1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqi: Ndihmë për t'u përballur me valën e re të refugjatëve

25 Tetor 2010

Autoritetet e Bashkimit Evropian kanë vendosur t'i përgjigjen pozitivisht kërkesës greke duke i ndihmuar autoritetet greke për kontrollimin e pikave kufitare përmes Agjencisë Frontex.

https://p.dw.com/p/PnL7
Prej janarit deri në gusht të këtij viti në Greqi janë kapur rreth 23.000 njerëz pa dokumente të rregullta udhëtimi
Prej janarit deri në gusht 2010 në Greqi janë kapur rreth 23.000 vetë pa dokumente të rregullta udhëtimiFotografi: picture alliance/dpa

Greqia është një prej pikave të fundit nga ku refugjatët mund të depertojnë në Evropë. Në këtë vend arrijnë refugjatë me origjinë nga Irani, Iraku, Afganistani, Somalia dhe vende të tjera, të cilët kalojnë përmes Tuqisë. Ata përpiqen që përmes Egjeut të futen në territorin e Bashkimit Evropian. Qeveria greke do që ta bllokojë këtë rrugë dhe të zvoglojë numrin e të refugjatëve që futen në hapsirën e BE-së me ndihmën e patrullave të përforcuara në det.

Gjatë këtij viti vlerësohet se në këtë vend kanë mbetur rreth 4.000 refugjatë. Një vit më parë, numri i tyre ishte rreth 15.000, por kjo nuk do të thotë se gjendja është shtendosur dhe se ka rënë numri i atyre që futen në territorin e këtij vendi. Prej janarit deri në gusht të këtij viti në Greqi janë kapur rreth 23.000 njerëz pa dokumente të rregullta udhëtimi. Shumë prej tyre janë kthyer në vendet prej nga kanë ardhur.

Cecilia Malmström Flash-Galerie
Komisionerja e Brendëshme e BE-së, Cecilia MalmströmFotografi: picture-alliance/ dpa

Pas kërkesës së qeverisë greke për përballje me këtë problem, për herë të parë në kufirin e këtij vendi do të stacionohen edhe pjesëtarët e Agjencisë së BE-së Frontex, të themeluar në vitin 2004. Greqia duket se nuk është më në gjendje të përballet me gjendjen e krijuar, kumtoi Komisionerja e Brendëshme e BE-së Cecilia Malmstrëm. Numri i kalimeve ilegale të kufirit është rritur në mënyrë konstante kohët e fundit dhe situata është bërë dramatike. Kjo vlen në veçanti për pjesën prej 13 kilometarash buzë lumit Evros.

Kritika për trajtimin e azilkërkuesve

Organiazta e refugjatëve Pro Asyl ka njoftuar herë pas here për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në afërsi të qytetit Orestiada. Refugjatët janë kthyer pa shqyrtuar fare gjendjen e tyre personale dhe janë dërguar përmes ujërave në Turqi, thuhet në një raport të kësaj organizate, të hartuar së bashku me një zyrë avokatie në Greqi. Shpesh ka pasur raste të fundosjes së njerëzve të cilët duke notuar përpiqeshin të mbërrijnë në brigjet e Greqisë.

Komisionerja Cecilia Malmstrëm foli në mënyrë indirekte për këto kritika. Ajo beson se autoritetet u ndihmojnë të gjithë refugjatëve ashtu si duhet, shkruan ajo në një kumtesë duke shtuar se secili shtet e ka për detyrë të respektojë standardet evropiane. Forcat e dërguara në Greqi janë bashkëpunëtorë të Agjencisës së BE-së Frontex. Ata do të qëndrojnë në Greqi për një kohë të kufizuar dhe do të jenë nën komandën e Greqisë. Po ashtu BE-ja i ka bërë Greqisë propozime për të reformuar sistemin e azilit.

Autor: Christian Fähndrich / Bahri Cani
Redaktor: Pandeli Pani