1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hapet në Hagë procesi kundër ish gjeneralit kroat Ante Gotovina

Ludger Kazmierczak11 Mars 2008

Gotovina ka qenë një nga tre dyshuarit më të kërkuar për krime lufte në Hagë. Aktpadia e bën ish gjeneralin përgjegjës për dëbimin e më shumë se 200.000 serbëve nga Krajina.

https://p.dw.com/p/DMdf
Gjeneral kroat Ante Gotovina në Gjyqin e Hagësm 12 dhjetor 2005
Gjeneral kroat Ante Gotovina në Gjyqin e Hagësm 12 dhjetor 2005Fotografi: picture-alliance/ dpa

Nëse do të ishte ende gjallë ish presidenti i Kroacisë Franjo Tuxhman, sot ai do të gjendej me siguri në bankën e të akuzuarve të Gjykatës për Krime Lufte në Hagë. Ka qenë ai që pati dhënë urdhrin për ripushtimin e rajonit të Krajinës të kontrolluar nga serbët, u shpreh prokurori Alan Tieger: "Të nderuar zotërinj të trupit gjykues, këtu nuk vihet në pikëpyetje e drejta e Kroacisë për riintegrimin e Krajinës. Por gjatë operacionit për çlirim "Stuhia" fjala ishte për dëbimin afatgjatë të popullsisë serbe nga ky rajon."

Gusht 1995 Operacioni "Stuhia"

Ante Gotovina, një legjionar në ushtrinë frnaceze dhe ish i dënuar për vjedhje bizhuterish, ishte komandanti i kësaj ofensive ushtarake, ndërsa dy gjeneralët e paditur Mlladen Markac dhe Ivan Cermak, ekzekutuesit e urdhërave të tij. Me sulmin kundër qytetit Knin, u shpreh prokurori drejtues Tieger, filloi në gusht të vitit 1995 operacioni "Stuhia" .


"Gjeneral Gotovina nuk ishte aspak i interesuar në objektivat ushtarakë. Ai bëri atë për të cilën ishte rënë dakord me Tuxhmanin: demoralizoi civilët serbë dhe i shtrëngoi ata të largoheshin nga vendi."


Sipas tekstit të padisë rreth 200.000 serbë të Krajinës janë bërë viktimë të këtij pastrimi etnik. Ata patën lëshuar shtëpitë e tyre të përfshirë nga frika dhe paniku. "Të paktët që qëndruan, në pjesën më të madhe pleq dhe të sëmurë, përjetuan një ankth. Fshatrat e tyre u shkatërruan, shtëpitë u plaçkitën, ata vetë u arrestuan, u rrahën dhe shumë prej tyre u vranë."

Qëllimi i operacionit dekurajimi i civilëve

37 viktima përmenden me emër në aktpadi. Ndër ta edhe 90-vjeçarja Marija Grubor, e djegur e gjallë në 25 gusht 1995 dhe fqinji i saj Milos, 80 vjeç i pushkatuar në të njëjtën ditë. Si komandant suprem i një trupe prej rreth 30.000 vetësh, Ante Gotovina ka qenë përgjegjës për këto akte të tmerrshme, tha Tieger në deklaratën e tij në hapje të seancës. Ai citoi nga protokollet e bisedave të cilat vërtetojnë se Gotovina e mbështeste plotësisht kursin e Tuxhmanit dhe se ishte gati të vepronte në mënyrë brutale kundër popullsisë jo kroate.

Dorëzimi i Gotovinës hapi rrugën e Kroacisë për BE

I padituri kryesor në proces, 52-vjeçari Gotovina, u arrestua në dhjetor të vitit 2005 në Tenerifa. Krahas Radovan Karaxhiçit dhe Ratko Mlladiçit ai konsiderohej atëherë si një nga të dyshuarit më të kërkuar për krime lufte në listën e Gjykatës së Hagës. Dorëzimi i tij hapi rrugën për negociatat e anëtarësimit në BE mes Zagrebit dhe Brukselit. Gotovia ka theksuar vazhdimisht se është i pafajshëm. Mbrojtësi i tij do të ketë mundësi ditët që vijnë të reagojë nga padisë. Vendimi i Gjykatës nuk pritet përpara vitit 2009.