1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gualtieri: "Zgjedhjet nuk ishin të nxituara!"

Eliana Xhani9 Nëntor 2013

Sfida në zgjedhjet që do të përsëriten në 17 nëntor do të jetë të kapërcehen problemet që u evidentuan në administrimin e kushteve të sigurisë në 3 nëntor, thotë në intervistë ekskluzive me DW, Roberto Gualtieri.

https://p.dw.com/p/1AEch
Roberto Gualtieri, shef i misionit vëzhgues të BE-së në zgjedhjet lokale në Kosovë.
Fotografi: picture alliance / AP Photo

DW: Z. Gualtieri, në raportin e misionit vëzhgues të drejtuar prej jush, zgjedhjet lokale në Kosovë, cilësohen "të kënaqshme". Çfarë do të thotë kjo në terma konkretë?

Roberto Gualtieri: Metodologjia e vrojtimit elektoral analizon të gjitha aspektet kryesore të procesit elektoral, pra jo vetëm dhënien e votës ditën e votimit, por gjithë procesin duke u nisur nga kuadri ligjor, organizimi dhe administrimi elektoral, rolin e medias, aktivitetet e fushatës elektorale, dhe pastaj votimin dhe procesin e numërimit, kontestimet dhe shpalljen e rezultatit. Ne kemi vëzhguar deri ditën e votimeve, dhe raporti i publikuar të hënën (5.11.) është një raport paraprak. Në raportin final në fillim të vitit të ardhshëm do të prononcohemi dhe për atë çfarë po ndodh tani e deri në mbylljen e procesit elektoral. Por edhe raporti paraprak analizon këto elementë dhe rezultantja është pozitive.

Pra mund të themi se në këto zgjedhje u përmbushën standardet për zgjedhje të lira dhe demokratike?

Po, u përmbushën! Natyrisht ne kemi identifikuar edhe disa probleme, kufizime, të cilat i trajtojmë në raportin paraprak.

Kush ishin problemet më serioze të këtyre zgjedhjeve?

Atëherë, duhet të themi se problemi kryesor ka qenë administrimi i procesit elektoral në veri të Kosovës, për shkaqe evidente dhe të njohura, pra që kjo ishte hera e parë që atje zhvilloheshin zgjedhje në kuadër të sistemit juridik kosovar. Një risi dhe moment historik mund të themi, fryt i marrëveshjes së prillit në Bruksel që parashikonte mbajtjen e zgjedhjeve administrative në gjithë territorin e Kosovës, si një nga pikat themelore për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Fakti që zgjedhjet në veri u organizuan në një kontekst juridik dhe politik mjaft delikat, të njëjta me ato në pjesën tjetër të territorit të Kosovës, prodhoi një sërë problemesh që kushtëzuan p.sh. edhe fushatën elektorale, duke qenë se pati një klimë frikësimi dhe një fushatë për bojkotim të zgjedhjeve, që kufizoi hapësirën e veprimit politik dhe demokratik, për një fushatë të lirë elektorale në veri. Krahas kësaj ka pasur edhe probleme që kishin të bënin me regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës (out-of-Kosovo voters), një proces mjaft kompleks me kritere që i kemi vlerësuar disi restriktive sa i takon rregullave të KQZ.(...)

Ka pasur kritika për mangësi në komunikim mes misionit vëzhgues dhe KQZ. Ka pasur probleme të tilla dhe të çfarë natyre?

Problemet për të cilat flisni kanë të bëjnë me komunikimin mes OSBE-së, e cila ka rolin e lehtësuesit në procesin elektoral në veri të Kosovës, ku duhet të themi që OSBE ka pasur një rol vendimtar, (...) dhe pa OSBE-në do të kishte qenë shumë e vështirë të realizohej ajo që u realizua. Ne evidentojmë në raportin tonë mungesën e transparencës së plotë në procesin e organizimit në veri pasi procedurat në një farë mënyrë u desh t'i përshtateshin kontekstit të veçantë atje. Por ky problem u kapërcye nga OSBE, e cila e informoi KQZ për aktivitetin e saj të plotë në veri. Dhe fakt është që qendrat e votimit u hapën dhe funksionuan në të gjitha komunat e veriut.(...)

