1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

030210 EU Griechenland Sparauflagen

4 Shkurt 2010

BE e pranon programin e kursimeve të paraqitur prej qeverisë greke. Por BE-ja do të kontrollojë me rigorozitet zbatimin e këtij programi në praktikë. Mendohet se deri në vitin 2012 financat e Greqisë do të stabilizohet.

https://p.dw.com/p/Lsib
Nën kontrollin e BE
Nën kontrollin e BE

BE merr komandën në Athinë - qeverisë de facto po i hiqet nga dora pushteti. Kryeministri Jorgos Papandreu dhe ministri grek i Financave e përjetuan vetë javët e kaluara, se sa shumë ua kufizon ky hap sferën individuale të veprimit.

Papandreu i përgatiti që të hënën në darkë (1.02) bashkëkombasit e vet, kur sqaroi në Parlament se si do të veprojë në të ardhmen BE në lidhje me Greqinë:

"Për fat të keq Greqia është sot nën vëzhgim, në status kuratele. Ne kemi arritur një pikë, në të cilën kemi humbur pjesë të rëndësishme të sovranitetit kombëtar. Por ne kemi edhe tregjet ndërkombëtare, që luajnë me fatin tonë. Parakusht që të çlirohemi prej gjendjes së kuratelit është që të rivendosim gjendjen në rregull.“

24 orë përpara seancës vendimtare të ministrave të Financave të BE-së, Athinës iu desh ta përmirësonte edhe një herë katalogun e masave të kursimit. Kjo sepse kontrollorët ishin të mendimit se këto masa nuk ishin të mjaftueshme. Pas përmirësimeve të paraqitura nga qeveria greke, komisari i BE-së për monedhën e përbashkët, Joaquin Almunia është të paktën për fillimin i kënaqur:

"Ne do ta mbështesim programin grek të kursimeve. Ne kemi besim te qeveria dhe do ta mbështesim atë në përpjekjet e saj. Njëkohësisht ne e dimë se zbatimi i këtij programi nuk do të jetë i lehtë.

Pas shkurtimeve në radhët e administratës publike dhe uljes së pensioneve, qeveria greke deklaroi se do të ngrejë taksat për cigaret dhe alkoolin, për të mbushur në këtë mënyrë arkat e shtetit. Të gjitha këto masa ndërmerren, sepse deri në vitin 2012 Greqia duhet të përmbushë kriteret e paktit të stabilitetit të euros. Kjo do të thotë borxhi i ri i shtetit duhet që nga rreth 13% vitin e kaluar, të bjerë në 3% të rendimentit ekonomik të vendit - një detyrë për Herkulë. Po Brukseli nuk do t'ia dijë për mëshirë, përkundrazi:

"Sa herë të konstatojmë se Greqia nuk po respekton rrugën për të cilën kemi rënë dakord apo nuk vë në jetë sipas parashikimeve hapa të caktuar, apo në se do të konstatojmë vonesa, atëhere do të kërkojmë prej qeverisë greke masa të reja" - tha komisari i BE-së, Joaquin Almunia.

Pas raportimit të parë në mes të muajit mars, Greqisë do t'i duhet të raportojë çdo tre muaj në Bruksel. Kjo do të thotë mbikqyrje e fortë dhe është hera e parë që Brukseli merr një masë mbikqyrjeje të tillë. Shkaku: Pas 11 vjet marifetesh dhe mashtrimesh nga ana e Greqisë, besimi i BE-së te Greqia po shkon drejt zeros, sqaroi Almunia.

Veç masave të kursimit, BE kërkon prej Greqisë edhe reformimin e sistemit social grek, p.sh. ngritjen e moshës së daljes në pension në moshën 67 vjeç apo reformimin e sistemit shëndetësor. Brukseli nuk është përzier kurrë kaq fort në të drejtat e sovranitetit të një vendi anëtar.

Grekët janë të tmerruar prej masave të kontrollit nën mbikqyrjen e BE-së. Për datën 10 shkurt janë paralajmëruar grevat e para.

Autor: Peter Heilbrunner/ Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi