1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

240210 EU Statistikfälschungen

25 Shkurt 2010

BE-ja është e pafuqishme ndaj falsifikimit të të dhënave statistikore, gjë që Athina e ka praktikuar me vite. Këtë nuk mund ta ndryshojnë shumë as planet që tu jepen më shumë të drejta kontrolli përfaqësuesve të BE-së.

https://p.dw.com/p/MAYz
BE është e pafuqishme ndaj falsifikimeve të statistikave
Partnerët evropianë kanë qenë të njoftuar me mashtrimet e Greqisë, por nuk kanë reaguar.Fotografi: picture alliance / dpa

Të gjithë kanë dyshuar, shumë e kanë ditur, ndërsa askush nuk ka ndërmarrë asgjë. Grekët kanë zbukuruar pa problem të dhënat e tyre statistikore dhe i kanë manipuluar bilancet ekonomike. Shkaku është që partnerët evorpianë nuk kanë dashur ta pranojnë se kanë gabuar, kur e kanë pranuar Greqinë në zonën e euros. Që prej fillimit.

Kryesuesi i grupit të 16 vendeve që bëjnë pjesë në zonën e euros, kryeministri i Luksemburgut Jean-Claude Juncker përpiqet tani të mbrohet. "Shkaku që nuk i kemi parë ato që është dashur të shihen në Greqi nuk qëndron vetëm tek fakti që ministrat e financave në Bruksel nuk kanë shikuar me vëmendje. Shumë më shumë problemi qëndron tek fakti që qeveria greke na ka paraqitur të dhëna falso."

Ministri grek i financave, George Papaconstantantinou.
Tani përgjegjësit nuk e kanë fare të lehtë. Ministri grek i financave, George Papaconstantantinou.Fotografi: AP

Nuk sheh, nuk dëgjon dhe nuk thotë asgjë

Që Greqia ka paraqitur në Bruksel disa herë të dhëna të manipuluara për borxhet ka qenë e ditur. Qeveria greke e ka tepruar shumë vitin e kaluar. Në prill Athina ka paraqitur borxhe të reja në vlerë prej vetëm katër për qind të aftësive të saj ekonomike, ndërkohë që borxhet e vërteta ishin gati 13 për qind. Në raportin e Komisionit Evropian për mashtrimet statistikore të Greqisë thuhet, se ekspertët evropianë të paktën pesë herë kanë shprehur dyshimin për të dhënat e paraqitura statistikore, por për qeverinë greke nuk ka pasur kurrfarë pasojash. "Komisioni i BE-së po sillet si ata tre majmunët: asgjë nuk sheh, asgjë nuk dëgjon dhe asgjë nuk thotë. Problemi është që këtë e ka ditur dhe është dashur të veprojë në mënyrë aktive."

Ka munguar mbështetja politike

Kështu shprehet Inge Grässle, eksperte për çështjet buxhetore në grupin parlamentar të partive të Unionit në Parlamentin Evropian. Dhjetë herë kanë qenë ekspertët evropianë të statistikave në Greqi që prej vitit 2004 dhe kanë biseduar me autoritetet greke për këto probleme. Por as kjo nuk ka ndryshuar asgjë, sepse ka munguar mbështetja politike. Profesori Ansgar Belke i Institutit Gjerman për Studime Ekonomike mendon se mosveprimi është ndër shkaqet kryesore të kësaj gjendje. "Në fillim shumë probleme që po i shohim sot janë shpjeguar me bashkimin e zonës së euros. Sipas dëshirës politike, ky rreth është zgjeruar më shumë se sa ishte rrethi i vendeve bazë."

Zona e euros është zgjeruar më shumë se duhet.
Zona e euros është zgjeruar më shumë se duhet.Fotografi: DW

Tani problemi qëndron në faktin se zjarri po kërcënon të përhapet dhe se gjendja mund të dalë jashtë kontrollit. Prandaj BE-ja ka vendosur të trajtojë seriozisht çështjen dhe t'i kontrollojë të dhënat dhe bilancet. Jean-Claude Juncker, e përshëndet këtë hap."Eurostati duhet të kontrollojë të gjithë numrat, të gjitha autoritetet dhe të shikojë nëse të dhënat e prezantuara janë të sakta."

Vetëm karakter kozmetik ?

Inge Grässle mendon se masat e tanishme janë vetëm një aksion e madje edhe më keq: premtime të kota. "Kam frikë se reforma e tanishme ka vetëm karakter kozmetik. Kam frikë se nuk do të ketë rezultate të cilat të gjithë i presim dhe për të cilat kemi nevojë, për shkak të vendeve meshtruese."

Grekët nuk kanë mundur madje as personat që kanë mashtruar t'i nxjerrin para organeve të drejtësisë. Manipuluesit e dikurshëm tani janë në opozitë dhe janë të domosdoshëm që në parlament të miratohen reformat e domosdoshme.

Autor: Peter Heilbrunner / Vilma- Filaj Ballvora

Redaktoi: Aida Cama