Ashtu siç kam thënë në konferencën për shtyp këto zgjedhje ishin një sfidë e vështirë për dy arsye: së pari sepse në pjesën më të madhe të vendit, po të lëmë mënjanë katër komunat në veri, mbizotëronte një nivel i ulët besimi në karakterin transparent dhe të lirë të zgjedhjeve, për shkak të eksperiencës shumë negative të vitit 2010. Pra në këto zgjedhje ishte e rëndësishme të bëhej një hap përpara në krahasim me ato paraardhëse. Së dyti, në veri një sfidë pasi kishim fushatën për bojkotim dhe probleme shumë të komplikuara për t'u zgjidhur për realizimin e zgjedhjeve në kuadër të ligjeve të Kosovës. Këto dy sfida u përballuan dhe rezultati ishte mjaft pozitiv, jo i përsosur, por pozitiv në të dy rastet.

Sa i takon pjesës më të madhe të vendit, problemet e tjera kanë qenë besimi i ulët në korrektësinë e listave të votuesve, të cilat kanë qenë shumë të mëdha dhe le të themi që nuk ishte kryer punë për "pastrimin" e tyre.

Sa i takon medieve, në përgjithësi ato u kanë ofruar hapësirë të gjitha subjekteve elektorale të shprehin opinionet e tyre. Natyrisht ne kemi konstatuar edhe disa parregullsi, si p.sh. që kanali kryesor publik i ka dhënë disi përparësi partisë në pushtet, etj. Ka pasur edhe akuza për blerje votash, apo punonjës publikë që janë detyruar të marrin pjesë në aktivitete elektorale. Pra ka pasur një numër episodesh, që ne i kemi regjistruar dhe i raportojmë si probleme që duhen kapërcyer. Por përmasat e këtyre episodeve në tërësinë e procesit elektoral janë të kufizuara. Pra edhe në statistikat e hartuara nga vëzhguesit tanë, p.sh. në ditën e votimit, vetëm 3,5 për qind e rasteve të vrojtuara kanë rezultuar të dobëta ose negative, ndërkohë që gjithë pjesa tjetër, pra 96,5 për qind e rasteve janë vlerësuar mjaftueshëm, mirë e madje deri shumë mirë.

Sipas jush, forcat e sigurisë kishin marrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e mbarëvajtjes së votimeve?

Ky është një aspekt për të cilin ne në raportin paraprak të vrojtimeve nuk jemi shprehur ende. Pra për këtë nuk jemi në gjendje të komentojmë, edhe sepse vëzhguesit tanë në momentin e sulmit u evakuuan. Pra nuk kemi mundur ende të realizojmë një shqyrtim direkt të kësaj çështjeje. Kemi lexuar dhe unë vetë kamë parë disa versione të ndryshme të ngjarjeve. Mendoj megjithatë se një pjesë e kritikave drejtuar EULEX-it dhe Kfor-it janë të tepruara pasi siç dihet marrëveshja parashikon ndërhyrje në tre nivele: të shkallës së parë, të dytë dhe të tretë. Dhe lloji i sulmit ishte i tipit që i takonte kompetencave të policisë, pra nuk ishte një sulm i armatosur me bomba apo tanke, edhe pse më vonë janë gjetur lëndë shpëthyese. Sidoqoftë ndërhyrja i takonte policisë kosovare për t'i dhënë fund sulmeve. EULEX-i dhe Kfor ndërhynë menjëherë më pas dhe kontribuan që dhuna të mos përhapej dhe të kryhej evakuimi i personelit në qëndrat e votimit.

Sfida në zgjedhjet që do të përsëriten në 17 nëntor do të jetë pikërisht të kapërcehen problemet që u evidentuan në administrimin e kushteve të sigurisë në 3 nëntor.

Z. Gualteri, një nga objektivat e misionit të drejtuar prej Jush, ishte të inkurajonte pjesëmarrjen e qytetarëve në votime, në veçanti të atyre në komunat e veriut të Kosovës. Duke parë pjesëmarrjen tejet të ulët në votime në këto komuna mund të themi se kjo nuk funksionoi apo jo?

Atëherë, ne nuk komentojmë për pjesëmarrjen në zgjedhje. Por nëse i hedhin një sy shifrave, duke përjashtuar veriun e Mitrovicës dhe veçanërisht tre komuna atje, pjesëmarrja nuk ishte aq e ulët sa mendohej në fillim. Të dhënat e paraqitura nga OSBE flasin për një pjesëmarrje prej 22 për qind në Leposaviç. Por të marrim parasysh që në zgjedhjet e kaluara pjesëmarrja në komunat serbe në jug të vendit ka qenë më e ulët se 20 për qind. Pra nuk mund të flasim për një nivel katastrofal të ulët të pjesëmarrjes. Dhe vlerësimi ynë i përgjithshëm është që fushata për bojkotimin e zgjedhjeve dështoi dhe sulmi ka të ngjarë të ketë qenë një reagim pikërisht ndaj dështimit të bojkotimit. Sigurisht ne pranojmë që ka pasur një problem frikësimi të zgjedhësve dhe kjo klimë ka ndikuar në fushatën elektorale, e cila u zhvillua atje në kushte anormale. Por kemi prirje ta shohim gotën gjysmë plot dhe vlerësojmë faktin që megjithë këto vështirësi dhe pengesa, zgjedhjet u zhvilluan dhe në përgjithësi patën një pjesëmarrje le të themi dinjitoze.

Natyrisht sulmet ishin diçka shumë negative, ne i dënojmë me forcë dhe konsiderojmë që përsëritja e votimeve duhet të kontribuojë për krijimin e një konteksti më transparent, më të lirë dhe jo frikësues, për t'u dhënë më në fund mundësinë qytetarëve të veriut të Mitrovicës të ushtrojnë të drejtën e tyre qytetare të votës.

Komisioni Zgjedhor ka përcaktuar 17 nëntorin si datë të përsëritjes së votimeve në qendrat ku ndodhën sulmet dhe shkatërrimi i materialit elektoral. Çfarë masash mund të marrë misioni juaj për të garantuar që të mos përsëriten aktet e dhunës dhe frikësimit të qytetarëve?

Atëherë më duhet të bëj një saktësim. Misioni ynë ka vetëm funksion vëzhgimi. Ne, ndryshe nga OSBE apo aktorë të tjerë, nuk marrim asnjë masë për të kushtëzuar rrjedhën e ngjarjeve dhe nuk mund të japim madje as këshilla për mënyrën e funksionimit sepse ne duhet të vëzhgojmë se çfarë ndodh dhe të pregatisim raportin tonë. Vëzhguesit tanë në mënyrë absolute nuk ndërhyjnë në proces. Kjo është një karakteristikë themelore e misionit tonë. Edhe nëse vazhguesit tani do të jenë të pranishëm në raste gabimesh, dhunimi, nuk mund të bëjnë asgjë, nuk mund të ndërhyjnë dhe as nuk mund të thonë: "Duhet të veproni ndryshe!". Ata vetëm i konstatojnë ngjarjet dhe i evidentojnë më pas në raportet tona, atë preliminar dhe më vonë atë përfundimtar në fillim të vitit të ardhshëm. (...)

Natyrisht ky vrojtim është i thellë, njerëzit tanë janë kudo, në Komisionin Qendrore të Zgjedhjeve, qendrat e votimeve, takohen regullisht me mediet, me subjektet politike, pra është një vëzhgim kapilar dhe i thellë. (...)

Sigurisht misioni ynë vëzhgues është një stimul për të vepruar mirë dhe mjet frikësues ndaj përpjekjeve për manipulim. Pasi është e qartë se raporti ynë është i rëndësishëm edhe për një vlerësim më të përgjithshëm të Kosovës, të përparimeve edhe në drejtim të sfidave që vendi ka përpara, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe ato që do të pasojnë. Pra roli ynë mund të kushtëzojë në mënyrë indirekte sjelljen e aktorëve në procesin zgjedhor. Dhe nga ana tjetër prania e vëzhguesve tanë mund të ndihmojë për krijimin e një klime besimi tek qytetarët.

Në konferencën për shtyp ju deklaruat se 3 nëntori ishte një moment historik për Kosovën. Por pas problemeve në veri ditën e votimit, nuk munguan opinionet sipas të cilave këto zgjedhje ishin të parakohshme, të sforcuara, një dëshirë e Brukselit më shumë se pasqyrim i realitetit në Kosovë. Cili është opinioni juaj?

Në të vërtetë këtë vlerësim nga pikëpamja politike nuk na takon ta bëjmë ne si mision vëzhgues. Ne mund të vlerësojmë cilësinë e procesit elektoral dhe meqenëse për ne cilësia ishte mjaft e mirë, kjo mund të mbështesë tezën që zgjedhjet nuk kanë qenë të nxituara. Fakt është që pati edhe probleme. Unë mund të kem opinionet e mia politike si europarlamentar, por si drejtues i misionit të vrojtimit detyra ime nuk është të vlerësoj politikisht marrëveshjen. Mund të them megjithatë se ishte kjo marrëveshje që mundësoi mbajtjen e zgjedhjeve. Dhe meqenëse zgjedhjet u zhvilluan në kushte administrative të përshtatshme, ligjet ekzistonin dhe funksionuan dhe u kapërcyen të gjitha problemet e lindura, dhe përsëritja e zgjedhjeve është e kufizuar në tri qendra, pra shumë e kufizuar, tregon që nuk pati dështim të zgjedhjeve.