1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do ta ndihmojë BQE-ja Greqinë?

PP (dpa, afp, reuters)28 Qershor 2015

Eurogrupi u shpreh për një mbyllje të përkohshme të bankave dhe kontrollin e qarkullimit të kapitalit në Greqi.

https://p.dw.com/p/1FoVE
Fotografi: Reuters/Y. Herman

Pas refuzimit të ndihmave të mëtejshme eurogrupi i ka kërkuar Greqisë të marrë masa për të stabilizuar sistemin e saj financiar. Me skadimin e programit të ndihmës më 30 qershor dhe pa perspektivën e menjëhershëm të një programi vazhdues, masa të tilla do të jenë të nevojshme, thanë ministrat e Financave të vendeve të euros, që diskutuan pa Greqinë të shtunën në mbrëmje në Bruksel. Sipas diplomatëve eurogrupi u shpreh për një mbyllje të përkohshme të bankave dhe kontrollin e qarkullimit të kapitalit në Greqi. Kontrolli i kapitalit synon të parandalojë rrjedhjen e mëtejshme të parave mund të vendoset vetëm nga Greqia. Për Greqinë do të jetë e vështirë që të hapen bankat të hënën, tha një diplomat.

Ndër të tjera ekziston frika se në bankat e Greqisë do të ketë një vërshim të pakontrolluar të qytetarëve që do të nxitojnë të tërheqin paratë e tyre. Kjo do ta rrezikonte rëndë sektorin bankar grek. Në rasr se nuk merr kredi të mëtejshme emergjente prej Bankës Qendrore Evropiane (BQE), qeveria greke duhet të vendosë kontrollin e kapitalit për të parandaluar një kolaps të sektorit bankar vendas.

Kryetari i eurogrupit Dijsselbloem
Kryetari i eurogrupit DijsselbloemFotografi: Reuters/Y. Herman

A do të ndihmojë BQE-ja?

Parlamenti Evropian duhet të mendojë tani për rreziqet që do të krijohen për Greqinë javët e ardhshme, tha kryetari i eurogrupit Dijsselbloem, pas vendimit të ministrave të eurogrupit për moszgjatjen e programit të ndihmës greke përtej datës 30 qershor. Por Dijsselbloem nuk dha asnjë përgjigje lidhur me çështjen e vazhdimit të kredive emergjente të Bankës Qendrore Evropiane për bankat greke. Për disa muaj me radhë bankat greke varen nga pagesat javore të BQE-së. Kufiri i tyre në Frankfurt tani është në rreth 90 miliardë euro. "Kjo është çështje e Bankës Qendrore Evropiane, ata veprojnë në mënyrë të pavarur," tha kryetari i eurogrupit.

Presidenti BQE-së Mario Draghi ka deklaruar sërish pak ditë më parë, se pagesat janë të lidhura me programin e deritanishëm të ndihmës. Këshilli i Bankës Qendrore Evropiane do të vendosë të dielën për këtë çështje.

Institucionet kreditore - Banka Qendrore Evropiane (BQE), Komisioni Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) - janë në dispozicion për "asistencën teknike" u tha në Bruksel. Eurogrupi do ta monitorojë me kujdes "situatën ekonomike dhe financiare në Greqi".

Greqia është dhe do të mbetet anëtare e Eurozonës

Symbolbild Eurozone Griechenland Minister
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Warnand

Edhe pse eurogrupi vendosi të mos e zgjasë programin e ndihmave që përfundon të martën, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, tha se Greqia do të ketë vështirësi të mëdha, por se "Greqia do të vazhdojë të jetë anëtare e Eurozonës". Edhe ministri francez i Financave Michel Sapin tha: "Të 18 vendet deklaruan qartë se Greqia është në Eurozonë dhe duhet të mbetet në të, pa marrë parasysh sa të mëdha janë vështirësitë tani "

Sapin tha se paaftësia e Greqisë për të paguar nuk përbën rrezik infektimi për pjesën tjetër të Eurozonës. "Situata aktuale nuk është aspak si katër vjet më parë," tha ai, duke aluduar për kulmin e krizës financiare dhe të borxheve. Tani në zonën e euros ka mekanizma në mënyrë që çdo shtet të mund të ndihmohet kur ka probleme. Përveç kësaj, bankat evropiane tani nuk janë më në rrezik.

Më parë, ministri grek i Financave Janis Varoufakis kishte theksuar se në marrëveshjet të BE-së nuk ka asnjë mundësi për përjashtimin e një vendi nga Eurozona.