1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Askush nuk duhet të ketë frikë nga themelimi i FAK!"

Bahri Cani7 Mars 2014

Gjermania luan një rol shumë të rëndësishëm në Kosovë dhe në rajon. Ndërsa Berlini është adresa jonë e parë evropiane, thotë në intervistë për DW ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj. Ai flet edhe për FAK.

https://p.dw.com/p/1BLYk
Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj në bisedë me redaktorin e DW, Bahri Cani
Fotografi: DW

Deutsche Welle: Zoti ministër, edhe gjashtë vjet pas shpalljes së pavarësisë, para Kosovës gjenden shumë sfida. Cilët janë rezultatet më të rëndësishme të arritura gjatë kësaj periudhe dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova e sotme?

Enver Hoxhaj: Kosova është natyrisht një shtet shumë i ri. Megjithatë, mund të jemi krenarë me atë që kemi arritur gjatë gjashtë vjetëve të fundit. Mirëpo, para nesh janë edhe shumë sfida dhe probleme të cilat nuk kemi mundur t'i zgjidhim në këtë periudhë. Prej vitit 2008, Kosova është një shembull i mirë i shtetit me stabilitetit politik dhe integrim të minoriteteve. Nga shpallja e pavarësisë, në Kosovë shënohet një rritje mesatare ekonomike nga 5 % në vit megjithëse edhe më tutje ekziston problemi i madh i papunësisë së lartë. Kosovën e kanë njohur deri tani 106 vende dhe ajo është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe shumë organizatave dhe institucioneve tjera ndërkombëtare. Prioritet ynë është zhvillimi ekonomik dhe perspektiva evropiane.

DW: Zoti minister, Kosova nuk është ende anëtare e OKB-së. Kur do ta paraqitni kërkesën për anëtarësim në OKB?

Enver Hoxhaj: Gjatë periudhës së kaluar, ne jemi angazhuar ta forcojmë shtetin e Kosovës nëpërmjet procesit të njohjes nga shtetet tjera dhe anëtarësitë në shumë organizata dhe institucione. Aktualisht jemi duke i analizuar skenaret e mundshme për paraqitjen e kërkesës për anëtarësim në OKB. Unë besoj se askush nuk mund ta ndalë rrotën e historisë dhe Kosova do të jetë sigurisht një ditë pjesë e OKB-së. Ne kemi një bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë dhe kur të krijohen kushtet do ta paraqesim kërkesën për anëtarësim.

DW: Këtë të premte (07.03.2014) do të takoheni në Berlin me ministrim e Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier. Si e vlerësoni rolin e Gjermanisë në Kosovë dhe çfarë prisni nga ky takim?

Enver Hoxhaj: Gjermania është një partner shumë i rëndësishëm bilateral i Kosovës. Gjermania ka dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermania është donatori më i madh në Kosovë. Gjermania merr pjesë në të gjitha misionet ndërkombëtare ushtarake dhe civile ne Kosovë, si KFOR dhe EULEX. Por ajo është gjithashtu edhe një partner shumë i rëndësishëm në Bashkimin Evropian. Gjermania është për ne adresa e rëndësishme evropiane dhe partneri më i rëndësishëm, i cili e përkrah Kosovën në procesin e integrimit në BE. Roli gjerman në rajonin e Evropës Juglindore është rritur shumë në vitet e fundit. Unë dëshiroj ta informoj ministrin e Jashtëm Steinmeier për gjendjen në vendin tim dhe të popullit të Kosovës. Mirëpo, do të flas edhe për situatën në rajon, sepse Kosova është pjesë e rajonit dhe e Evropës. Ne kemi nevojë për ndihmën e Gjermanisë në të gjitha proceset e rëndësishme, siç janë zhvillimi ekonomik, stabiliteti dhe integrimi në Bashkimin Evropian.

DW: Por Kosova ka ende probleme të mëdha në raport me Serbinë të cilat duhet të zgjidhen. A është i mundur anëtarësimi në BE pa njohje reciproke të Serbisë dhe Kosovës?

Enver Hoxhaj: Unë mendoj se nuk është. Për ne është shumë e rëndësishme që edhe më tutje të marrim pjesë në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës. Kosova ka dëshmuar si mund të zgjidhen problemet me fqinjët me dialog dhe marrëveshje. Ne kemi nënshkruar në prill të vitit 2013 një marrëveshje me Serbinë. Mirëpo, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, duhet të bëhen edhe disa hapa. Një, të gjitha marrëveshjet e arritura duhet të realizohen. Dy, të gjitha institucionet paralele serbe duhet të shuhen. Tre, serbët duhet të integrohen plotësisht në institucionet e Kosovës. Katër, Serbia nuk duhet të pengojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe OKB. Dhe pesë, njohja reciproke, sepse pa këtë njohje nuk mund të ketë normalizim të plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Unë angazhohem që këta hapa të bëhen në 4 deri 5 vjetët e ardhshme dhe që Kosova dhe Serbia te bëhen anëtare të BE të njëjtën ditë dhe të njëjten orë. Nëse kjo nuk ndodhë, atëherë mund të ketë zhvillime të paparashikueshme.

DW: Për çfarë zvhillimesh e keni fjalën?

Enver Hoxhaj: E kam fjalën për faktin që duhet të kalohet status quo-ja. Zhvillimet e fundit në Bosnje – Hercegovinë tregojnë se njerëzit nuk janë të kënaqur me status quo dhe duan të kenë një perspektivë të qartë evropiane. Duan të kenë perspektivë për zhvillim. Marrëveshjet që janë arritur në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen në tërësi në mënyrë që të dy vendet të kenë një perspektivë të hapur evropiane. Të gjitha problemet mes këtyre dy vendeve duhet të zgjidhen në mënyrë që edhe Kosova të bëhet pjesë e OKB, që këto vende t'i normalizojnë raportet në tërësi, ta njohin njëra tjetrën dhe të vendosin raporte diplomatike.

DW: Në Serbi mbahen sivjet zgjedhjet parlamentare. Sa do të ndikojnë këto zgjedhje në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, duke pasur parasysh se si në Serbi ashtu edhe në Kosovë ka parti politike të cilat janë kundër dialogut?

Enver Hoxhaj: Unë besoj se dialogu do të vazhdojë. Kjo është gjithashtu edhe agjenda evropiane. Dialogu është forma e vetme e veprimit për të gjitha vendet të cilat dëshirojnë të integrohen në BE. Kjo është një domosdoshmëri, por edhe parakusht për të dyja vendet, sepse Serbia dhe Kosova angazhohen për një perspektivë evropiane. Prandaj, besoj se zgjedhjet nuk do ta influencojnë dialogun, pavarësisht se kush do të fitojë në Serbi.

DW: Në Serbi ka pasur dje edhe një takim të kabinetit qeveritar i cili ka kërkuar një seancë urgjente të KS të OKB për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Serbia kërkon që FAK të mos vendoset në zonat e banuara me shumicë serbe. A keni biseduar me partnerët ndërkombëtarë para këtij vendimi dhe cilat do të jenë detyrat e kësaj ushtrie?

Enver Hoxhaj: Kosova është një vend sovran dhe në gjashtë vitet e fundit ne kemi bërë shumë reforma me të cilat fqinjëve u kemi treguar se jemi të interesuar për normalizimin e raporteve me të gjitha vendet e rajonit. Ky është edhe shkaku pse kemi filluar dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë. Besoj se ky vendim i qeverisë serbe ka të bëjë më shumë me fushatën elektorale në Serbi se sa me realitetin dhe me veprimet e një qeverie serioze. Në gjashtë vitet e fundit prej shpalljes së pavarësisë ne kemi dëshmuar se jemi të interesuar për paqe dhe stabilitet në rajon. Forcat e Armatosura të Kosovës do të krijohen në përputhje me Kushtetutën tonë dhe me qëndrimet e partnerëve tanë. Ndaj nuk duhet të ketë shqetësime nga askush për krijimin e kësaj force.

