1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hoxhaj: Kosova është e zhgënjyer me qëndrimin e BE-së

Bahri Cani17 Dhjetor 2012

Kosova ka pritur dritën jeshile për fillimin e procesit për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE, pohon ministrin e Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, në një intervistë ekskluzive për Deutsche Wellen.

https://p.dw.com/p/17341
Fotografi: picture alliance /

DW: Zoti ministër, Kosova sërish nuk mori dritën jeshile për fillimin e negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Si e vlerësoni Ju këtë qëndrim të Brukselit?

Enver Hoxhaj: Konkuldimet e BE-së janë pa dyshim një lajm zhgënjyes për Kosovën, pasi që Kosova ka bërë gjatë vitit 2012 një përparim jashtëzakonisht të madh. Ky progres është i matshëm, i krahasueshëm dhe konkret, ashtu siç kërkon edhe vet studimi i fizibilitetit. Ajo që ka ndodhur gjatë këtij viti, por edhe në pesë vitet e fundit prej shpalljes së pavarësisë, tregon se Kosova është transformuar në një shtet dhe shoqëri demokratike, multietnike dhe evropiane. Ndaj konkluzat nuk janë në përputhje me realitetin dhe reformat e bëra nga Republika e Kosovës. Ndaj mosfillimi i negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe ofrimi vetëm i një kornize kohore se kur do të duhej të fillonte procesi, është një lajm jo i mirë jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin dhe vet Evropën.

Enver Hoxhaj në bisedë me DW
Enver Hoxhaj në bisedë me DWFotografi: DW

DW: Ju keni pasur kontakte të shumta me qendrat evropiane gjatë këtij viti. Cilat janë qëndrimet e tyre, pse Kosova nuk mori këtë dritë jeshile?

Enver Hoxhaj: Është e vërtetë që unë gjatë tërë këtij viti, por në veçanti gjatë nëntorit, kam pasur vizita bilaterale dhe kam biseduar me ministrat e Jashtëm të të gjitha vendeve anëtare të BE-së. Qëllimi i takimeve ka qenë që ata të informohen nga dora e parë për progresin që ka bërë Republika e Kosovës dhe mund të them se të gjithë ata kanë shprehur mendim shumë pozitiv për zhvillimet dhe punët që po bëhen në Kosovë. Mendoj se ekzistojnë dy premisa të gabuara të cilat kanë determinuar konkluzat e këtilla. Së pari, është mos uniteti brenda vet BE-së karshi Kosovës, pasi që pesë vende të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën. Në mesin e tyre katër vende kanë qëndrim shumë pozitiv por ka një vend i cili duket se gjatë debateve të brendshme ka pasur një pozicion frenues. Dhe së dyti, ka një tendencë të gabuar të një numri të shteteve anëtare të BE-së që të ndërlidhë progresin që ka bërë Kosova me mosprogresin e Serbisë. Kjo është e gabueshme dhe e panevojshme, sepse progresi duhet të matet veç e veç në secilin vend dhe jo të ndërlidhet me një vend tjetër.

DW: Si e verësoni Ju rrjedhën e negociatave me Beogradin: duket se Serbia ka qenë shumë më konkstruktive në këtë dialog sesa herave të tjera. Kjo shihet edhe me fillimin e zbatimit të Marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit por edhe nga deklaratat e fundit të krerëve të Serbisë?

Enver Hoxhaj: Dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, është një moment i ri jo vetëm në raportet mes këtyre dy vendeve por edhe në rrafshin e rajonit. Ky dialog është një argument i fuqishëm i Kosovës jo vetëm në rrafshin evropian por edhe në kontakt me vendet jashtë Evropës. Kjo është një dëshmi konkrete se me jetësimin e marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit, Serbia e ka njohur de jure dhe de fakto kufirin mes këtyre dy vendeve. Kjo duhet të kuptohet si njohje e realitetit të ri në Kosovë. Një argument shumë i fuqishëm do të jetë edhe hapja e zyrave ndërlidhëse të Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Prishtinë. Në nivelin e dy kryeministrave janë diskutuar edhe tema të tjera që dëshmojnë se Serbia e ka pranuar realitetin e një Kosove të pavarur. Ndërsa normalizimi i plotë i raporteve mund të ndodhë kur të dy vendet të vendosin marrëdhënie diplomatike.

DW: Zoti ministër, si e vlerësoni këtë lloj konstruktiviteti: është kjo me të vërtetë njohje e realitetit apo ka të bëjë vetëm me përpjekjet e Serbisë për realizimin e interesave të saja?

Enver Hoxhaj: Në këto vitet e fundit ka pasur në Serbi një diskurs i cili ka qenë më racional sa i përket relacioneve Kosovë – Serbi, përkundër faktit që politikanët serbë brenda vendit të tyre kanë bërë përpjekje që marrëveshjet t'i interpretojnë ndryshe. Ajo që po ndodhë në dialogun teknik dhe atë mes kryeministrave është padyshim gatishmëri e të dy palëve që mosmarrëveshjet t'i zgjidhin me dialog. Beogradi e ka kuptuar se pa trajtimin e Kosovës si një vend partner, si një vend fqinj, Serbia do të ketë të bllokuar rrugën e integrimeve evropiane. Mendoj se qeveria aktuale, për dallim prej asaj të mëparshmes, ka hequr dorë nga qasja që është dëgjuar shumë vitin e kaluar - “edhe Kosova edhe Serbia”. Mendoj se prioriteti i kësaj qeverie është integrimi evropian dhe jo agjenda nacionaliste karshi Kosovës. Por kjo do të shihet në një perspektivë më të gjatë.

DW: Mbetet të shihet nëse ky transformim është afatgjatë sepse kryeministri i tanishëm Ivica Daçiq ka qenë pjesë e makinerisë së regjimit të Sllobodan Millosheviqit që e ka shkaktuar edhe luftën e Kosovës. Ndërkohë që vet ai deri para disa muajve ka kërkuar ndarjen e Kosovës. Mendoni se me fillimin e zbatimit të marrëveshjes për kontrollin e përbashkët të kufirit, Serbia ka hequr dorë nga kërkesat për ndarjen e Kosovës, apo ky është vetëm një lloj pushimi para një stuhie të re?

Enver Hoxhaj: Për çdokend është e qartë se harta politike e Ballkanit është një çështje e përfunduar. Kufijtë në Ballkan janë të palëvizshëm, ndërsa konceptet e ndarjeve etnie dhe shkëmbimit të territoreve i takojnë të së kaluarës. Mjerisht në Serbi një ide e tillë ka qenë e gjallë edhe pas rënies së Millosheviqit, e ndarje ka kërkuar edhe kryeminisitri Daçiq në kohën kur ishte vetëm ministër i Brendshëm i Serbisë. Kërkesa e Komisionit Evropian, i cili e shpreh mendimin e BE-së, që Serbia të hyjë në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën duke respektuar intergritetin esaj territorial, është një dëshmi e mirë që agjenda e ndarjeve është e tejkaluar një herë e përgjithmonë.

DW: Zoti ministër, kur do të dërgoni ambasadorin e Kosovës në Beograd dhe a besoni në normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë?

Enver Hoxhaj: Ministra e Jashtme është në procesin e një analize të thellë dhe së shpejti para kryeministrit Thaçi do të dalim me emrat e tre kandidatëve. Ne do të analizojmë se cilët prej kandidatëve mund të përfaqësojnë Kosovën në Beograd. Kuptohet që do të marrim parasyshë përvojën diplomatike të kandidatëve, njohuritë e shoqërisë dhe shtetit serb si dhe njohuritë gjuhësore të kandidatëve, sepse ne jemi të interesuar që ky ambasador të përfaqësojë Kosovën në mënyrë dinjitoze. Pa dyshim që ky ambasador do të jetë pjesë e korit diplomatik në Beograd, si çdo ambasador tjetër. Kjo do të jetë një ngjarje domethënëse jo vetëm për Prishtinën dhe Beogradin por edhe më gjërë. Ndërsa kryeministri i takon të vendosë se cili prej kandidatëve mund të përfaqësojë Kosovën më së miri. Hapja e kësaj zyre ndërlidhëse do të sinjalizon fillimin e ndryshimit të paradigmave mes Kosovës dhe Serbisë. Përfaqësuesi i Kosovës në Beograd dhe i Serbisë në Prishtinë do të luajnë një rol të rëndësishëm edhe për çështjet konsulore të qytetarëve në këto dy vende. Ata do të ndihmojnë edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve tona.

