1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hap pozitiv i Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian

19 Tetor 2009

Demarkacioni i vijës kufitare midis Maqedonisë dhe Kosovës si dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve shënon hap pozitiv për Maqedoninë drejt integrimit në BE.

https://p.dw.com/p/KANN
Hapa pozitivë për Maqedoninë drejt integrimit në BE.
Hapa pozitivë për Maqedoninë drejt integrimit në BE.Fotografi: Petr Stojanovski

“Akti i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Maqedonisë dhe Kosovës është përgjigja më e mirë për oponentët tanë, për t`i treguar si bëhet politikë shtetërore e përgjegjshme, konstruktive dhe me përkushtim. Ranë në ujë të gjitha akuzat dhe shpifjet e oponentëve tanë politik dhe u dëshmua në praktikë kapaciteti politik, fuqia në vendimmarje dhe vendosshmëria për të çuar përpara proceset që janë me rendësi për vendin,” vlerëson Ermira Mehmeti-Devaja nga BDI.

Mesazhi më kryesor pas marrjes së rekomandimit të Komisionit Evropian për fillimin e bisedimeve për antarësim të Maqedonisë në Bashkimin Evropian s'do mend se ka të bëjë me apelin e Brukselit drejtuar Shkupit për domosdoshmërin e zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqin. Ambasadori i BE-s në Maqedoni Ervan Fuere ka theksuar faktin se edhe pse Maqedonia ka marrë rekomandim nga KE, vendimi për fillimin e bisedimeve duhet të merret me konsensus nga Këshilli ministror. Zgjidhja e çështjes së emrit para mbajtjes së mbledhjes se Këshillit ministror do të ishte frytdhënëse për Maqedoninë, nëse ajo dëshiron të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarsim në BE, vlerëson Fuere.

Shkupi
Pa zgjidhjen e çështjes së emrit, Maqedonisë i kanoset vetoja e dytë nga shteti grek.Fotografi: AP

Analisti politik Sllobodan Çashule vlerëson se vetë fakti që Fuere ka precizuar afat kohor për zgjidhjen e çështjes së emrit, zgjidhja tashmë është përgatitur vetëm se pritet moment adekuat për ta shpalosur. “Jam i bindur se zgjidhja e emrit është gati. Qarqet e mirëinformuara diplomatike na bëjnë të ditur se referenca Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë do të zëvendësohet me emrin Republika Veriore e Maqedonisë,” thotë Çashule.

Autoritetet më të larta të shtetit kanë theksuar disa herë gatishmërinë për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja vendet, por deri më tani bisedimet që po zhvillohen nën patronazhin e OKB-s nuk kanë dhënë rezultate konkrete. Pa zgjidhjen e çështjes së emrit, Maqedonisë i kanoset vetoja e dytë nga shteti grek, pas asaj të Bukureshtit kur Maqedonia nuk mori ftesë për antarësim në NATO.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Denko Malevski, është skeptik se çështja e emrit do të mund të zgjidhet gjatë dy muajve të ardhshëm. Sipas tij, retorika e politikanëve maqedonas është e njejtë sikurse para samitit të NATO-s në Bukuresht. Zgjidhja e problemit i lihet sërish ndërkombëtarëve. ‘Kjo retorikë do të vazhdojë deri në dhjetor, dhe më pas do të presim të shohim se çka do të ndërmarrë Greqia, a do të lëshoj pe para trysnive ndërkombëtare apo do të përdorë veton. Unë vlerësoj se do të ndodhë kjo e fundit,” thotë Denko Malevski.

Flamuri i Kosovës dhe ai i Maqedonisë
Midis Kosovës dhe Maqedonisë vendosen marrëdhëniet diplomatike.

Opozita maqedonase është shprehur e gatshme për arritjen e një konsensusi të brendshëm politik për zgjidhjen e çështjes së emrit, mirëpo sipas tyre mungon oferta nga pushtetarët. “Askush nuk ka biseduar me ne, nuk jemi informuar se në çfarë drejtimi janë duke u zhvilluar negociatat për emrin. Vendimi për këtë qëndron në duart e kryeministrit Gruevski dhe partisë së tijë VMRO-DPMNE. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë për pozicionet e shtetit lidhur me çështjen e emrit,“ thotë deputeti i opozitës Andrej Petrov.

Autor : Fatos Musliu

Redaktoi : Aida Cama