1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Historia në Serbi - forum mendimesh

3 Shkurt 2010

Historia është keqpërdorur gjatë konflikteve të viteve 90-të për qëllime politike dhe nacionaliste. Keqpërdorimi vazhdon edhe sot. Në ridefinimin e historisë janë inkuadruar sot edhe gjykatat, pohojnë analisët serbë.

https://p.dw.com/p/LrX3
Historia në Serbi shihet si forum mendimesh. Dera e hekurt e Muzeut rajonal në qytetin Kladovo
Historia në Serbi shihet si forum mendimesh. Dera e hekurt e Muzeut rajonal në qytetin KladovoFotografi: J. Sorges

Librat e historisë - viktimë e një konfuzioni ideologjik

Pas përfundimit të luftërave në ish-Jugosllavi, shumëkush ka menduar se do të përfundojë edhe keqpërdorimi i historisë. Por kjo nuk ka ndodhur, pohon historiania serbe Branka Prpa. Historia shikohet sot si forum për ballafaqim mendimesh.

"Kemi ardhur në një situatë, kur mund të thoni çfarë të doni dhe pa argumente, me shpjegimin se ky është mendimi juaj. Sot në Serbi ka përpjekje për rehabilitimin e figurave si Nediçi dhe të tjerët. Ndërkohë që argumentet flasim se ata kanë qenë bashkëpuntorë të fashizmit - që është fakt dhe jo vetëm mendim."

Historianët nga rajoni janë marrë edhe me krahasimin e librave shkollore nga historia. Librat serbe të historisë janë cilësuar si viktimë e një konfuzioni ideologjik, i cili ka për qëllim që historinë t'ua përshtatë nevojave të tanishme politike. Librat shkollore janë të mbushura me stereotipe, sipas së cilave populli serb është i vetmi që ka të drejtë historike, që udhëheq luftëra mbrojtëse, që nuk kërcënon popujt e tjerë dhe kryesisht është viktimë e popujve të tjerë që jetojnë në rajon.

Branka Prpa, e cila ishte pjesëmarrëse e takimeve të historianëve nga rajoni, pohon se situata në Kroaci, për shembull, është përmirësuar dhe është hequr monopoli për shtypjen e librave të shkollës.

"Tek ne është Enti për Botimin e Librave institucioni monopolist, kështu që udhëheqësia e tij varet prej partisë në pushtet. Enti ka botuar libra historie varësisht nga orientimi politik dhe ideologjik i pushtetit. Janë angazhuar vetëm njerëzit që i përgjigjeshin nomenklaturës së kaluar politike."

Në rishikimin e historisë janë përfshirë gjykatat

Këto libra janë të obligueshme, sepse nuk mund të shkruhen libra të reja çdo vit. Ndërkohë që ka ardhur një periudhë kur bëhen përpjekje për revidimin komplet të historisë, ku janë përfshirë edhe gjykatat, pohon Prpa.

"Çfarë do të ndodhte sikur unë si historiane të shkruaja mendimin tim pse Dragisha Cvetkoviç, kryeministër i Mbretërisë Jugosllave, ka bërë një varg gabimesh dhe me të drejtë është larguar nga pushteti pas demonstratave me 27 mars të vitit 1941? Meqenëse Cvetkoviçi është rehabilituar prej gjykatave, a do të thotë kjo se ndonjë prokuror ka të drejtë që mua si historiane të më hedhë në gjyq, sepse mendoj se Dragisha Cvetkoviçi ka pasur disa karakteristika të caktuara? Ose çfarë do të ndodhë në qoftë se them se disa prej atyre që tani janë rehabilituar, me të vërtetë kanë kryer krime lufte?"

Sipas mendimit të saj, jo vetëm në librat e historisë pasqyrohet në mënyrë të shtrembëruar zhvillimi i serbëve gjatë kohërave të ndryshme. Prpa pohon se politika shtetërore është ajo, e cila po e bën rishikimin e historisë.

Autor: Ivica Petroviç/ Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi