1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Harmonia dhe toleranca fetare

Arben Muka 16 Nëntor 2012

Në kuadër të 16 nëntorit, që njihet si dita botërore e tolerancës, Shqipëria “servir” një ndër tiparet pozitive të saj, bashkëjetesës mes komuniteteve fetar.

https://p.dw.com/p/16kRX
Xhami, BeratFotografi: DW / Cama

Në Shqipëri aktualisht janë të zyrtarizuara 5 besime fetare, myslimanët sunitë, bektashinjtë, katolikët, ortodoksët dhe protestanët. Në 2 dekadat e fundit kanë depërtuar dhe korente të reja të besimit në zona të ndryshme të vendit. Nëse sot pranohet që mes komuniteteve fetare ka tolerancë dhe bashkëjetesë, kjo nuk duhet të interpretohet në rrafsh sipërfaqësor thotë për DW, prof. dr Zyhdi Dervishi, përgjegjës i Departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Tiranës. Sipas tij, evidentohet shpesh fakti që në raste festash fetare ka shkëmbime urimi nga besime të ndryshme.

Kirche in Tirana, Albanien
Kisha katolike, TiranëFotografi: DW / Aida Cama

Çështja është dhe më e thellë në përmbajtjen e këtij fenomeni, thotë prof. dr Dervishi. “Është një traditë e konsoliduar ndër shekuj që besimtarët myslimanë shkojnë tek vendet e shenjta të krishtera, ose e kundërta, me shpresën për të gjetur shërim për veten e tyre, mbarësi për fëmijet a të afërmit. Natyrshëm lind pyetja, se a mund ta urresh një institucion fetar të një feje tjetër kur mendon se tek ky institucion, tek ky vend i shenjtë do të gjesh mbarësi? Kjo do të thotë se ke respekt, ke adhurim të veçantë për një vend të shenjtë të një feje tjetër. Gjithashtu është një traditë ndoshta unike tipike shqiptare fakti që vite më parë, por dhe aktualisht, kur një çifti nuk i jetojnë fëmijët, atëherë fëmijët që ju lindin më pas ju vënë një emër të besimit tjetër nga janë vetë. Përshembull të krishterët i venë emër mysliman, apo myslimanët i venë fëmijës një emër të besimit të krishterë”.

Orthodoxer Patriarch in Albanien
Patriarku i Kishës Ortodokse, Bartholomeu i parëFotografi: AP Photo

Drejtori i Institutit të Çështjeve Kombëtare, Kastriot Frashëri, e pranon tiparin e tolerancës mes feve në Shqipëri, por ai ka një këndvështrim kritik për praktikimin e riteve fetare në ambjente publike. “Në këto vitet e fundit ne jemi dëshmitarë për mënyrën e predikimit. Në cdo orë të natës e të ditës ka sheshe që gumëzhijnë nga altoporlantët, mjete akustike që janë vënë në objektet e shenjta. Kjo është shqetësuese për qytetarët e besimeve të tjera. Të kuptohemi, unë nuk është se jam kundër shprehjes së besimeve, por kjo duhet të bëhet vetëm në institucionet e përcaktuara, në vendin e duhur e jo vend e pa vend.”

Frashëri mendon se këto fenomene mund të tejkalohen në rradhë të parë me angazhimin tolerant të besimeve fetare që nuk respektojnë hapësirat publike të predikimeve dhe kryerjes së riteve të ndryshme.

Prof. Dr. Zyhdi Dervishi, Soziologe aus Albanien
Prof. Dr. Zyhdi Dervishi,Fotografi: DW/Muka

Prof. dr. Zyhdi Dervishi shprehet se ka studime të shumta serioze nga autorë brenda dhe jashtë vendit për të shpjeguar origjinën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare në Shqipëri. Disa prej tyre marrin si argument faktin se shqiptarët në përgjithësi nuk kanë shumë lidhje me besimin fetar, nuk kanë rrënjë të thella. “Unë mendoj se shqiptarët janë po aq fetarë sa janë dhe popuj të tjerë europianë, sa janë psh gjermanët, francezët, anglezët etj., por kam bindjen se ekziston një raport shumë interesant ndërmjet shumicës dhe pakicës nga pikëpamja e besimit. Në kulturën tradicionale shqiptare ka shumë norma që imponojnë mirëtrajtimin e personave, familjeve a fiseve në pakicë. Në shoqëritë shqiptare tradicionale ke qenë gjithmonë më shumë i mbrojtuar po të ishe në pakicë se sa në shumicë”.

Mr. Kastriot Frashëri, the director of Institute of National Affair in Albania. Author: Arben Muka /DW Correspondent in Albania Place: Tirana, Albania November 2012
Kastriot FrashëriFotografi: DW/A.Muka

Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës e lidh këtë aspekt me qëndrimin e shqiptarëve ndaj feve të reja. Sipas arsyetimit të tij, nëse shumica fetare nuk është tolerante atëherë nuk mund të flitet për raporte normale mes besimeve dhe bashkëjetesë mes tyre. “Historia e ka të qartë procesin: Kështu ndodh aktualisht me besimin mysliman, që është në shumicë dhe respekton besimet në pakicë. Por të mos harrojmë atë që ka ngjarë shekuj më pare, kur të krishterët ishin në mazhorancë dhe këtë ata nuk e kanë shfrytëzuar për të keqtrajtuar myslimanët. Pra, në thelb jam duke thënë se ky raport mes shumicës dhe minorancës është kyci në tolerancën ndërfetare në Shqipëri, tolerancë që është me rrënjë të thella.”