1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia presidente e radhës e BE-së

J. Papadimitriou/P.Pani6 Dhjetor 2013

Ekspertët mendojnë se megjithë krizën Greqia do të kujdeset për një presidencë të mirë dhe të orientuar nga rezultatet. Greqia më 1 janar e merr presidencën e radhës të BE-së për herë të pestë.

https://p.dw.com/p/1ATtx
Fotografi: Reuters

Kryeministri grek Antonis Samaras dha gjatë një takimi me Presidentin e Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso në Bruksel një pasqyrë të prioriteteve kryesore të Greqisë si presidente e radhës e BE-së. Athina do të nxisë rritjen ekonomike dhe kohezionin social të Evropës dhe do të kujdeset për politikën e refugjatëve në BE. Po ashtu Samaras do t'i japë përparësi edhe përsosjes së Bashkimit Bankar.

Në lidhje me rritjen ekonomike qeveria greke e koalicionit mes konservatorëve dhe socialistëve do të japë shembullin e saj dhe ta surprizojë BE-në pozitivisht: Greqia do që në vitin 2014 t'i lërë pas ndihmat ndërkombëtare dhe të kthehet në rrugën e zhvillimit. Por aktualisht këtë gjë e besojnë vetëm pak vetë në Evropë. Madje ka edhe nga ata që shtrojnë pyetjen nëse grekët nuk do të mbingarkohen me Presidencën e BE-së, duke pasur parasysh gjendjen e vështirë ekonomike të vendit.

Përmirësimi i imazhit

Megjithë krizën Greqia do të kujdeset për një presidencë të mirë dhe të orientuar nga rezultatet beson Panajotis Ioakeimidis, profesor për Politikën Europiane në Universitetin e Athinës. Tek e fundit grekët duan që përmes një kryesimi të suksesshëm të BE-së të përmirësojnë imazhin e vendit dhe të rivendosur besueshmin. "Dhe kjo do të ketë sukses, unë jam i bindur," thotë profesori athinas.

Prof. Panagiotis Ioakeimidis
Prof. Panagiotis IoakeimidisFotografi: DW/J. Papadimitriou

Kështu beson edhe eurodeputetja socialiste Sylvana Rapti, e cila konsiderohet si mike e ngushtë e ministrit të Jashtëm grek Evangelos Venizelos. Rapti thotë se dyshimeve në lidhje me aftësinë e Greqisë për të përballuar me presidencën "bëhen nga ligësia" dhe shton "për krahasim edhe presidenca belge (në vitin 2010) u shoqërua me shqetësime, sepse belgët në atë kohë nuk kishin as qeveri, por ata bënë një presidencë të mirë, dhe kriza e brendshme nuk e preku veprimtarinë evropiane"

Shpresë për një Evropë sociale

Greqia e merr presidencën e radhës të BE-së për herë të pestë. Më parë ajo ishte presidente në vitet 1983, 1988, 1994 dhe 2003. Si thuajse asnjë vend tjetër i BE-së Greqia donte ta përdorte në të kaluarën këtë funksion për një Evropë sociale. Por sukseset e saj ishin modeste. Në vitin 1988, kryeministri i atëhershëm grek Andreas Papandreu nguli këmbë për një Kartë Sociale Evropiane, por kjo u arrit një vit më vonë nën presidencën franceze. Në vitin 1994 në rend të ditës dolën negociatat mbi zgjerimin e BE-së në pjesën veriore, kurse në vitin 2003 përpjekjet e Athinës për një Evropë sociale u zbehën plotësisht nga kriza në Irak.

.Në krye të përpjekjeve të Greqisë si presidente e radhës 2014 do të jenë sidomos programet për punësimin e të rinjve dhe financimi i tyre. Sylvana Rapti beson se këtë vit Greqia do t'ia dalë me përpjekjet e saj, sepse thirrjet për një Evropë më sociale po bëhen gjithnjë e më të larta. Eurodeputetja Rapti beson se jo vetëm në Greqi, por edhe në Gjermani, Francë apo Britaninë e Madhe njerëzit ëndërrojnë për një Evropë sociale.

Sylvana Rapti
Sylvana RaptiFotografi: Privat

Presidenca e BE si një ndërmjetës i ndershëm

Greqia e ka të qartë se pas reformës së Lisbonës në vitin 2009 shteti që ka presidencën e radhës nuk ka më rëndësinë e dikurshme. Këtë e tha në një intervistë me revistën ekonomike greke Naftemporiki (29.11.) edhe ministri i Jashtëm grek Evangelos Venizelos.

Profesor Ioakeimidis mendon megjithatë se edhe pas Marrëveshjes së Lisbonës, shteti që ka presidencën e radhës ka mundësi që të ndikojë në politikën evropiane si një ndërmjetës i ndershëm dhe pikë lidhëse mes institucioneve të Evropës, Komisionit, Parlamentit dhe qeverive të vendeve anëtare, në mënyrë që këto të bien në qëndrime të përbashkëta.

Greqia nuk do të abuzojë me presidencën e radhës për të zgjidhur problemet e saj, siguron profesori për Politikën Evropiane. Natyrisht që gjatë presidencës do të diskutohet edhe për regullimin e borxheve greke, por kjo nuk ka të bëjë me gjërat e tjera: "Presidenca e BE-së do të jetë evropiane,dhe jo një presidencë greke," shpjegon Ioakeimidis.

Problemi i refugjatëve

Eksperti i Evropës Panajotis Ioakeimidis thotë se një ndër pikërëndesat e presidencës greke të BE-së do të jetë edhe politika e refugjatëve dhe e emigrimit. Në këtë fushë ka tensione mes interesave të çdo vendi dhe politikës së përbashkët evropiane. Panajotis Ioakeimidis nuk beson se Greqia do të verë në rend të ditës ndryshimin e Marrëveshjes së Dublinit për politikën ndaj refugjatëve, por mendon se në këtë marrëveshje ka gjëra që mund të përmirsohen. Në rend të ditës do të jetë tema të tilla si agjencia për mbrojtjen e kufijve FRONTEX apo konsultime të grupit të punës për Mesdheun.