1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Heinz-Jürgen Axt: Afrimi i Maqedonisë në BE është në amulli

Silvera Padori / Fatos Musliu5 Qershor 2013

Në intervistë për DW Prof.Dr. Heinz-Jürgen Axt, thekson, se procesi i afrimit të Maqedonisë në BE ndodhet në ngërç dhe se Maqedonia duket se nuk ka asnjë përkrahës në BE.

https://p.dw.com/p/18jdm
Fotografi: AP

”Amullia është fjala e saktë për ta përkufizuar procesin e afrimit të Maqedonisë në BE. Amulli ka nga të dyja palët, edhe tek unioni edhe tek shoqëria dhe politika maqedonase. Në BE ekziston lodhja dhe nuk ka angazhim të vërtetë për të influencuar në tejkalimin e mosmarrëveshjeve rreth kontestit me emrin. Greqia pa asnjë ndryshime vazhdon edhe më tej të bllokojë. Shtetet e tjera evropiane nuk kanë asnjë interes që ta shmangin bllokadën. Sa i përket Maqedonisë konstatoj një lloj kundërreagimi në qëndrimin në pritje të sinjaleve nga Brukseli dhe nga kryeqytetet e vendeve kryesuese të unionit: Ka kthim prapa, kthim tek trashëgimia nga antikiteti dhe një rritje të ndjenjës se Evropa nuk vlerëson me seriozitet Maqedoninë dhe nuk i respekton premtimet e dhëna”, deklaron për DW Prof.Dr. Heinz-Jürgen Axt, njohës i mirë i Ballkanit dhe drejtues prej shumë vjetësh i katedrës Zhan Mone në Universitetin Duisburg-Esen.

Asnjë përkrahës i vërtetë nga BE-ja

Për Maqedoninë është diskutuar shumë, veçanërisht në muajt e fundit - në Parlamentin Evropian në Komisionin e BE-së, në shumë takime bilaterale, e më pak në Këshillin e Evropës dhe në nivelin e kryetarëve të qeverive dhe të shteteve, kur ka ndodhur që tema e Maqedonisë të anashkalohet apo ajo thjeshtë të mos vihet në rendin e ditës! Ndonëse prej kohësh komisioneri i BE-së për Zgjerimin Shtefan Fyle po e mban në fokus afriminb e Maqedonisë drejt BE-së, në përgjithësi nuk ka sinjale të vërteta se në qershor do të jetë përfundimisht e hapur rruga evropiane për Maqedoninë. Sa i përket asaj që po bën Komisioni i BE-së, profesori Axt është i bindur, se kjo instancë është e vetmja mes faktorëve relevant në BE, që po u përmbahet premtimeve të dhëna në Selanik në vitin 2003 rreth zgjerimit të BE-së. Komisioni për herë të pestë me radhë rekomandoi fillimin e bisedimeve paraprake për Maqedoninë, duke u nisur nga ideja se me fillimin e këtij procesi do të ketë një zell të ri dhe përparime në afrimin e Maqedonisë në BE. Por përkundër këtij rekomandimi ka rezistencë dhe rezerva në kryeqytetet kryesore të vendeve anëtare të BE-së. ”Duhet patjetër të konstatohet se nuk janë komisionerët e Komisionit të BE-së ata që përfundimisht vendosin. Këtë mund ta bëjnë vendet anëtare të BE-së. Kjo është situatë që i shkon përshtat pozicionit të Greqisë, sepse nuk ka asnjë shtet të BE-së, që ta përkrahë seriozisht afrimin e Maqedonisë në BE. Ky është një realitet, me të cilin duhet të ballafaqohemi”, komenton profesori Axt.

Profesor Heinz-Jürgen Axt, studiues i shkencave politike
Profesor Heinz-Jürgen Axt, studiues i shkencave politikeFotografi: DW/Anna Maciol

Vendimtare është fjala e kancelares

Pas ofensivës diplomatike në pranverë dhe bisedimeve që zhvilloi në Berlin zhvilloi ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Popovski, u krijua përshtypja se Bundestagu (parlamenti i Gjermanisë), po e përkrah dhe do të ndikojë që Maqedonia të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarsim në BE. Sado e peshë të ketë përkrahja, që japin parlamentarët fjalën e fundit do ta ketë kancelarja Merkel, vëren Axt: ”Në të tilla rrethana, sigurisht që ka një peshë domethënëse zëri i kancelares federale. Nuk shoh që parlamentarët të jenë në situatë që për këtë çështje të dalin mbi me votën e tyre mbi grupin palamentar të mazhorancës dhe kancelaren. Jam i sigurt se si opozita edhe grupet parlamentare të mazhorancës kanë deputetë, që mbështesin tezën se dhënia e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e këtij vendi. Do të thoja kështu: përkrahja për Maqedoninë nuk vjen nga votat e margjinalizuara, por as nuk është dominuese për t'i dhënë tonin kryesor “zërit” të Bundestagut. Deputetët në Bundestag për momentin janë tërësisht të preokupuar me anëtarësimin e plotë të Kroacisë në BE, dhe së dyti me atë se çfarë do të bëhet me Serbinë dhe Kosovën dhe se a do të mund të ketë ndikim në progarmin 15 pikësh. Këto janë temat nga blloku i Evropës Juglindore në Bundestag, unë nuk shoh gjë tjetër”, shprehet profesori Axt. I pyetur, se çfarë do të ndodhë me Maqedoninë nëse sërish në qershor nuk do të jetë temë diskutimi dhe merr veto të re, Axt thekson: “Nga aspekti i motivimit- situata në Maqedoni është absolutisht e padurueshme. Maqedonia do të mundë të kontribuojë vetë duke i minimizuar ngërçet ndëretnike dhe duke treguar gatishmëri për kompromis në kontestin me emrin. Këto janë dy çështje, që Maqedonia i ka vet në dorë, por po e përsëris edhe një herë: shtetet e BE-së dhe Greqia janë ato që i përcaktojnë ritmin e anëtarsimit. Nga aspekti moral, BE-ja është e jo bindëse, sepse toleron që një shtet anëtar ta bllokojë kaq fort premtimin që ka dhënë unioni në Selanik në vitin 2003”, thotë në bisedën për DW Prof. Dr. Heinz-Jürgen Axt, njohës i Ballkanit dhe i Maqedonisë.