DW: Zoti ministër, sa vende e kanë njohur deri tani pavarësinë e Kosovës dhe a jeni të kënaqur me këtë proces?

Enver Hoxhaj: Pa dyshim që ne jemi shumë të kënaqur me procesin e njohjeve gjatë vitit 2012. Procesi ka qenë gjatë tërë vitit i pandalshëm dhe ai pasqyron një gjeografi globale. Gjatë këtij viti Kosovën e kanë njohur 12 vende. Befasi e këndëshme për ne kanë qenë njohjet nga vendet e Azisë dhe Oqaenisë: nga Brunei, Fixhi, Timori, Papa Guinea e Re... Me rëndësi është që procesi po vazhdon dhe do të vazhdojë. Por ne kemi pasur edhe prioritete të tjera, sepse politika e jashtme nuk guxon të reduktohet vetëm në shtimin e numrit të njohjeve.

DW: Zoti ministër, çfarë po bën konkretisht Ministria e Jashtme për të bindur edhe pesë vendet e tjera të BE-së për të njohur Kosovën?

Enver Hoxhaj: Ndër fokuset e veçanta sa i përket lobimit kanë qenë dhe janë pesë vendet e BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën. Gjatë këtij viti unë kam takuar minsitrat e jashtëm të të gjitha këtyre vendeve – disa prej tyre disa herë. Kam pasur një vizitë edhe në Bratisllavë të Sllovakisë. Disa herë kam takuar edhe minsitrin e Jashtëm të Greqisë. Qëllimi ynë është që me këto pesë vende të kemi një bashkëpunim institucional dhe ta kemi mbështetjen e tyre për interesat strategjike të Kosovës. Disa prej tyre i kanë njohur pasaportat e Kosovës gjatë këtij viti. Ndërsa Greqia dhe Sllovakia kanë votuar për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, ku Republika e Kosovës është pranuar si shtet sovran dhe i pavarur - i barabartë me gati 60 vende të tjera anëtare të saj.

DW: Keni sinjale se ndonjë prej këtyre vendeve së shpjeti mund të ndryshojë qëndrimin dhe të njoh Kosovën?

Enver Hoxhaj: Ajo që në këtë moment mund të them është se unë kam pasur kontakte të shpeshta me përfaqësuesit e këtyre pesë vendeve dhe natyrisht me të gjitha vendet e tjera të BE-së. Ministria e Jashtme e Kosovës ka pasur një prezantim të gjallë edhe në shumë vende të tjera të botës. Se kur do ta njohin ato Kosovën si shtet, ju takon këtyre vendeve që të vendosin. Por është fakt që bashkëpunimi me këto vende është shumë i mirë dhe mbështetja e tyre për Kosovën është një mbështetje e mirëfilltë.

DW: Zoti ministër, kur do të mblidhni numrin e mjaftueshëm të njohjeve për të paraqitur kërkesën për anëtarësim në OKB?

Enver Hoxhaj: Qëllimi ynë është që gjatë muajve të ardhshëm të arrijmë një numër treshifror të njohjeve, pra 100 e më shumë. Në ministrinë e Jashtme jemi duke analizuar hapat që do të ndërmarrim pas arritjes së kësaj shifre. Qasja jonë do të jetë e kujdesshme dhe e analizuar thellë. Vendimi do të jetë në harmoni me qëndrimet e të gjitha institucioneve të Kosovës. Ne po përpiqemi aktualisht që përmes një poliktike aktive dhe dinamike, Kosovën të prezantojmë në botë si një shtet serioz dhe me kredibilitet, sepse politika e jashtme ëshë një sektor më i ndjeshëm se të gjithë sektorët e tjerë që funksionojnë vetëm brenda Kosovës.