1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hë, se Evropa ka për të na ndihmuar!

Serhij Zhandan/Angjelina Verbica4 Maj 2013

A është perëndimi përgjegjës për dështimet demokratike të vendeve të tjera? Ukrainasi Serhij Zhandan zemërohet me pasivitetin e bashkatdhetarëve të tij dhe me tendencën e tyre për ta parë Europën si shpëtimtarin e madh.

https://p.dw.com/p/18SFN
ukrainischer Schriftsteller Serhij Zhandan; er hat uns das Bild zur Verfügung gestellt.
Ukraine Schriftsteller Serhij ZhandanFotografi: privat

Qytetarët e së ashtuquajturës "bota demokratike" nuk mund ta imagjinojnë, se sa shpresa vënë tek ata njerëz nga vende si Ukraina. Ata jetojnë në demokracitë e tyre evropiane dhe nuk kanë idenë se në Lindjen, që duket e largët dhe e pakuptueshme, vëzhgohen me vëmendje. Që njerëzit atje u besojnë, spekullojnë lidhur me to dhe ndjehen edhe të zhgënjyer prej tyre. Për ta kjo ndodh diku në një vend të largët, ku shinat e hekurudhave moderne priten befas dhe gjendja e rrugëve përkeqësohet në mënyrë drastike.

E nga duhet ta dinë këtë banorët e Berlinit, Vjenës, apo Zyrihut, që jetojnë në paqe në zonën e tyre Shengen? Nga duhet ta dinë ata se 40 milionë ukrainas shpresojnë për një të ardhme më të mirë, edhe me fondet e taksapaguesve të Evropës së Bashkuar.

Evropa na duket parajsa në tokë

Fjala Evropa ka kohë që ka marrë një kuptim proverbial në gjuhën ukrainase. Ukrainasit emertojnë me këtë fjalë shumë cilësi. Ajo funksionon në të njëjtën kohë si metaforë dhe si një markë. Evropa do të thotë makina të klasit të parë (edhe po të jenë prodhuar ndërkohë në Kinë). Evropa do të thotë ushqime të shëndetshme (edhe në qoftë se janë prodhuar farë pranë kufirit polako-ukrainas). Evropa do të thotë paga të larta dhe një shtet ligjor funksionues, tolerancë dhe multikulturalizëm, liri, liberalizëm dhe luftë kundër regjimit të vjetër komunist.

Një pjesë e konsiderueshme e bashkëqytetarëve të mi është sinqerisht e bindur, se përtej kufirit me Hungarinë ajri ka një përbërje tjetër dhe problemet zgjidhen në mënyrë shumë të thjeshtë, shumica duke mos u krijuar fare. Për ukraninasit me prirje liberale Evropa është "vendi i premtuar". Ata e shohin veten si anëtarë të një familjeje të madhe të popujve vëllezër, me të cilët duan të ndajnë bindjet dhe synimet e tyre dhe nga të cilët priten me padurim të madh. Për një pjesë tjetër të ukrainasve, që kanë mall për kohët e vjetra sovjetike, Evropa vazhdon të jetë thelbi i së keqes dhe i kalbjes së civilizimit.

Gjithsesi Europa në Ukrainë është shumë më e pranishme nga sa e imagjinon ajo, edhe në politikë. Të gjithë politikanët flasin për Evropën, edhe pse në mënyra të ndryshme. Ata, që janë në pushtet, frikësohen. Dhe atyre nuk u vjen aspak turp ta tregojnë këtë. Ata e dinë. Ata të gjithë varen nga Europa, sepse nga vjen vazhdimisht shumica e kredive të reja? Opozita i ka varur shumë shpresat te Evropa. Sepse brenda Ukrainës me sa duket nuk kanë askënd tjetër, tek i cili mund të mbështeten. Me Evropën mund të argumentosh, me Evropën mund të instrumentalizosh. Nga Europa mund të presësh sanksione të ashpra, por të drejta

Politikanët tanë e trajtojnë Europën si "tortë ditëlindjeje"

Evropianë ne jemi në rradhë të parë atëherë, kur ceken interesat tona, që nga përfaqësuesit e regjimit aktual, antipopullor, deri tek politikanët e partive radikale. Aleatët e pushtetit depozitojnë pasuritë e tyre në bankat evropiane. Komunistë të vjetër mbështesin zellshëm udheheqjen e shtetit në zbatimin e reformave, që kërkon Evropa. Demokratë të rinj idealistë preferojnë të mbërthejnë skitë e tyre në shpatet e bukura të Alpeve. Madje edhe nacionalistët këmbëngulës i hapen me kujdes sferës së ndikimit perëndimor.

Politikanët ukrainas flasin për Evropën si fëmijët për një tortë ditëlindjeje, që pret ndërkohë në kuzhinë. Problemi me të është në fakt vetëm, nëse duhet ngrënë e tëra menjëherë, apo më mirë të ruhet për nesër. Ne jetojmë me iluzione dhe shpresa të rreme për vëmendjen e të huajve dhe mbrojtjen nga të huajt. Ne bazohemi në deklaratat e udhëheqësve të huaj me shpresën, që prapa interesave banale ekonomike të shikojmë rrezet e ndritshme të demokracisë së globalizuar.

Nevoja për një shpëtimtar demokratik

Nga vjen kjo? Ndoshta nga pasiguria dhe dobësia. Nga apatia, frika dhe mungesa e një ideali të të qënit një bashkësi, në të cilën ekziston mbështetja reciproke. Një shoqëri, që nuk i beson kryeministrit të vet, është e detyruar t'i besojë një tjetri. Shumëkush nuk do t'i besonte kryeministrit as që t'ia ruante pak vendin në rradhë, nga frika se në atë kohë ai do t'ia shiste atë dikujt tjetër.

Mosbesimi i ndërsjellë dhe mungesa e perspektivave realiste për ndryshim janë shkaku i të gjitha këtyre përpjekjeve të dëshpëruara, për të fituar mbështetjen e të fuqishmëve e kësaj bote. Paaftësia për të zgjidhur vetë problemet e tua, forcon nevojën për një mbrojtës të fortë dhe të drejtë. Një shpëtimtar të shtyrë nga parimet demokratike, i cili lufton të gjitha padrejtësitë, që na ndodhin.

Shpresat në vendet me demokraci të zhvilluar janë aq intensive dhe njëkohësisht aq të paefektshme, sa kritikat janë të pashmangshme. Por çfarë pretendimesh mund të ngresh ndaj Evropës? A mund ta fajësosh për shembull Evropën, se bashkëpunon me pushtetin tonë kriminal, që ne e kemi zgjedhur vetë? Apo të fajësojmë Evropën për mungesën e përpjekjeve për të luftuar korrupsionin tonë, të cilin ne e kultivojnë ndërkohë të gjithë së bashku në mënyrë aq aktive? Apo të kritikojmë se mungojnë hapat e Evropës në kapërcimin e hendeqeve tona të brendshme gjuhësore, fetare dhe ideologjike?

Ne duhet të marrin vetë përgjegjësinë!

E thënë shkurt: Europa duket sikur është shumë në borxh ndaj nesh. Europa është fajtore, pse nuk i ka zgjidhur për ne konfliktet tona, që nuk mban anën tonë dhe nuk ngrin xhirollogaritë, nuk vendos sanksione dhe në fund të fundit nuk na jep ne të gjithëve viza të përhershme Shengen, me qëllim që të mund të largohemi përgjithmonë nga vendlindja jonë me të gjitha problemet dhe kundërshtitë e saj.

Problemi kryesor i shoqërisë së sotme ukrainase më duket se qëndron në paaftësinë dhe mungesën e vullnetit të saj për të marrë e pavarur përgjegjësinë për veprimet e veta. Ne kemi prirjen që shpejt e pa turp t'ua vëmë të tjerëve fajin për gabimet dhe budallallëqet tona. Kryesorja që ne të mos japim llogari për to. Ne priremi, që të biem në histeri dhe dëshpërim. Dhe megjithatë ne jemi gjithmonë të gatshëm që të harrojmë të gjitha fyerjet dhe të gjitha gënjeshtrat e politikanëve tanë dhe përsëri t'u besojmë atyre (për të njëqindtën herë).

Në qoftë se i vështrojmë me maturi të gjitha problemet tona politike. Te kush duhet të mbështetemi, nëse jo tek Europa? Edhe pse Europa vetë nuk di asgjë për rolin e saj si shpresa jonë.

Serhij Zhadan (39) është një shkrimtar i suksesshëm ukrainas. Poezitë dhe romanet e tij shpesh trajtojnë zhvillimin shoqëror të Ukrainës pas rënies së komunizmit. Në vitin 2006 Zhadan u nderua me çmimin Hubert Burda për poetët e rinj lirikë. Gjatë revolucionit të portokallinjtë ai doli si aktivist në rrugë. Në gjermanisht është botuar së fundi romani i tij "Shpikja e xhazit në Donbas":