DW: Pala serbe ëshë e shqetësuar për shkak të veprimit të këtyre forcave në veri të Kosovës në pjesët e banuara me shumicë serbe. A do të vendoset kjo Armatë edhe në veri apo edhe këtu pritet ndonjë marrëveshje e veçantë?

Enver Hoxhaj: Këtu bëhet fjalë për forca ushtarake të cilat do t'u nënshtrohen urdhërave të organeve civile dhe demokratike të shteit. Ndaj aksush nuk duhet të ketë frikë për rolin dhe funksionin e tyre. Serbët e Kosovës e dinë se këto forca do të themelohen në përputhje me përbërjen etnike dhe se do t'i mbrojnë interesat e të gjithë qytetarëve. Ndaj kjo çëshje nuk duhet të shndërrohet në një çështje të fushatës elektorale në Serbi. Partitë dhe qeveria e atjeshme duhet të përqendrohet tek zgjidhja e problemeve të veta dhe jo tek çëshjtet në vendet e tjera fqinje.

DW: Disa herë keni deklaruar se Kosova është e interesuar të ketë raporte të mira me vendet fqinje. Por Kosova përveç me Serbinë raporte të mira nuk ka as me Bosnje-Hercegovinën. Kohët e fundit ka pasur madje edhe përçarje shumë serioze për shkak të vizave. Si do ta zgjidhni këtë problem dhe kur pritet normalizimi i gjendjes?

Hoxhaj: Bosnje-Hercegovina ka futur në vitin 2008 vizat për qytetarët e Kosovës. Ne jemi përpjekur në tri vitet e fundit të gjejmë një zgjidhje diplomatike. Qe një vit ne kemi arritur madje edhe me Serbinë marrëveshje, që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm. Ndërkohë që Bosnje-Hercegovina nuk ishte fare e interesuar për zgjidhjen e këtij problemi. Më në fund edhe ne u detyruam të fusim regjimin e vizave për qytetarët e këtij vendi mbi bazat e reciprocitetit. Besoj se qeveria në Sarajevë duhet ta dijë se në Ballkan ka një realitet të ri, e ky është ekzistenca e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur. Ne gjithmonë do të mbetemi në këto troje si vend i pavarur dhe sovran. Për të dy vendet do të ishte mirë që qeveria në Sarajevë të kuptojë sa më parë këtë realitet të ri.

DW: Zoti ministër, qeveria e Kosovës ka kërkuar që Eulexi të largohet në qershor të këtij viti, ose të paktën të ndryshojë mandatin e tanishëm. Por në Kosovë është folur shumë kohët e fundit edhe për mundësinë e krijimit të një tribunali të veçantë për gjykimin e personave të përfshirë në krime lufte. Cili është qëndrimi i qeverisë lidhur me këtë çështje?

Hoxhaj: Sa i përket Eulexit ne jemi në kontakt të ngushtë me të gjithë partnerët evropianë. Gjashtë vjet pas pavarësisë mendojmë se shumë gjëra në mandatin dhe substancën e Eulexit duhet të ndryshojnë. Por kjo do të bëhet në bashkëpunim me partnerët tanë evropianë. Ndërsa sa i përket tribunalit për të cilin flitet në media, Kosova është shumë e interesuar të bashkëpunojë me autoritetet për hetimin e dyshimeve për krime, të formuara mbi bazën e raportit të Dick Marty. Në këtë raport ka shumë pretendime dhe pohime të pavërteta. Por për krijimin e një tribunali eventual, ne do të marrim qëndrim përfundimtar, nëse kjo çështje vjen në rend dite.