1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gysi dhe hijet e gjata të Stasi-t

Eliana Xhani12 Shkurt 2013

Socialisti më i njohur në Gjermani sërish në fokus të hetimeve për kontaktet me ish shërbimin sekret në RDGJ, Stasi. Deri tani ai është mbrojtur me sukses nga akuzat. Por këtë herë akuza është veçanërisht e rëndë.

https://p.dw.com/p/17cdy
Gregor GysiFotografi: picture-alliance/dpa

"Zoti Gysi - mjaft" është mbishkrimi i apelit të nënshkruar nga 30 deputetë në Bundestagun gjerman dhe ish aktivistë për të drejtat e njeriut në RDGJ. Aty thuhet ndër të tjera se përsa kohë ai do të vazhdojë të shtrembërojë rolin e tij "për aq kohë ne do të demaskojmë shtrembërimet e tij". Fjala është për qendrimin e Gregor Gysit ndaj temës delikate të shërbimit sekret në ish-RDGJ, Stasi. Ndër nënshkruesit e parë të tekstit të hartuar në vitin 1994 bënte pjesë edhe kancelarja e sotme Angela Merkel, asokohe ministre federale për Gratë dhe Rininë, në kabinetin e Helmut Kohli-it.

Hija e shërbimit sekret të RDGJ-së rëndon pra prej një kohe të gjatë mbi Gysi-n sot 65-vjeçar. Në mënyrë të përsëritur ai akuzohet se ka qenë bashkëpunëtor informal i shërbimit sekret të RDGJ-së dhe në funksionin e tij si avokat, ka tradhëtuar klientët e tij. Ndër ta bënin pjesë edhe emra të njohur si kritikët e regjimit Robert Havermann dhe Bärbel Bohley, të cilët kanë ndërruar tashmë jetë. Gysi është mbrojtur vazhdimisht me mjete ligjore ndaj akuzave, deri tani me sukses.

Padi kundër "dosjes Gysi"

Në çështjen aktuale prokuroria e Hamburgut heton për dyshimet e një "deklarate të rremë nën betim", siç quhet në gjuhën juridike gjermane. Shkak për padinë është bërë një gjykatës në pension. Ai dyshon në deklaratat e Gysi-t sipas të cilave ai "në asnjë moment nuk ka raportuar me dije apo me qëllim, për klientët e tij apo për persona të tjerë, pranë Sigurimit të shtetit". Kjo deklaratë e dhënë nën betim i takon një procesi kundër Radios "Norddeutsche Rundfunk" (NDR) të iniciuar nga Gysi në 2011. Radio më pas premtoi se nuk do të akuzonte më politikanin në dokumentacionin e saj "Dosja Gysi", për veprimtari të qëllimshme për shërbimin sekret shtetëror të RDGJ-së.

Akuzat e para kundër kryetarit të grupit parlamentar të partisë "E Majta" qenë ngritur pak pas ribashkimit gjerman në vitin 1990. Në autoritetin e ngritur për trajtimin e dokumenteve të Stasi-t, u gjetën dosje që ngrinin dyshime për një veprimtari të Gysi-t si informator. Shefi i parë i këtij autoriteti ishte presidenti i sotëm gjerman Joachim Gauck. Në një ekspertizë në vitin 1995 ai arriti ndër të tjera në përfundimin se "mes Gysi-t dhe seksionit kryesor XX, ka pasur kontakte për vite me radhë". Ky seksion i Stasi-t kishte drejtimin në "parandalimin, zbulimin dhe luftimin e veprimtarisë politike në ilegalitet".

Joachim Gauck në vitin 1992
Joachim Gauck në vitin 1992Fotografi: picture-alliance/dpa

Tri pseudonime: Gregor, noteri, Sputnik

Ministria për Sigurinë e Shtetit (shkurt: MfS) sipas kësaj ekspertize i pati dhënë Gysi-t emrat e koduar "Gregor", "noteri" dhe "Sputnik". Dokumentet e gjetura çonin në konkluzionin se "Gysi si përfaqësues ligjor i qytetarëve opozitarë, ka ndihmuar në arritjen e synimeve të Ministrisë së Sigurimit të Shtetit dhe i ka përcjellë kësaj ministrie informacione lidhur me klientët". Suksesi i deritanishëm i Gysi-t në hedhjen poshtë të akuzave ka të bëjë në radhë të parë me mungesën e provave. Në ekspertizën e Gauck-ut thuhet ndër të tjera se në bazë të dosjeve "nuk ka pasur një angazhim formal të Dr. Gysi-t si informator".

Pra nuk ka asnjë dokument në të cilin Gysi konfirmon me firmën e tij një veprimtari për Stasi-n. Të paktën deri tani një dokument i tillë nuk është gjetur. Kjo situatë ia lehtëson politikanit të majtë argumentimin se ai është shfrytëzuar nga Stasi pa dijeninë e tij. Shumica e komisionit parlamentar për imunitetin arriti megjithatë në një tjetër përfundim në 1998. Me votat e konservatorëve (CDU/CSU), socialdemokratëve dhe ekologjistëve, komisioni konstatoi si të provuar aktivitetin e Gysi-t për Stasi-n.

Mbështetje nga kundërshtari politik

Partia e Socializmit Demokratik (PDS), pasuese e partisë së shtetit në RDGJ, SED, dhe pararendëse e partisë së sotme "E Majta", votoi natyrisht kundër. Por edhe demokratët e lirë (FDP) nuk e shihnin të dëshmuar aktivitetin e Gysi-t për Stasi-n. Megjithëse edhe liberalët pranuan se kishte të dhëna të rëndësishme që flisnin "për një bashkëpunim" të avokatit Gysi me Stasi-n, ata sipas parimit juridik "në rast dyshimi - pro të paditurit", arritën në konkluzioni se puna konkrete me Stasi-n "nuk ishte më e mundur të rindërtohej".

Rezultati më i mirë elektoral pas debatit për Stasi-n

Në një deklaratë të grupit parlamentar të partisë "E Majta" thuhet: "Rregullisht para zgjedhjeve parlamentare në rang federate zhvillohet një fushatë e tillë kundër Gregor Gysi-t dhe Të Majtës". Një perceptim i saktë pasi në 1994 dhe 1998 u zgjodhën parlamente të reja. Në vitet që pasuan Gysi arriti të mbrohet me sukses ndaj raportimeve të medieve. Fjala ishte shpesh për gazeta të shtëpisë botuese Springer, revistën "Spiegel" dhe emisionet politike të kanalit të parë televiziv gjerman ARD.

Për herë të fundit parlamenti federal, Bundestag, është marrë në vitin 2008 me çështjen Gysi, pra një vit para zgjedhjeve parlamentare. Atëherë deputetët debatuan për përfshirjet e mundshme të politikanit më të njohur të majtë në aktivitetet e Stasi-t. Gysi i akuzoi atëherë kolegët deputetë se prej vitesh përpiqeshin "të dëmtonin atë vetë dhe të godisnin partinë e tij". Në zgjedhjet parlamentare 2009 "E Majta" me Gysi-n në krye arriti të merrte 11,9 për qind të votave. Ky ishte rezultati më i mirë i arritur ndonjëherë nga partia.

Autor: Marcel Fürstenau/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi