1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hapat e fundit për krijimin e qeverisë në Kosovë

15 Shkurt 2011

Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë thotë se është duke përcjellë me vëmëndje zhvillimet e fundit politike në vend por se nuk do të përfshihet me ndonjë perferencë në krijimin e koalicioneve qeveritare.

https://p.dw.com/p/10HRf
Hashim Thaçi i ngarkuar me krijimin e qeverisëFotografi: dpa

Zyrtarë të PDK-së, po zhvillojnë bisedat e fundit për ndarjen e posteve ministrore me AKR-në, e cila tashmë do të jetë pjesë e koalicionit për formimin e qeverisë së bashku me pakicat kombëtare, të përfaqësuara në kuvendin e Kosovës. PDK-ja u pajtua që postin e presidentit t'ia japë liderit të AKR-së, biznesmenit Behxhet Pacolli. Megjithatë marrëveshje zyrtare të nënshkruar me AKR akoma nuk ka, por kjo pritet të ndodhë shumë shpejt, thonë përfaqësues të PDK-së.

Zyra Civile Ndërkombëtare e udhëhequr nga Peter Faith, është duke i përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit politike në Kosovë, por kjo zyrë nuk do të përfshihet me ndonjë preferencë të saj në krijimin e koalicioneve qeveritare. “Të gjitha këto zhvillime u përkasin partive politike kosovare. Janë ato që vendosin për procedurat e përcaktuara me ligj për të formuar institucionet. Zyra Civile Ndërkombëtare tashmë e ka bërë të qartë, që nuk do të involvohet në procesin e formimit të qeverisë së Kosovës”, thotë zëdhënësi, Andy Mc Gaffy.

Ymer Mushkolaj
Ymer Mushkolaj, analistFotografi: DW/Shehu

E vetmja zgjidhje

Analistët politikë thonë se PDK nuk kishte zgjidhje tjetër, përveç ofrimit të koalicionit AKR-ës, dhe dhënies së liderit të saj partie Behxhet Pacollit postin e presidentit. Analisti Ymer Mushkolaj, thotë për programin tonë se zoti Pacolli, e kushtëzoi PDK, me marrjen e postit të presidentit për faktin që dy partitë tjera shqiptare, LDK dhe AAK, nuk pranuan të hyjnë në koalicion me PDK-së të Hashim Thaçit.

“Ne pamë një lloj presioni brenda PDK-së, e cila tri ditë më parë nominoi zotin Jakup Krasniqi si kandidat për president, por më në fund duket se u gjet një zgjidhje, apo të paktën ashtu po thuhet se u gjet një zgjidhje që posti i presidenit t'i takojë partnerit të koalicionit, Behxhet Pacollit po ashtu si dhe një numër modest i ministrive. Megjithatë nuk është e sigurt nëse kandidatura e Zotit Pacolli do të kalojë në kuvendin e Kosovës,” thotë Ymer Mushkolaj.

Kosovo Unabhängigkeit Hashim Thaci im Parlament in Pristina
Parlamenti i KosovësFotografi: AP

Analisti Ymer Mushkolaj, thotë se koalicioni qeveritar ndërmjet PDK-së AKR-së dhe pakicave sidomos atyre serbe, nuk është shumë i qëndrueshëm sidomos kur pritet që qeveria e re e Kosovës, të fillojë bisedat e paralajmëruara me Serbinë. “Sa i përket bisedimeve me Serbinë unë vërtet nuk e kam të qartë se si do të mund tu hyjnë në bisedime me këtë koalicion të brishtë me numra modestë dhe ku dy partitë tjera shqiptare që janë shumë të rëndësishme, siç janë LDK dhe AAK, tash për tash nuk do të marrin pjesë në këto biseda”, thotë Ymer Mushkolaj.

Parlamenti vendos

Seanca kontituive e parlamentit të ri të Kosovës edhe pse ishte vendosur që të mbahet me datën 24 shkurt, do të mbahet më datën 21 shkurt, të hënën e javës së ardhshme. Kështu vendosi sot në një takim kryesia e kuvendit të Kosovës. Sipas rregullores së kuvendit, brenda 15 ditësh pas konstituimit të parlamentit mund të formohet edhe qeveria. Për zgjedhjen e presidentit kërkohen 81 vota të parlamentit, mirëpo nëse në dy runde nuk arrihet ky numër, atëherë në rundin e tretë kërkohen vetëm 61 vota. Edhe pse akoma nuk ka një marrëveshje zyrtare të koalicionit, megjithatë duket se PDK do të arrijë numrin prej mbi 61 votash në kuvend dhe në këtë mënyrë do të mund të formojë qeverinë dhe të zgjedhë presidentin e Kosovës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama