1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grupi kriminal nga Zenica në Gjermani

Faruk Shabanoviq2 Prill 2016

Grupi prej rreth 25 persona nga Zenica ka kryer 250 vjedhje në Gjermani. Të gjitha i ka koordinuar një person nga Bosnjë-Hercegovina. Të arresturit janë zëvendësuar me hajdutë të rinj nga Zenica.

https://p.dw.com/p/1IO92
Symbolbild Einbruch
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Gebert

Çdo tre minuta në Gjermani vidhet një banesë dhe ky është një prej problemeve serioze, me të cilat po përballen autoritetet dhe popullata gjermane. Rritjes rekorde të numrit të vjedhjeve në banesa i ka kontribuar edhe një grup kriminal nga Zenica e Bosnjë-Hercegovinës. Së fundi janë arrestuar 11 anëtarët të këtij grupi, në aksionin "Engel".

Shkatërrimi i këtij grupi ka filluar në shtator të vitit të kaluar, ku në Dortmund është arrestuar një nga hajdutët. Shefi i komisionit hetues në aksionin "Engel", Roland Brüss, thotë se i arrestuari nuk ka dashur t'i tradhëtojë shokët e tij, por gjatë hetuesisë është konstatuar se në këtë vjedhje kanë marrë pjesë edhe dy persona nga B-H. Ndërsa hetuesia në fund konstatoi se fjala ishte për një bandë kriminale prej më së paku 25 persona, e cila ka "operuar" kryesisht në rajonin e Ruhrit, në Essen dhe Gelsenkirchen.

Në krye të bandës një person nga Bosnje-Hercegovina

Kriminelët nga B-H dyshohet për 250 vjedhje, plaçkitje dhe vepra të tjera kriminale në Gjermani. Grupi më së shumti ka vepruar në Renaninë Veriore Vestfali, në Saksoni të Poshtme, në Münsterland, Westerwald, Sauerland dhe Eifel. Më së shumti në shënjestër kanë qenë vilat e pushimit dhe shtëpitë në rajonet rurale. Interesante është, siç thotë Brüss, që vjedhjet janë kryer në grupe kryesisht të vogla treantarëshe. Veprimi i tyre ka qenë i koordinuar mirë. Pas arrestimit eventual të ndonjë anëtari të grupit, ai është zëvendësuar me persona të tjerë, të ardhur nga Zenica në Gjermani.

Brüss thotë se në krye të grupeve është një person nga B-H, i cili ka koordinuar aksionet. Ai ka ofruar ndihmën logjistike dhe u ka dhënë grupeve mbështetje logjistike në terren. Në këtë bandë ka pasur 8-10 grupe.

Mungesa e bashkëpunimit me policinë boshnjake

Policia e Dortmundit pohon se ata janë përpjekur të bashkëpunojnë me Ministrinë e Punëve të Brendshme në kantonin e Zenicës, por pa sukses. Policia e atjeshme nuk ka dhënë kurfarë informacionesh. "Me kolegët nga B-H kemi pasur shumë pak kontakte deri tani. Kërkesat tona për bashkëpunim kanë shkuar përmes Zyrës për Kriminalistikë BKA, por nuk kemi mundur të vendosim kontakte“, thotë Roland Brüss. Nga ana tjetër, në Zenicë thonë se nuk kanë informacione për personat që kanë kryer 250 vepra penale të vjedhjeve në Gjermani. Informacionet e tyre bazohen në të dhënat e mediave.

„Mendoj se këto janë vlerësime të përgjithshme. Ne përgjigjemi shpejt në kërkesat për bashkëpunim. Në këtë rast nuk e di se me ke kanë kontaktuar kolegët nga Gjermania“, thotë zëdhënësja Ahmiq.

Hetimet zgjerohen edhe në B-H

Në një konferencë për shtyp në Dortmund (me 30. mars) janë prezantuar mbi 2000 gjëra të siguruara gjatë bastisjeve tek personat e arrestuar. Këtu shihet se ata kanë vjedhur çdogjë që kanë mundur, stoli, sende prej ari dhe metale të tjera, parfume, çanta e madje edhe revista. Policia mendon se ende ka persona të lirë të këtij grupi.