1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hije mbi marrëdhëniet gjermano-izraelite

31 Mars 2010

Marrëdhëniet gjermano-izraelite janë tradicionalisht të ngushta dhe miqësore. Megjithatë kohët e fundit janë vërejtur disa pengesa. Arsyeja politika izraelite për ngulimet hebreje në Jeruzalem.

https://p.dw.com/p/MiZp
Flamuri izraelit dhe gjerman
Flamuri izraelit dhe gjerman

Në Berlin, në përgjithësi janë të përmbajtur me kritikat ndaj Izraelit. Gjermania për shkak të përgjegjësisë historike e sheh veten si mike dhe aleate të Izraelit dhe si e tillë ajo perceptohet edhe në Jeruzalem. Ata takohen në konsultime të rregullta qeveritare - herën e fundit takimi u zhvillua në muajin janar në Berlin. Politikanët izraelitë, si nga qeveria ashtu dhe nga opozita janë mysafirë të mirëpritur në Gjermani dhe ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle nuk i bën bisht një fotografimi të përbashkët me ministrin e Jashtëm jo aq të dashur izraelit Avigdor Libermann.

Për radion gjermane Deutschlandfunk Westerwelle theksoi javën e fundit se Berlini ka interes të madh për partneritet të mirë me Izraelin.

Shefi i diplomacisë gjermane, Guido Westerwelle
Shefi i diplomacisë gjermane, Guido WesterwelleFotografi: AP

"Ne ndaj Izraelit nuk ndjejmë vetëm një detyrim historik, por natyrisht ne ndjejmë edhe një bashkësi vlerash duke pasur parasysh se Izraeli është po ashtu një vend demokratik dhe ne ka vite që bashkëpunojmë me vendet që kemi vlera të përbashkëta."

Pikërisht për këtë, vazhdon Westerwelle ne kemi të drejtë dhe jemi të obliguar që të përdorim fjalë të qarta në adresë të qeverisë izraelite.

Fjalë të tilla të qarta janë dëgjuar ndërkohë. Së fundi, Kancelarja gjermane Angela Merkel e lutur nga Presidenti amerikan Barack Obama i ka telefonuar homologut të saj izraelit Benjamin Netanjahu për t'i bërë atij të qartë se nuk e miraton vazhdimin e politikës së ngulimeve hebreje në Jeruzalem. Megjithatë fjalët ose nuk ishin aq të qarta sa ishte menduar ose Netanjahu nuk deshi t'i kuptojë ato. Me vetëdije ai i informoi gazetarët për telefonatën e zhvilluar me Kancelaren Merkel. Ai e ka thirrur Merkelin për ta informuar për planet izraelite për ngulimet në Jeruzalem dhe sqaroi para shtypit se Kancelarja Merkel nuk e ka kundërshtuar politikën izraelite.

Logo e Ministrisë së Jashtme gjermane
Logo e Ministrisë së Jashtme gjermane

Në Berlin reaguan të zemëruar. Zëdhënësi i Ministrisë së jashtme, Stephan Bedrohl ishte jashtëzakonisht i qartë me deklaratën e tij. Paralajmërimi për ndërtimin e ngulimeve të reja nuk është i pranueshëm, tha ai duke shtuar se:

"Me këtë është dërguar një sinjal plotësisht i gabuar, si për nga përmbajtja ashtu dhe nga koha kur është dërguar ai. Qeveria gjermane e ka përsëritur qëndrimin e saj kritik njësoj si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Kuarteti për Lindjen e Mesme."

As Kancelarja Merkel nuk e fshehu zemërimin e saj. Gjatë një konference për shtyp në kuadër të vizitës së Kryeministrit libanez Saad Hariri ajo përdori fjalë të ashpra:

Kancelarja gjermane Angela Merkel
Kancelarja gjermane Angela MerkelFotografi: AP

"Gjermania ka një interes vërtet të madh që ne të përparojmë prandaj edhe kam premtuar që do të angazhohemi me tërë forcën për rifillimin e bisedimeve të tilla. Unë shpresoj që po ashtu sinjalet që do të vijnë në të ardhmen nga Izraeli do të jenë konstruktive e jo kaq negative që të pengojnë realizimin e bisedimeve të tilla."

Diplomacia gjermane angazhohet për aktivizimin e Kuartetit të Lindjes së Mesme, i cili përbëhet nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe Kombet e Bashkuara. Ajo shpreson që ky forum do të arrijë të ringjallë procesin paqësor në Lindjen e Mesme.

Autor: Bettina Marx / Esat Ahmeti

Redaktoi: Elert Ajazaj