1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqi: Sipërmarrës nga halli

17 Prill 2012

Rreth një në pesë grekë është i papunë. Shumë vetë hapin nga nevoja firma të veta. Dhe më pas u duhet të luftojnë kundër recesionit të rëndë dhe moralit të ulët të pagimit të faturave.

https://p.dw.com/p/14f89

Giorgos Tsonis lufton për mbijetesën e tij profesionale. Inxhinieri mekanik krijoi biznesin e tij në 2009-n, pasi vendi i punës në një firmë amerikane kondicionerësh, për të cilën mendonte se ishte i sigurt, u shkurtua për arsye racionalizimi. Babai i dy fëmijëve nuk kishte më zgjidhje tjetër, veçse t'i merrte vetë gjërat në dorë. Bashkë me një partner financimi Tsonis themeloi mu në mes të krizës një firmë të vetën për teknikë ngrohjeje dhe ftohjeje.

49-vjeçari i ofron të gjitha nëpërmjet kësaj firme: Ai i importon produktet nga Japonia dhe SHBA-ja, ndihmon në riparimin e tyre dhe harton zgjidhje individuale për sipërmarrje, instalatorë dhe pronarë banesash. Një ditë pune 12-orëshe është për mua e vetëkuptueshme (bile edhe të shtunave), thotë Tsonis. Megjithatë firma nuk shkon aq mirë sa pati kujtuar ai. "Grupi që synojmë ne janë gjithë personat e përfshirë në ndërtim, mirëpo dega e ndërtimit po zhytet sa vjen e më shumë në recesion", ankohet sipërmarrësi i ri. Prej 2010-s tregu për teknikë ftohjeje dhe ngrohjeje në Greqi ka rënë me 40 për qind, thotë ai. "Natyrisht që pyetëm përpara nëse ky është vërtet momenti i duhur për të hapur firmë, por asokohe askush në Greqi nuk mund t'i parashikonte përmasat dhe shpejtësinë e recesionit", kujton Tsonis.

Në foto, Giorgos Tsonis
Në foto, Giorgos TsonisFotografi: DW

Themeluesit e firmave ndryshojnë planet e tyre të biznesit

Të detyruar prej krizës themeluesit e firmave ndryshuan planet e tyre të biznesit. Ata nuk kanë punësuar katër punëtorë (siç parashikonin fillimisht), po vetëm nga një. Një ekonomist financier ka marrë përsipër llogarinë e firmës si bashkëpunëtor i lirë. Qiranë për ambientet e formës ata të dy ia dolën ta rinegocionin, por problemi më i madh deri më sot është i pazgjidhur, psherëtin Tsonis. "Morali i pagimit të faturave nga klientët është keqësuar dhe për ne kjo përbën një pengesë të papërfytyrueshme", mendon themeluesi i firmës. Kur firma e tij porosit mallra jashtë vendit, ai nuk mund t'i lejojë vetes kurrfarë vonese në shlyerje, pasi livruesit e huaj kërkojnë si siguri garanci bankare. "Mirëpo kur këto mallra u shiten më pas klientëve në Greqi, është bërë krejt normale që klientët të mos i respektojnë afatet e pagesave ose që të presin çeqe të pambuluara." Kundër kësaj nuk mund të bësh dot shumë, thotë. "Tregu ka konkurrencë të fortë. Kur dikush, me të cilin bën prej 20 vitesh biznes, nuk ka para tani, atëherë nuk e lë menjëherë në baltë apo e hedh në gjyq për një çek të pambuluar, ja që këto janë zakonet," mendon Tsonis.

Megjithatë, sipërmarrësi do të luftojë. Ndihem i lumtur sepse të paktën kam arritur të gjej një partner financiar me përvojë dhe nuk kam ende nevojë për kredi bankare. Dhe përveç kësaj, për të nuk ka alternativë ndaj hapjes së një firme.

Në foto, Filía Milidáki
Në foto, Filía MilidákiFotografi: DW

Edhe Filía Milidáki po guxon të hedhë hapin drejt firmës private. Nëna që e rrit vetëm fëmijën ka studjuar psikologji në Francë dhe ka panuar në vitet nëntëdhjetë në analiza tregu. Paralelisht ajo mblodhi që asokohe përvojë në konsulencë klientësh dhe në menaxhim projektesh për ndërmarrje të vogla në Athinë. Pas një pushimi të gjatë shtatëzënie gruaja nga Kreta ngriti një zyrë konsulence të vetën për firma në ishullin Syros.

Probleme mendësie të rrënjosura thellë

Theksi i kësaj firme është te ndërmjetësimi i programeve të financuara nga BE-ja për sipërmarrjet e vogla dhe turistike në Egje. Këtu asaj nuk i duhet të përballet vetëm me vështirësi ekonomike dhe me vonesat në pagesa, po edhe me probleme mendësie të rrënjosura thellë, mendon Milidáki.

"Përpiqem shumë për t'i bindur njerëzit se nuk duhet të kenë kushërinj në ministrinë përgjegjëse për të marrë para nga BE-ja", thotë konsulentja e firmave duke qeshur. "Mirëpo, shumica e njerëzve i përfytyrojnë gjërat ndryshe dhe thjesht nuk duan të marrin iniciativën për të krijuar firma." Kjo, megjithëse ka mjaft mundësi për të thithur subvencione të BE-së, shpjegon 40-vjeçarja me diplomë.

Pamje nga Athina
Pamje nga AthinaFotografi: AP

Filía Milidáki e sheh recesionin me ndjenja të përziera. Nga njëra anë më shumë sipërmarrës të vegjël tregojnë së paku teorikisht interes më të madh për mundësitë alternative të financimit, gjë që i vjen asaj përshtat. Nga ana tjetër morali i pagesës është veçanërisht i keq në kohë krize, thotë.

Autor: Jannis Papadimitriou / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti