1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia e kënaqur nga marrëveshja e ministrave të Financave të Eurogrupit

12 Prill 2010

Me gjithë rrjetin e sigurisë prej 40-45 miliardë euro për këtë vit, Athina insiston se do të tentojë të kreditohet nga tregjet, gjë që do të evitonte edhe “masat shtrënguese shtesë”.

https://p.dw.com/p/MtjG
Kryeministri grek Jorgos Papandreu në një konferencë shtypi në BrukselFotografi: AP

Përfaqësues të Komisionit Evropian, Bankës Qëndrore Evropiane, FMN-së dhe Greqisë, mblidhen sot në Bruksel për detajimin e mëtejshëm të marrëveshjes së djeshme të ministrave të Financave të vendeve të Eurozonës për financimin e Greqisë për nevojat e saj kredituese, në qoftë se kjo nuk do të jetë e mundur nga tregjet financiare. Athina shprehu kënaqësinë e saj për këtë marrëveshje, që i siguron 30 miliardë euro për vitin në vazhdim nga partneret evropianë me kredi bilaterale me normë interesi rreth 5% dhe 10 deri 15 miliardë euro të tjera nga FMN-ja me 2.85 %, një shumë më e madhe se nevojat e saj kredituese për këtë vit kritik, që përllogariten në 32 miliardë euro.

Papandreu çmon paketën e ndihmën për Greqinë

Griechenland / Euro / Juncker / Papakonstantinou
Ministri grek i financave Jorgos Papakonstantinu, djathtas me shefin e eurogrupit Jean Claude JunckerFotografi: AP
“Sot me vendimin e Eurogrupit rrjeti i sigurisë mori trajtë konkrete. Solidariteti evropian u mishërua në praktikë. Zhvillimi i sotëm nuk ka të bëjë vetëm me Greqinë. Është një vendim i rëndësishëm për vetë Evropën, për vetë Bashkimin Evropian” deklaroi kryeministri grek Jorgos Papandreu, i cili ishte në linjë të hapur deri në momentin e fundit me krerët e Eurogrupit, Bankës Qendore Evropiane dhe Komisonit Evropian për arritjen e marrëveshjes që konsiderohet si shpëtimtare për Greqinë. Papandreu garantoi edhe një herë partnerët evropianë për përkushtimin e vendit të tij në zbatimin e programit qeveritar për dalje nga kriza dhe shprehu besimin se “Greqia do të rifitojë kredibilitetin e saj” si ndaj partnerëve evropianë, po ashtu edhe ndaj tregjeve financiare ndërkombëtare. Këtij aspekti i mëshoi veçanërisht në reagimin e tij ministri grek i Financave, Jorgos Papakonstandinu, i cili theksoi se vendimi përbën një mesazh se Evropa po njeh përpjekjet e Greqisë për përballimin e krizës. “Shënojmë se qeveria nuk ka kërkuar vënien në efiçencë të mekanizmit, pavarësisht se është i gatshëm që tani”, theksoi ministri duke shprehur njëkohësisht besimin e tij se Greqia “do të mund të kreditohet pa pengesa nga tregjet”. Nesër do të jetë edhe testi i parë, por jo edhe vendimtar, pasi Greqia do të dalë në tregjet financiare për 1.2 miliardë euro të tjera. Sidoqoftë do të jetë një tregues i qartë, nëse tregjet financiare do të “lexojnë” pozitivisht rrjetin e sigurisë ndaj Greqisë që në rast të kundërt do të detyrohet të kërkojë aktivizimin e marrëveshjes për të evituar kreditimin e lartë, që po shndërrohet në një lak në fytin e ekonomisë së mbytur në borxhe.
USA Wirtschaft Sitz Internationaler Währungsfond IWF Gebäude
Selia e FMN-së në Uashington, D.C.Fotografi: ullstein bild - Imagebroker.net

Insistimi grek për mosaktivizimin e marrëveshjes lidhet me frikën e kushteve shtesë, që mund t'i vihen vendit, sidomos me implikimin e FMN-së, që nga opinioni shihet si “beze e kuqe”. “Midis të tjerave ekziston rreziku të na jepet ndihmë duke qenë në pozitë të dobët dhe të na kërkohen masa më të rrepta, qoftë nga FMN-ja, qoftë nga ndonjë partner evropian” deklaroi kreu i opozitës Samaras për të shtuar se një gjë e tillë “nuk është e pranueshme as nga qytetarët dhe as nga ekonomia”. “Nuk e kuptoj se ku konsiston ky demonizim i FMN-së dhe përpjekja për krijimin e problemeve të tjera në një moment kaq të brishtë për ekonominë tonë”, ishte përgjigja nga ana e nënkryetarit të qeverisë Pangallos. Ndërkohë organizmi në fjalë përshendeti marrëveshjen e së dielës në Bruksel dhe siç bëhet e ditur në rast aktivizimi të saj ndihma e FMN-së do të jetë e para, që do të ofrohet, rreth 3 miliardë euro me normën më të ulët të interesit prej 2.85 %.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica