1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia duhet të rikthej besimin e tregjeve financiare

29 Prill 2010

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss-Kahn, kërkuan marrjen e shpejtë të vendimeve në negociatat për programin e shpëtimit të Greqisë

https://p.dw.com/p/N90W
Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe shefi i FMN-së, Dominique Strauss-Kahn
Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe shefi i FMN-së, Dominique Strauss-KahnFotografi: picture-alliance/dpa

"Eshtë e qartë se tani duhet të përshpejtohen negociatat", tha kancelarja Merkel të mërkurën në Berlin pas një takimi me shefin e FMN-së Dominique Strauss-Kahn. Edhe Kahn iu bashkua kancelares Merkel dhe shtoi se Greqisë do t'i duhen me vite kohë për t'i kthyer miliardat e huazuara.

Merkel: Bëhet fjalë për stabilitetin e zonës së Euros

Kancelarja gjermane, Angela Merkel
Kancelarja gjermane, Angela MerkelFotografi: DW

Kancelarja Merkel tha se ajo shpreson që Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe delegacioni i Bashkimit Evropian do të bien në ujdi me Athinën gjatë "ditëve të ardhshme". Më parë Merkel kishte folur për të dielën e ardhshme. "Ne nuk do të tërhiqemi", siguroi Merkel duke shtuar njëkohësisht se përpjekjet e Greqisë duhet të jenë të vazhdueshme në mënyrë që në tregjet financiare të rikthehet sërish besimi.

"Bëhet fjalë për stabilitetin e rajonit të Euros në përgjithësi dhe ne nuk do t'i ikim kësaj përgjegjësie. Por kusht për këtë është që Greqia të pranojë një program me kërkesa të larta në mënyrë që të rikthehet besimi i tregjeve në Greqinë. Dhe ne të dy ishim të një mendjeje që ky besim i tregjeve në të ardhmen e Greqisë është gjëja me rëndësishme çka mund të arrijmë tani. Për këtë Gjermania do të jap kontributin e saj, për të siguruar euron si tërsi por për këtë kontributin e saj duhet ta japë edhe Greqia."

Kahn: Çdo ditë e humbur e përkeqëson gjendjen më shumë

Presidenti i FMN-së, Dominique Strauss-Kahn
Presidenti i FMN-së, Dominique Strauss-KahnFotografi: picture alliance / dpa

Strauss-Kahn kërkoi po ashtu një program të besueshëm. Edhe pse nuk ka siguri të plotë që Greqia do të kthej këto para në të kaluarën nuk ka pasur asnjë program shpëtimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar i borxhi i të cilit nuk është shlyer në tërësi.

"Ndihmat kreditore duhet të realizohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Çdo ditë e humbur e përkeqëson gjendjen më shumë. Dhe kjo ka pasoja të shumta për Bashkimin Evropian por edhe përtej kufijve të Bashkimit Evropian", tha Strauss-Kahn.

Merkeli dhe Strauss-Kahni janë takuar në orët e vona të pasdites edhe me drejtorin e Bankës Botërore Robert Zoellick, presidentin e Bankës Qendrore Evropiane, Jean-Claude Trichet, sekretarin e përgjithshëm të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) Juan Somavia, shefin e Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik, Angel Gurria, si dhe drejtuesin e Organizatës Botërore të Tregtisë, Paskal Lamy. Ata bashkarisht u shprehën për vazhdimin e përpjekjeve për "rimëkëmbjen e qëndrueshme të sektorit financiar".

Vazhdojnë përpjekjet për rimëkëmbjen e sektorit financiar

Jean-Claude Trichet, Wolfgang Schaeuble Dominique Strauss-Kahn (28 prill 2010)
Jean-Claude Trichet, Wolfgang Schaeuble, Dominique Strauss-Kahn (28 prill 2010)Fotografi: AP

"Politika është ballafaquar me krizën globale ekonomike me vendosmëri dhe veprime të koordinuara", thuhet në deklaratën e përbashkët të publikuar pas takimit në Berlin. Falë këtyre përpjekjeve ekonomia botërore i është rikthyer ndërkohë kursit të zhvillimit edhe pse kriza nuk ka kaluar ende dhe shkalla e papunësisë mbetet ende e lartë.

"Prandaj ne duhet të vazhdojmë përpjekjet ndërkombëtare për rimëkëmbjen e qëndrueshme të sektorit financiar, forcimin e vazhdueshëm të rritjes ekonomike dhe luftimin e pasojave të krizës ndaj vendeve ta varfëra dhe shtresave më të dobëta të popullsisë", thuhet ndër të tjera në deklaratën e përbashkët të kancelares gjermane Angela Merkel me krerët e pesë institucioneve financiare ndërkombëtare.

Autorë: Sabine Kinkartz / agjencitë e lajmeve / Esat Ahmeti

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë