1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hapa konkrete në drejtim të rivendosjes së besimit dhe thellimit të bashkëpunimit për sigurinë evropiane

29 Qershor 2009

56 MPJ të vendeve anëtare të OSBE-së shprehen në takimin e Korfuzit mbështetjen e tyre për OSBE-në si i vetmi mekanizëm i përbashkët i sigurisë në Evropë dhe adoptuan të ashtuquajturën “Procedurë të Korfuzit”.

https://p.dw.com/p/Id82
MPJ greke Dora Bacojianis, dhe KM grek Kostas Karamanlis, me sekretarin e pergjithshem te NATO-s Jaap de Hoop Scheffer
Bakojani: "Korfuzi tregon se fryn një erë që na bën ta bëjmë më esencial dialogun e nevojshëm për çështjen e sigurisë."Fotografi: AP

Iniciativa e Athinës, kryesueses së radhës e OSBE-së për mbajtjen e takimit të parë jo formal të ministrave të jashtëm të këtij organizmi këtë të diel në Korfuz, që ministri i jashtëm gjerman Shtajnmajer e cilësoi “të guximshme”, pasi u mbajt njëmbëdhjetë muaj pas luftës në Gjeorgji, u kurorëzua me sukses. E ashtuquajtura “Procedurë e Korfuzit” që u adoptua nga 56 ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të një hapësire nga Vankuveri deri në Vladivostok, përmban hapa konkrete në drejtim të rivendosjes së besimit dhe thellimit të bashkëpunimit për sigurinë evropiane, që do të konkretizohen me institucionalizimin e një kuadri më të favorshëm sesionin tjetër të OSBE-së, që do të mbahet në dhjetor në përfundim të presidencës greke. “Korfuzi tregon se fryn një erë që na bën ta bëjmë më esencial dialogun e nevojshëm për çështjen e sigurisë, që do të mbetet prioriteti bazë i presidencës greke” deklaroi shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojani, në konferencën për shtyp duke theksuar se “është koha të mendojmë se mbetet akoma shumë punë për të bërë”.

Kriza globale përkeqëson kushtet e sigurisë dhe kërkon bashkëpunim më të thellë

Karakteristik për frymën e diskutimit në sesionin e Korfuzit të problemeve të sigurisë evropiane gjatë shekullit të 21-të si një sfidë e hapur ishte krahasimi i përdorur nga kryeministri grek Kostas Karamanlis në fjalën e tij përshendetëse. “Ndodhemi në Korfuzin e Odisesë, por na duhen disa milje akoma për të mbërritur në Itakë”, tha Karamanlis i cili sfidat e mëdha me të cilat përballet Evropa 20 vjet pas shembjes së murit të Berlinit i cilësoi si “dëshmi të punës së madhe që mbetet ende për të bërë” dhe periudhën që po jetojmë “të komplikuar” pasi kriza globale “përkeqëson kushtet e sigurisë dhe kërkon bashkëpunim më të thellë”.

35 vjet pas Helsinkit siguria evropiane mbetet objektiv dhe jo realitet i plotë në të gjitha parametrat e saj, atë ushtarak, politik, ekonomik dhe social, ishte mendimi që ndanë ministrat e jashtëm të cilët evidentuan si pesë problemet apo sfidat kryesore të sigurisë, Gjeorgjinë dhe konfliktet e vazhdueshme në Kaukaz, marrëveshjen pezull për armët konvencionale, energjinë dhe ndryshimet e klimës. Interes i veçantë u tregua për emigracionin klandestin, me të ciliin përballen më tepër vende të tilla si Greqia dhe Italia.

Asnjë ndryshim në mekanizmat ekzistues të sigurisë evropiane

Ndërkohë megjithë propozimin e hershëm rus për “një arkitekturë të re evropiane” të pranishmit, siç u theksua në konferencën për shtyp, shprehen dëshirën për forcimin e OSBE-së por “asnjë nuk propozoi ndryshim të mekanizmave ekzistues të sigurisë evropiane”. Përsa u përket problemeve të rajonit të Ballkanit duhet thënë se “dielli” i Korfuzit nuk shkriu sa pritej akujt midis Athinës dhe Shkupit, pasi Bakojani nuk pati kohë të takohet, sikurse tha, me homologun e saj Miloshoski, por megjithatë do të vizitojë vendin fqinjë me cilësinë e kryesueses së radhës të OSBE-së.

Autor: Niko Anagnosti
Redaktoi: Pandeli Pani