1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëveshja e mundur me efekte anësore

Jannis Papadimitriou/LA11 Gusht 2015

Parimisht Greqia ka rënë dakord me donatorët për një paketë të re ndihme për vendin. Greqinë. Me sa duket palët negociatore duhet të bien dakord vetëm për detajet. Por a mbarojnë me këtë paketë hallet e Greqisë?

https://p.dw.com/p/1GCvb
Fotografi: Getty Images/O. Scarff

Në Athinë qeveria greke dhe donatorët ndërkombëtarë negociojnë që prej javës së kaluar mbi kushtet për pagesat e mëtejshme të ndihmës. Më shumë se dymbëdhjetë orë zgjati raundi i fundit i bisedimeve të dielën. Për paketën e re të ndihmës u ra dakord të martën. NJë përfaqësues nga Ministria e Financave në Ahinë u shpreh se "është rënë në ujdi për një marrëveshje, por disa detaje janë ende duke u negociuar." Deri të enjten ajo duhet të miratohet nga Parlamenti grek. Të premten pastaj ministrat e financave të Eurozonës mund të japin dritën e gjelbër për ndihma të reja financiare. Koha nuk pret. Me 20 gusht duhet të bëhet një shlyerje e detyrimit për Bankën Qendrore Evropiane (BQE) prej 3.2 miliardë eurosh. Athina ka nevojë urgjente për kapital të ri për ta përmbushur këtë detyrim.

Televizioni shtetëror grek ERT njoftoi më parë se Mekanizmi Europian i Stabilitettit (ESM) po bën përgatitje për një paketë financiare me vlerë prej së paku 50 miliardë euro dhe e vlerësoi këtë lajm si një shenjë inkurajuese për një marrëveshje të shpejtë. Edhe Thanos Dokos, drejtues i Think-Tank ELIAMEP në Athinë, e konsideroi të mundshëm përfundimin e shpejtë të bisedimeve: "Rezervat financiare janë shteruar, afatet e pagesave vazhdojnë dhe qeveria ndodhet me shpinë pas muri. Prandaj ajo po bën çdo përpjekje për të arritur një marrëveshje. "Një çikë skepticizëm është i nevojshëm. Fundja pala greke në të kaluarën ka treguar shpesh optimizëm, që nuk është materializuar patjetër më vonë. Por këtë herë shenjat edhe jashtë vendit flasin për një marrëveshje. Në të kaluarën ka qenë ndryshe", tha Dokos në intervistë me DW.

Krahu i majtë kërcënon me shpërbërje

Por kryeministri Aleksis Tsipras po has në partinë e tij gjithnjë e më shumë në rezistencë. Ministri i Energjisë, Panajotis Lafazanis i larguar nga detyra, që konsiderohet si udhëheqësi i të majtëve radikale të partisë dhe që është prej kohësh për daljen e Greqisë nga eurozona, ka kërcënuar me themelimin e një partie të re. Në një intervistë me gazetën e majtë Avgi, Lafazanis paralajmëron se një qeveri e Syrizës nuk ka më asnjë të ardhme, në qoftë se do të miratojë një paketë me kursime të mëtejshme, në kundërshtim me angazhimet e mëparshme të fushatës zgjedhore. Përveç kësaj ish-ministri flet për një "diktaturë të euros" dhe ofron një të ardhme të ndritur pas daljes së rregullt të Greqisë nga Eurozona. "Me sa duket zaret për formimin e një partie të re janë hedhur", komenton i zhgënjyer nëpërmjet twitterit politikani i Syrizës për çështjet evropiane, Dimitris Papadimoulis.

Në partinë Syriza shtohet rezistenca kundër Alexis Tsipras
Në partinë Syriza shtohet rezistenca kundër Alexis TsiprasFotografi: picture-alliance/epa/O. Panagiotou

Ministri i Shtetit Nikos Pappas, person i besuar i kryeministrit Tsipras, nis një kundërofensivë: "Askujt nuk i lejohet që të krijojë parti brenda partisë", paralajmëron ai në një intervistë me gazetën liberale ekonomike të së dielës Real News.

Të hënën radikalët e majtë shkuan edhe një hap më tej: "Qeveria duhet të ndalojë menjëherë negociatat me huadhënësit. Greqia ka nevojë për një politikën monetare të sajën", thotë deputeti i Syrizës Stathis Leoutsakos në një intervistë televizive. Për politologun Thanos Dokos është e qartë: "Ndarja në partinë e majtë ishte në fakt një çështje kohe, dhe pse unë nuk kam menduar se mund të ndodhte kaq shpejt, por ndoshta kjo ndarje ka edhe një efekt çlirues për kryeministrin .." Në këtë rast Tsipras mund të shfrytëzojë vlerat pozitive të sondazheve për zgjedhjet e reja dhe në këtë mënyrë të arrijë një shumicë qeverisëse efektive.

Afrim greko-francez

Negociatat për një paketë të re shpëtimi afrojnë dukshëm Greqinë dhe Francën: Në kuadër të festimeve për hapjen e Kanalit të ri të Suezit të enjten e kaluar pati një takim të përzemërt midis kryeministrit Aleksis Tsipras dhe presidentit francez Francois Hollande. Sipas raporteve të mediave greke Hollande sinjalizoi mbështetjen e tij për kauzën e Athinës, për të përgatitur deri më 20 gusht një paketë të re shpëtimi, duke kapërcyer shqetësimet e supozuara të Gjermanisë.

Nga ana tjetër për ministrin gjerman të Ekonomisë Wolfgang Schäuble shtypi flet keq në Athinë: disa gazeta informojnë për përpjekjet e Berlinit për të penguar. Edhe propozimi Schäuble për të organizuar një financim urë për Greqinë në rast emergjence, cilësohet si minim i negociatave për një plan të tretë shpëtimi. Po ministri gjerman i Ekonomisë nuk është i vetëm në këtë pikëpamje: edhe Alexis Mitropoulos, politikan i Syrizës dhe zëvendëskryetar i Parlamentit grek, ka deklaruar kohët e fundit në intervistë televizive, se një financim urë për Greqinë do të ishte në fakt zgjidhja më e mirë, në mënyrë që Partia e Majtë në pushtet të fitojë "kohë dhe energji" për të zbatuar programin e saj zgjedhor.