1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Handelsblatt": Gjermania duhet të investojë më shumë në arsim!

DW9 Shtator 2008

Krahasuar në plan ndërkombëtar Gjermania formon më pak akademikë se vendet e tjera. Në këtë përfundim arrin studimi me titull "Arsimi në një vështrim - 2008" i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Europë (OECD).

https://p.dw.com/p/FF3u
Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim

Gazeta "Handelsblatt" e cilëson dramatik rezultatin e studimit të OECD-së, bërë publik të martën (9.9.) në Berlin. Citojmë: "Mesazhi i OECD-së është dramatik. Gjermania e shpallur nga kancelarja Merkel si republika e arsimit e meriton më pak se kurrë më parë këtë emër. Megjithë disa përparime të vogla, në plan ndërkombëtar Gjermania po mbetet gjithnjë e më prapa. Vendet konkurrente me Gjermaninë investojnë një pjesë shumë më të madhe të pasurisë së tyre në arsim. Rezultati fatal është: në përgatitjen e akademikëve ne jemi thuajse të fundit. Kështu kërcënohet vetë thelbi i vendit ekonomik "Gjermani". Aq më të mëdha janë për këtë pritjet nga samiti për arsimin që mbahet në muajin tetor nga federata dhe landet. Por që tani duket se në vend të kthesës së shumëpritur kërcënon një polemikë sterile. Ndërkohë që kancelarja zhvillon një tur vizitash në kopshte, shkolla dhe universitete, landet shtojnë kërkesat e tyre. Zonja Merkel duhet të zbrasë qesen pasi në fund të fundit ishte ajo që ftoi në samitin për arsimin dhe që e shpalli arsimin detyrë kombëtare."


Mbi të njëjtën temë citojmë nga "Aachener Zeitung": "Pakënaqësia e shumë punëdhënësve për përgatitjen e mangët në shkollë të shumë aplikantëve është e kuptueshme. Klasa shumë të mëdha, angazhim i mësuesve me kualifikim mesatar, mbështetje jo e mirë e nxënësve të dobët - kushtet e mësimit në Gjermani nuk mund t'i quash optimale. Një vend i varfër me lëndë të para si Gjermania e ardhmja e së cilës varet në rradhë të parë nga akademikët shumë të kualifikuar nuk mund t'i lejojë vetes t'i lërë dhe më tej djerrë kantiere të tilla reformash. Më vlerë është të hidhet një vështrim në Finlandë: atje nxënësit e një klase ndahen në grupe të vogla në bazë të prirjeve dhe grupeve u ofrohet mësim në përshtatje me nevojat. Edhe kështu mund të përmirësohet niveli i përgjithshëm i arsimit."