1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Goditje antiterror para ndeshjes Shqipëri-Izrael

12 Nëntor 2016

Masa të sigurisë së lartë ndaj sulmeve të mundshme terroriste në ndeshjen e sotme të futbollit Shqipëri-Izrael. Arrestime të reja ndaj të dyshuarve për lidhje me IS-in.

https://p.dw.com/p/2Sbwt
Fussball Albanien gegen Serbien
Arena - Elbasan ku zhvillohet ndeshja Shqipëri-IzraelFotografi: DW/A. Muka

Burime zyrtare nga Struktura e Antiterrorit në policinë e shtetit bëjne me dije për Deutsche Wellen se janë marrë të gjitha masat për të parandaluar ndonjë sulm të mundshëm terrorist në ndeshjen mes ekipeve kombetarë të futbollit Shqipëri- Izrael, ”që do të zhvillohet në mbrëmjen e sotme, (12/11/16) në stadiumin "Arena”, Elbasan, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror ”Rusia 2018.” Të njëjtat burime bëjnë me dije se zhvendosja e ndeshjes nga stadiumi "Loro Boriçi” në Shkodër, në Elbasan erdhi pas të dhënave për planifikimin e një sulm terrorist jashtë dhe gjatë ndeshjes brenda stadiumit në Shkodër. Zhvendosja nga Shkodra në Elbasan u bë pasi stadiumi "Loro Boriçi” ndodhet në një zonë ku ka shtëpi të shumta banimi dhe rrugica. Në një rast të mundshëm sulmi terrorist ky pozicion nuk do të garantonte jetët e njerëzve dhe do të favorizonte largimin e terroristëve potencialë. Pozicioni i stadiumit ”Arena” në Elbasan është i kontrollueshëm dhe masat e sigurisë më efikase.

Arrestime në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni në prag të ndeshjes

Në sajë të bashkëpunimit të Shërbimeve Inteligjente të Shqipërisë me ato të vendeve partnere, Antiterrori u informua për një celulë ekstremistësh myslimanë që shtrihet në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Një pjesë e kësaj celule, u godit javën e kaluar, kur në Shkodër u arrrestuan pesë persona të besimit mysliman, në Kosovë 7 dhe në Maqedoni disa të tjerë. Policia e shtetit në njoftimin e saj zyrtar bën të ditur se  4 të arrestuarit në Shkodër i përkasin grupmoshës nga 30-46 vjec dhe janë besimtarë myslimanë. Ata po hetohen për akuzën e "akteve terroriste” të mbetura në tentativë, pasi janë krijuar dyshime të arsyeshme se kanë bërë disa veprime konkrete për të bërë një sulm me eksploziv jashtë stadiumit "Loro Borici” në Shkodër  dhe më pas me armë zjarri brenda në stadium. Sipas rezultateve të deritanishme të  hetimeve në Shqipëri 4 shtetasit shqiptarë të arrestuar, mes tyre edhe një mjek, do të vepronin në koordinim me pjesën tjetër të celulës në Kosovë dhe Maqedoni.

Sot u arrestua edhe Ervin Duka, 29 vjeç nga fshati Guras në Pogradec, ish xhihadist, i kthyer i plagosur ne Shqiperi nga Siria, ku kishte shkuar në vitin 2014. Policia e shtetit, gjatë kontrollit, gjeti në banesën e tij dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale tritol dhe fishekë qe ai " i posedonte pa lejen e organeve kompetente”, thuhet në njoftimin zyrtar të policsë së shtetit. Sipas burimeve zyrtare nga Shqipëria nga viti 2012-2014 në Siri dhre Irak për t'iu bashkuar ISIS dhe marre pjesë ne luftime shkuan 114 persona, nga të cilët 23 u vranë atje dhe 40 janë kthyer. Mbi dy mijë forca të  Ndërhyrjes së Shpejtë, Policisë Rrugore, Antiterrorit dhe Forca të Posaçme Operacionale janë angazhuar në shmangjen e ndonje sulmi të mundshëm terrorit dhe mbarëvajtjen e ndeshjes ndërkombëtare të futbollit Shqipëri-Izrael.