Gjermania

Hajo Funke: "Ftohja ndaj demokracisë është shumë e madhe"

Partitë e mëdha humbën në mënyrë masive në zgjedhjet parlamentare vota. Partia populiste e djathtë, AfD u bë forca e tretë politike. Të dyja janë në lidhje të ngushtë me njëra-tjetrën, thotë politologu Hajo Funke.

Një mbështetëse e AfD sheh nga ballkoni protestat kundër AfD

Një mbështetëse e AfD sheh nga ballkoni protestat kundër AfD

Deutsche Welle: Kush është në sytë tuaj fitimtari i zgjedhjeve?

Hajo Funke: Pakënaqësia. Dhe zemërimi i justifikuar. Këto janë megjithatë dy gjëra të ndryshme.

Të katra partitë e vogla donin të bëheshin forcë e tretë politike në Bundestag - pra liberalët, të Gjelbrit, e Majta dhe AfD. Vetëm AfD e arriti këtë. Çfarë bëri ajo si duhet në sytë tuaj?

 Përsa i përket politikës së demokracisë AfD i bëri të gjitha gabim. Ajo është thjesht një parti radikale e djathtë, e cila e shfrytëzoi dhe keqpërdoroi për vete debatin për refugjatët dhe paqetësinë sociale para së gjithash në zonat pa qendra politike e ekonomike, dhe kjo vlen jo vetëm për Lindjen e Gjermanisë.

Kjo do të thotë atëherë se partitë e tjera, tradicionale, lanë një vend bosh?

E saktë. Unë udhëtoj rregullisht nëpër landet e reja (të Lindjes) të Gjermanisë dhe punoj atje në arsim. Dhe vërej që bëhen reforma administrative të qarqeve, që do të thotë që në atë hapësirë njerëzit lihen vetëm. Kjo është e përbindshme dhe habitem që për këtë nuk ka indinjatë edhe më të madhe.

"Ftohja ndaj demokracisë është shumë e madhe"

Po të duash të mësosh diçka nga kjo natë zgjedhjesh, kjo vidë duhet rrotulluar krejt ndryshe nga deri tani. Kjo vlen për të gjitha partitë demokratike. Pra zhgënjimi social duhet ndarë nga ngarkesa me radikalizëm të djathtë racist. Kjo është një nga sfidat e mëdha.

Një sondazh i së dielës në darkë tregon se te zgjedhësit e AfD zhgënjimi është shumë më i madh se sa bindja radikale e djathtë ose ajo me drejtim të djathtë. Ftohja me demokracinë si rend bazë është shumë, shumë e madhe. Ky është një problem i madh pikërisht te 20 përqind e atyre njerëzve, që zgjodhën këtë herë AfD në Gjermaninë Lindore.

Kemi rezultatin më të keq në histori të SPD, rezultatin e dytë më të keq në histori të CDU. Çfarë bënë gabim partitë e mëdha?

Hajo Funke, politolog i njohur

Hajo Funke, politolog i njohur

Ato ua vunë shumë pak veshin qytetarëve dhe po kaq pak dhanë përgjigje. Dhe pastaj njerëzit u larguan, as nuk donin të merrnin më përgjigje. Ata gjetën strehim në pakënaqësi dhe antipati dhe në sjellje që kërkonin fajtorin. Kjo natyrisht që nuk vlen për të gjithë, po për pjesë kaq të gjera të shoqërisë, sa kjo duhet të lidhet me politikën dhe duhet thënë: ka qenë e nevojshme të bëhej më shumë dhe më ndryshe.

"Partitë e mëdha duhet t'i ndajnë hallet nga sjellja agresive"

Problemet u përmendën: gjendja e rëndë te përkujdesja shëndetësore, varfëria sociale. 67 përqind e zgjedhësve thonë se hendeku midis të pasurve dhe të varfërve mbetet. Kjo është një temë! Kur kësaj i shtohet një politikë komunale e kritikueshme dhe kur njerëzit kanë ndjesinë se edhe me politikanët lokalë nuk ka perspektivë dhe kompromis, atëherë krijohet kjo vorbulla thithëse e ftohjes dhe e tjetërsimit dhe e agresionit. Dhe për këta njerëz në dispozicion është një ofertë radikale e djathtë.

Pjesëmarrja në votime u rrit nga 71,5 në mbi 75 përqind. A nuk është kjo një fitore për demokracinë? 

Kjo është një fitore e Pirros për demokracinë. Përfytyrojeni që AfD të kishte bërë që pjesëmarrja në votime të kish qenë edhe më e madhe dhe të qe bërë parti që të formonte qeverinë. Unë natyrisht që ngula këmbë që njerëzit të shkojnë të votojnë. Por unë kam qenë gjithashtu vendosmërisht që AfD të mos zgjidhet si parti radikale e djathtë që është.

Hajo Funke është politolog. Në pikërëndesat e studimeve të tij janë partitë dhe ekstremizmi. Deri në daljen në pension ai ka qenë profesor në Freie Universität Berlin.

Albanian Shqip

Amharic አማርኛ

Arabic العربية

Bengali বাংলা

Bosnian B/H/S

Bulgarian Български

Chinese (Simplified) 简

Chinese (Traditional) 繁

Croatian Hrvatski

Dari دری

English English

French Français

German Deutsch

Greek Ελληνικά

Hausa Hausa

Hindi हिन्दी

Indonesian Bahasa Indonesia

Kiswahili Kiswahili

Macedonian Македонски

Pashto پښتو

Persian فارسی

Polish Polski

Portuguese Português para África

Portuguese Português do Brasil

Romanian Română

Russian Русский

Serbian Српски/Srpski

Spanish Español

Turkish Türkçe

Ukrainian Українська

Urdu اردو