1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hap dyert Panairi i 65-të i librit në Frankfurt

dpa/Mimoza Kelmendi9 Tetor 2013

Rreth 7300 stenda nga 100 vendet e botës do të prezantohen në Panairin më të madh në botë për librin në Frankfurt. Ai do të jetë i hapur deri të dielën (13.10) ku priten rreth 280 000 vizitorë.

https://p.dw.com/p/19wWt
Fotografi: Reuters

I gjithë sektori i librit ndërkombëtar në këtë kohë është i përqëndruar në Frankfurt mbi Main, në shfaqjen më të madhe të librit në botë. Panairi i 65-të i librit në Frankfurt mbahet edhe si një pikëtakim i autorëve, botuesve dhe simpatizantëve të letërsisë. Rreth 7300 stenda nga 100 vende do të prezantojnë në ditët në vijim librat e tyre më të rinj. Rreth 1500 autorë sipas të dhënave të organizatorëve do të vijnë në panair. Për publikun e gjerë, panairi është i hapur në fundjavë. Deri të dielën më 13.10. priten rreth 280.000 vizitorë. Mysafiri tradicional i nderit për këtë vit është Brazili, që e ka pasur këtë privilegj edhe në vitin 1994. Me këtë rast të martën në mbrëmje ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle dhe zevëndës presidenti brazilian Michel Temer hapën zyrtarisht panairin e librit.

Brazili njihet nga kërcimi samba, bregdeti dhe karnevalet. Nën moton “Zërat e plotë të vendit ” Brazili dëshiron në këtë panair të prezantohet edhe me shumëllojshmërinë e tij të plotë letrare. Megjithatë në mesin e 70 autorëve të ftuar zyrtarisht shumë pak janë me prejardhje afrikano-braziliane ose vendase (indigene). Kjo mbetet shqetësuese. Sipas shkrimtarit brazilian Luiz Ruffato "75% e pasurisë së vendit tim janë në duart e 10 % të popullsisë së bardhë dhe vetëm 46.000 brazilianë kanë gjysmën e sipërfaqes së gjithë vendit". Me një popullsi prej 190 milionë banorë Brazili i takon të jetë edhe tregtari më i madh në botë përsa i përket librit. Por jo vetëm kaq. “Ky panair është një shans i madh të tregojmë më shumë për Brazilin. Natyrisht samba dhe futbolli luajnë një rol të rëndësishëm në kulturën time, por në Brazil ka shumë për të zbuluar", thotë shkrimtarja braziliane, Patrícia Melo. Në këtë panairi nuk mungojnë edhe librat shqip nga Shqipëria dhe Kosova.