1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hapja e dosjeve sekrete në Serbi

29 Shtator 2010

Qeveria dhe shumica e partive në Serbi shpresojnë se deri në fund të vitit do të miratohet ligji për hapjen e dosjeve sekrete. Megjithatë, ende ka rezistencë, nga frika se dosjet mund të rrezikonin shumë politikanë.

https://p.dw.com/p/PP7g
Dosjet sekrete janë problem për shumë vende.Fotografi: AP

Projektligjin e ka propozuar Levizja për Ripërtëritjen Serbe (SPO) së bashku me një grup organizatash joqeveritare, që në vitet 2004 dhe 2005. Propozimi ka mbërritur edhe në Kuvendin e Serbisë, por delegatët nuk janë deklaruar për këtë asnjëherë, për shkak se ka munguar vullneti politik.

Situata tani është pak më ndryshe. Shumica e partive politike e perkahin miratimin e këtij ligji. Partia SPO pret që deri në fund të vitit të arrihet marrëveshje dhe të miratohet ligji. Por ka edhe parti të cilat e kundërshtojnë atë.

Vuk Draskovic
Partia e Vuk Drashkoviqit (SPO) kërkon hapjen e dosjeve...Fotografi: AP

„Serbia e Re“ (NS) mendon se ky është vetëm një „shou“ për popullin pa asnjë efekt. Ndërsa Partia Radikale Serbe (SRS) paralajmëron se kjo mund të shfrytëzohet për llogari të brendshme politike. Hapjen e të gjitha dosjeve e kundërshton edhe Partia Demokratike e Serbisë (DSS), me shpjegimin se nuk e kupton se ç´rëndësi ka hapja e të gjitha dosjeve që nga viti 1945 deri më tani. Kjo parti përkrahë qasjen personale në dosje, siç ka qenë edhe deri tani.

Politikanët e historisë së zymtë

Dosjet e fshehta janë pjesë e historisë ku ka pasur disa akterë të rëndësishëm, thotë për Deutsche Wellen Vladimir Vodineliq, drejtor i Qendrës për Studime të Avancuara Ligjore. Akterët e tanishëm në skenën politike kanë qenë edhe para ndryshimeve të vitit 2000. Kjo është arsyeja përse edhe sot kundërshtojnë hapjen e dosjeve.

"Në hapësirat tona politike ka plot persona të cilët kanë pjesën e tyre në ndërtimin e të kaluarës sonë të zymtë politike. Prandaj nuk është e çuditshme që të gjithë ata që kanë ndërtuar këtë të kaluar tonë të zymtë, kanë frikë nga hapja e dosjeve. Pa ta e kaluara nuk do të ishte kaq e zymtë“, thotë Vodineliq.

Vullneti politik tani ekziston dhe kjo jep shpresë që ligji vërtetë të miratohet, pohon Dejan Milenkoviq, pedagog në Fakultetin e Shkencave Politike. Sipas tij, rezistenca është gjithnjë më e dobët, për shkak se ka kaluar një kohë e gjatë. Megjithatë shumë politikanë kanë frikë se hapja e dosjeve sekrete mund të dëmtojë karrierën e tyre politike, pasi që nuk mund të përjashtohet mundësia që ato të keqpërdoren për qëllime politike.

Serbien Wahlen Ministerpräsident Vojislav Kostunica in Beograd
...Partia e Vojisllav Koshtunicës (DSS) mbështetë vetëm hapjen e pjesshme...Fotografi: AP

„Informatat nga dosjet, në njëfarë mënyre, mund të jenë jo të besueshme. Është e mundur që në dosjen e dikujt të ketë gjëra të pavërteta, të cilat i kanë shkruar shërbimet përkatëse për qëllime të caktuara. Ndërkohë që ekziston edhe rreziku i dosjeve të zbukuruara“, paralajmëron Milenkoviq.

Më mirë dosjet e hapura

Shumica e politikanëve megjithatë mendojnë se dosjet duhet të hapen. Por ekziston edhe mundësia e manipulimit me to, thotë Vladimir Vodineliq.

NO FLASH Serbien Wahlen Präsident Boris Tadic
...ndërsa Boris Tadiqi ende nuk e ka thënë fjalën përfundimtare.Fotografi: AP

„Keqpërdorime të tilla kishte edhe tek ne, ndonëse në një shkallë më të vogël se në vendet tjera. Por gjithandej ku mbretëron errësira, informacionet të cilat gjoja hedhin dritë në këtë errësirë mund të jenë një mjet efikas për qërim hesapesh me ata të cilët nuk i keni për zemër, sidomos në skenën politike“, thotë ai.

Për hapjen e dosjeve kurrë nuk është vonë, mendon Vodineliq. Në të gjitha vendet të cilat e kanë përfunduar këtë proces, nuk ka ekzistuar frika nga hapja e dosjeve, por nga shkatërrimi i tyre. Ato nuk janë dokumente të rëndomta, por mjete represioni ndaj qytetarëve, thekson ai. Të gjitha vendet totalitare e kanë bërë këtë pas ndryshimeve. Prandaj është obligim i Serbisë që të bëjë këtë, thekson Dejan Milenkoviq.

Autor: Ivica Petroviq/Ajete Beqiraj

Redaktoi: Bahri Cani

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë