1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqi: Kabinet i ri me figura të reja dhe riciklim të ministrave

17 Qershor 2011

Pas dështimit të përpjekjeve për qeveri të “shpëtimit kombëtar”, Papandreu shpalli sot kabinetin e reformuar. Ministrinë e Financave e mori Venizellos, kurse shef i diplomacisë u emërua Stavros Llambrinidis.

https://p.dw.com/p/11d6K
Geldvernichtung Keywords bank derivate finanzkrise fleischwolf geld geldvernichtung konjunkturprogramm krise spekulation Land Deutschland URL http://de.fotolia.com/id/14024127
GeldvernichtungFotografi: Fotolia/Michael Möller

Pas betimit të tij sot në mesditë fillon menjëherë nga puna kabineti i ri qeveritar i kryeministrit Papandreu i shpallur sot në mëngjes. Me rreth 43 ministra dhe zëvendësministra në përbërjen e tij, kabineti mbetet i zgjeruar dhe kryesisht riciklon të njëjtat figura në poste të reja. Zëvendësismi i ministrit të Financave Jorgos Papakonstandinu, që ishte bërë “beze e kuqe” në sytë e opinionit për masat shtrenguese, nga ish ministri i Mbrojtjes Evangjellos Venizellos, ithtar i një kursi më të butë, vlerësohet si ndryshimi kryesor i kabinetit të reformuar që do të negociojë me troikën programin e ri të kursimeve.

George Papandreou
George PapandreouFotografi: picture-alliance/dpa

Në postin e ministrit të jashtëm u emërua kreu i erodeputetëve socialistë Stavros Llambrinidis, kurse parardhësi i tij Dhimitris Drucas mbeti jashtë skemës qeveritare së bashku me ministren e mjedisit. Si novacion vlerësohet ngritja e minitrisë së Re të Reformimit Administrativ por edhe i Komisionit Qeveritar, si skemë më e zhdërvjelltë në vend të Këshillit të Ministrave. “Kjo qeveri do të jetë afatshkurtër pasi nuk mund të injorojë mesazhin e revoltës sociale që kërkon ndryshim kursi” deklaroi zëdhenësi i partisë së majtë Sinaspismos Panos Skurletis. Për qeveri me “mision të shkurtër që pas disa muajsh do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme” u shpreh opozita e djathtë.

Punonjës të sektorit publik dhe privat dolën të mërkurën në grevë të përgjithshme kundër kursimeve shtesë prej 28 miliardë eurosh të programit 3-vjeçar të paraqitur për aprovim në parlament.

Votimi i programit, që do t'i sigurojë vendit kredinë shtesë prej mbi 100 miliardë eurosh dhe evitimin e falimentimit, vlerësohet si një sprovë e madhe për socialistët grekë që nuk mund të garantojnë as votën e deputetëve të tyre. Analistët e shohin programin si katalizatorin e ndryshimeve të thella të skenës politike të gjeneruara nga kriza e thellë që ka kapluar vendin.

Stavros Lambrinisia
Stavros LambrinisiaFotografi: EP
Evangelos Venizelos i
Evangelos VenizelosFotografi: AP

Aprovimi i një programi të tillë nuk është aspak i lehtë për Papandreun, që ka përballë tij protestuesit dhe të revoltuarit e shesheve, krerët opozitarë që flasin për “rrugë të gabuar dhe pa krye” dhe deputetë të partisë së tij në krizë nervore nga presioni edhe i elektoratit të zonave të tyre për të votuar kundër. “Në qoftë se do ta durojmë tani dhimbjen, me masat korigjuese të viteve të ardhshme të programit, jo vetëm do të kemi një Greqi tjetër por do të kemi zgjidhur dhe për brezat e ardhshëm problemin e madh të borxhit” është motoja e kryeministrit që duket i vendosur për të kaluar Rubikonin.

Konsensusin kombëtar mund ta ketë marrë lumi, por e keqja është se edhe vota e deputetëve të grupimit socialist në pushtet, që mjafton për të siguruar 151 votat e mundshme në seancën plenare të 28 qersorit, shfaqet si një eventualitet torturues për Papandreun dhe ekipin e tij. Një deputet u pavarësua dhe një tjetër deklaroi se do të votojë kundër.“Do shkojnë në votim të trembur, por do të thonë më në fund po. Deputetët deklarojnë se nuk janë dakord, se duan diçka tjetër, por e votuan vjet Memorandumin do ta votojnë edhe sivjet” i thotë Deutsche Welle-s gazetari dhe analisti i së përditshmes së madhe greke “Elefterotipia” Vangjelis Delipetros, i cili të keqen më të madhe e sheh ndërkohë tek “rruga pa krye” e masave shtrenguese që rrënojnë ekonominë dhe njerëzit dhe nuk sjellin rimëkëmbjen e premtuar të ekonomisë.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Aida Cama