer apo të mirë për Gjermaninë, vetëm 6% kanë përshtypje negative. Lidhur me zgjidhjen e problemeve në Europë, amerikanët kanë më shumë besim tek Gjermania si vend që mund të zgjidhë krizën e Europës. Gjermanët karakterizohen si stabilizues, konstruktivë dhe bashkëpunues.

DW: Rezultatet e studimit janë shumë pozitive për Gjermaninë. Imazhi gjerman tek amerikanët është mjaft pozitiv. Si e shpjegoni ju këtë?

Andrew Hare: Shumë nga ky imazh lidhet me perceptimin se si vepruan gjermanët në kohën e krizës së euros. Gjermania tregoi aftësi drejtuese dhe Kancelarja Angela Merkel nuk është popullore vetëm në Europë, por edhe në Amerikë. Shtetet e Bashkuara shohin tek Gjermania një lloj fanari ndriçues, këtë e tregon studimi ynë. Ne ndajmë të njëjtat vlera, jemi partnerë tregtarë. Popullariteti i gjermanëve tani ka arritur vlerat më të larta që nga koha e rënies së murit. Amerikanët e shohin Gjermaninë shumë qartë në krye të Europës.

DW: Ju thoni se Merkeli është e preferuar në Amerikë? Ku kuptohet kjo?

Andrew Hare: Angela Merkel madje parodizohet tek shou i njohur "Saturday Night Live Show", influenca e saj është e madhe. Ajo perceptohet si një nga figurat e njohura të skenës politike botërore, sidomos pas zbulimeve lidhur me përgjimin e NSA-së dhe takimin e konfirmuar me Obamën. Në Amerikë ajo admirohet si nga përkrahësit e liberalizmit, ashtu edhe nga konservatorët. Një fakt interesant, por edhe i kuptueshëm. Liberalët, ata të orientuar majtas e vlerësojnë sistemin social gjerman. Ndërsa të djathtët, si përkrahësit e Tea Party vlerësojnë kursin e kursimeve që Gjermania kërkon në Europë si edhe stabilitetin e financave të këtij vendi.

Kancelarja Angela Merkel
Fotografi: picture-alliance/dpa

DW: Megjithëse Gjermania vlerësohet pozitivisht, shumë amerikanë i vlerësojnë marrëdhëniet gjermano-amerikane si të përkeqësuara, krahasuar me dy vite më parë. Sa kanë ndikuar zbulimet e Snodenit në këtë drejtim?

Andrew Hare: Ne e zhvilluam sondazhin pak pasi u bë e ditur se ishte përgjuar edhe celulari i kancelares Merkel. Sigurisht një temë shumë e madhe. Momentalisht mund të them se po bëhet shumë teatër politik në skenë. Pra shumë do të varet nga ajo se sa të madhe do ta bëjë Gjermania këtë temë. Amerikanët janë të zemëruar, gjermanët po ashtu me të drejtë, por çështja shtrohet se si do të mund të kalojnë këtë fazë të dy qeveritë.

DW: Studimi ka treguar se amerikanët dëshirojnë që mediat amerikane të raportojnë më shumë për Gjermaninë. Si ka qenë e prezantuar deri më tani Gjermania?

Andrew Hare: Unë do të thoja që në mediat amerikane fokusi është drejtuar nga brenda. Shpesh ne mendojmë një herë për vete. Por nga ana tjetër ne jetojmë në një shoqëri të ndërlidhur nga ana sociale, teknologjia e saj zhvillohet përditë. Njerëzit e dinë se çfarë ndodh jashtë tyre, në Europë apo në botë. Gjenerata e re pyet veten: "Pse nuk dëgjoj për këtë në mediat tona?" Ky është një shans i madh për gazetarët në SHBA. Ata nuk kanë nevojë ta ngrenë lart Gjermaninë, por ata mund të raportojnë më shumë për të.

DW: Çfarë efekti kanë këto rezultate pozitive të studimit?

Andrew Hare: Lidhur me ekonominë rezultatet janë disi kundërthënëse. Nga njëra amerikanët thonë se Gjermania është një partner ekonomik mjaft i besueshëm, me të cilin SHBA duhet të bashkëpunojë. Marrëveshja e tregtisë së lirë do të luante këtu një rol shumë të rëndësishëm (TTIP). Shumë amerikanë veçse nuk e dinë se si do të formësohet kjo marrëveshje, dhe kanë frikë se TTIP përmes import-eksportit do të shkatërrojë vendet e punës në SHBA. Megjithatë amerikanët e duan teknologjinë gjermane të inxhinierisë, në këtë pikë ata shihen si lider. Amerikanët duan më shumë nga kjo teknologji, dhe po qe se e blejnë diku, më mirë tek ai, me të cilin ndajnë të njëjtat vlera.