1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia kërkon reparacione

Peter Hille28 Janar 2015

Greqia i ka borxh Gjermanisë miliarda euro. Apo anasjelltas? Edhe 70 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, Athina dhe Berlini debatojnë për shpenzimet e kohës së pushtimit gjerman të Luftës së Dytë Botërore.

https://p.dw.com/p/1ESFK
Ushtare gjermane me flamur me kryq te thyer ne Akropol
Fotografi: cc-by-sa/Bundesarchiv/Bauer

Pas sulmit kundër Greqisë, në maj 1941 mbi Akropol-in në Athinë valon flamuri me kryq të thyer. Deri në maj 1944 Wehrmacht-i e mban të pushtuar vendin. Në këtë periudhë, Gjermania naziste vret e plaçkit në të gjithë Gadishullin e Ballkanit. Dëmet ekonomike të luftës dhe pushtimit shkaktojnë debat deri sot.

Sepse Greqia e ndien veten të diskriminuar në negociatat ndërkombëtare për reparacionet pas fundit të diktaturës naziste. Kryeministri i ri i Greqisë, Alexis Tsipras ngul këmbë që një çështje e tillë të diskutohet dhe mendon se Greqia duhet të marrë ende disa miliarda euro si dëmshpërblim.

Hua e detyruar e regjimit të pushtimit

Nga njëra anë bëhet fjalë për dëme direkte të luftës, për shembull përmes plaçkitjeve, vrasjes dhe shkatërrimit. Viktimave të krimeve naziste në Greqi, Republika Federale u pagoi 115 milionë marka gjermane- në bazë të një marrëveshjeje të vitit 1960 kjo do të mbulonte të gjitha kërkesat për dëmshpërblim individual.

Në qendër të diskutimit megjithatë është edhe një hua e detyruar shtetërore. Rajhu Gjerman e detyroi Bankën Qendrore Greke në vitin 1942 që të japë një hua pa interesa në shumën 476 milionë marka të Rajhut. Me këto para nazistët financuan zyrtarisht "shpenzimet e pushtimit" në Greqi. Këto para nuk u kthyen. Një komision grek ekspertësh është i mendimit se prandaj Gjermania i ka borxh Greqisë rreth 11 miliardë euro.

Paqe pa marrëveshje

Por qeveria gjermane mendon se çështja e pagesave të reparacioneve ka marrë përgjigje përfundimtare. Një konferencë e parë për këtë u zhvillua më 1945 në Paris. Grekëve iu dha një pjesë në përqindje nga shuma e reparacioneve gjermane për Luftën e Dytë Botërore. Greqia mori përfitime në natyrë, që kapin vlerën e sotme prej dy miliardë dollarësh.

Tsipras i bën temë debati reparacionet
Tsipras i bën temë debati reparacionetFotografi: AFP/Getty Images/A. Messinis

Në konferencën e borxheve të Londrës të vitit 1953, fuqitë perëndimore e spostuan rregullimin e kërkesave për reparacione të tjera deri në lidhjen e një marrëveshjeje paqeje. Veç kësaj ata bënë një falje borxhesh për Gjermaninë. Por një marrëveshje zyrtare paqeje midis Gjermanisë dhe Fuqive Fituese nuk u nënshkrua kurrë. Në vend të kësaj, në vitin 1990 hyri në fuqi e ashtuquajtura "Marrëveshje-dy-plus-katër" për bashkimin e Gjermanisë, e cila u pranua edhe nga Greqia dhe e cila nuk parashikon pagesa reparacionesh të tjera.

Borxhe të reja, forcë e re shpërthyese

Tema e reparacioneve ka fituar forcë shpërthyese që prej shpërthimit të krizës së borxheve në Greqi. Në vitin 2010 Athinës iu desh t'i kërkojë ndihmë BE, për të shmangur falimentimin e shtetit. Edhe Gjermania i ka dhënë që atëherë hua Greqisë rreth 65 miliardë euro.

Kryeministri i Greqisë, Tsipras ka ngulur herë pas here këmbë që kur ishte në opozitë që në këto borxhe të llogariten edhe pagesat e reparacioneve të Greqisë. Disa juristëve në Greqi ky model u duket i përshtatshëm. Kjo në një kohë kur ata llogarisin para së gjithash kthimin e huasë së detyruar nga koha e pushtimit -- negociata të reja 70 vjet pas fundit të luftës shumica e ekspertëve i konsiderojnë të përjashtuara.