1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Socialisti i shekullit të 21-të

6 Mars 2013

Përkrahësit e konsideronin shpëtimtar, kundërshtarët autokrat polemizues. Ai e konsideronte veten çlirimtarin e Amerikës Latine. Ai ishte njeri me vizione - i gatshëm të paguante çdo çmim për to. Tani ai nuk jeton më.

https://p.dw.com/p/17sMG
Portret i Chavezit
Portret i ChavezitFotografi: Reuters

"Këtu vjen era squfur", deklaroi Hugo Chávez në shtator 2006 nga pulti i referuesit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke vazhduar "dje këtu ka qenë djalli." Ai fliste sikur e gjithë bota i përkiste atij e me këtë shprehje kishte parasysh ish-presidentin e SHBA-së, George W. Bush.

Hugo Chávezi njihej për fjalët troç dhe metaforat e larmishme. Fjalimet e tij polemizuese shpesh herë drejtoheshin kundër SHBA-së dhe "imperializmit të saj amerikano-verior." Me deklaratat e tij të luftës në adresë të neokapitalizmit ai bënte për vete shumë zgjedhës dhe shumë të majtë nga e mbarë bota. Tek disa njerëz ai kishte fituar statusin si shpëtimtar dhe yll mediatik, gjë që ai e kultivonte edhe në spektaklin e tij televiziv.
Kjo i shkonte për shtat karrierës së tij politike, e po ashtu edhe interpretimit që ai u bënte sipas dëshirës parimeve demokratike. Të hamendësosh se ai të gjitha këto ai i bënte me paramendim, duket se kjo nuk i përshtatet fort personit të tij. Sepse prejardhja ia bënte Chávez-it të besueshme retorikën luftarake, që përdorte.

Njeri i popullit

Hugo Chávez ndiqte traditën e Caudillos - udhëheqësi karizmatik i milicëve bolivarianë, që qysh nga luftrat për pavarësi përpara 200 vjetësh sundonin pjesë të tëra të Amerikës Latine. Askund tjetër Caudillos nuk kanë dominuar kaq gjatë sa në luginat e gjera të Orinokos. Pikërisht në këtë rajon lindi Chávez më 28 korrik 1954. Gjashtë muaj thatësirë dhe gjashtë muaj reshje, të shoqëruara pjesërisht me vërshime masive, kjo klimë i karakterizon pejzazhin dhe banorët e kësaj zone: Barinj, të cilët i përshtaten në mënyrën e tyre mjedisit të virgjër romantik. E kaluara luftarake dhe këngët e tyre depërtojnë edhe në identitetin e venezuelasve.

Hugo Chavez kthehet nga Kuba, gusht 2011
Hugo Chavez kthehet nga Kuba, gusht 2011Fotografi: Reuters


Djali i një familjeje të thjeshtë mësuesish e nisi angazhimin e tij politik në moshën 30 vjeçare si ushtar në ushtrinë e Venezuelës. Në 1983 ai themeloi bashkë me oficerë të tjerë "Lëvizjen Revolucionare Bolivariane 200". Me këtë ai kujtonte "Libertador" Simón Bolívar, i cili dikur e çliroi Veriun e Amerikës Jugore nga kolonizatorët spanjollë dhe Chávez e konsideronte veten si pasues të tij.


Të pakënaqur me politikën, që me sa duket nuk u kushtonte vëmendje interesave të masës së gjerë të popullsisë, grupi ushtroi puç në vitin 1992. Por grushti i shtetit kundër presidentit të atëhershëm Carlos Perez dështoi. Pasardhësi i tij Rafael Caldera pas dy vjetësh e liroi Chávez-in nga burgu. Pas kësaj Chávez u vu në kërkim të aleatëve politikë në Amerikën Latine dhe ndër të tjera u njoh me diktatorin e Kubës Fidel Castro. Në 1996 ai themeloi partinë e majtë "Lëvizja për Republikën e pestë", për të kandiduar në zgjedhjet e vitit 1998.


President i të varfërve

Ndonëse fillimisht u konsiderua si i parëndësishëm, shumë shpejt Chávezi fitoi popullaritet. Ai i shpjegonte pikëpamjet e veta socialiste në gjuhën e thjeshtë të popullit, duke prekur kësisoj nervin e masës, çka bëri që ai të zgjidhet me shumicë të madhe katër herë president.


Menjëherë pas marrjes së postit ai vuri në jetë politikën e shpronësimeve: qeveria shtetëzoi degë të rëndësishme të ekonomisë, në radhë të parë sektorin e naftës. Me këto të ardhura u financuan programe sociale, të cilat u siguronin trajtimin mjekësor dhe arsimin bazë falas të varfërve dhe fëmijëve të tyre. Në 2001 pasoi një reformë agrare për rigjallërimin e tokave të lëna djerrë. Deri më sot janë kaluar rreth pesë milionë hektarë tokë në pronësi të shtetit, që u është dhënë për përdorim bujqve e barinjve të varfër.

Me kthesën radikale - larg neokapitalizmit, që në fakt ka qenë modeli dominues që nga vitet 1980 në Amerikën Latine - ai nxiti një debat të ri politik edhe përtej kufijve të vendit: presidentët e majtë në vendet e tjera të rajonit ndoqën modelin e tij.
Përveç rendit ekonomik Chávez propagandonte një identitet të ri të përbashkët të popujve latino-amerikanë, duke i bashkuar ata emocionalisht kundër SHBA-së. Ai ishte një forcë nxitëse për krijimin e aleancave të politikës së jashtme si CELAC, ALBA dhe UNASUR, që synojnë të jenë kundërpesha ndaj hegjemonialitetit në Veri.

Kurs ideologjik me devijime


Ndonëse Chávez nuk ngurronte që naftën venezuelase ta këmbente me dollarin e SHBA-së, duke e furnizuar kësisoj armikun e klasës, qëndrimi i tij ndaj SHBA-së u kthye në mani. Ndonjëherë kjo bënte që ai të ndërmerrte veprime djallëzore: Në dimrin mes viteve 2006 - 2007 ai u shpërndau naftë amerikanëve të varfër nga SHBA-ja. Në kundërpërgjigje të "aksit të së keqes" që shpalli armiku i kryesor i tij George W. Bush, ai bashkë me bjellorusin Alexander Lukaschenko dhe iranian Mahmud Ahmadinedschad shpalli "aksin e së mirës".


Hugo Rafael Chávez Frías e ka themeluar "Socializmin e shekullit të 21-të" dhe e ka shndërruar atë në një lëvizje në Amerikën Latine. Ndryshe nga kolegët e tij në Brazil dhe në Kili, ai nuk merrte parasysh vlerat e lirisë dhe të rendit demokratik: frika dhe përndjekja ndaj opozitarëve prej milicëve bolivar, kontrolli i mediave dhe manipulimet në zgjedhje, të gjitha këto i ngarkohen atij. E kjo ka traditë në vendin nga vjen Chávez. Eshtë edhe kjo një nga arsyet përse për shumë bashkëatdhetarë Chávez do të mbetet një ikonë. Pavarësisht të gjithave çfarë ka bërë ai.


Trashëgimia e Chávez-it

Po kaq i dyjëzuar është edhe vlerësimi për suksesin e Chávez-it në politikën e brendshme: Gjatë kohës së qeverisjes së tij shumë venezuelas e kuptuan varfërinë ekstreme të tyre. Edhe sot e kësaj dite gjysma e popullsisë konsiderohet si e varfër. Pavarësisht reformave agrare rreth 70% e ushqimeve importohen dhe ekonomia vazhdon të jetë e varur prej naftës dhe çmimit të saj në tregun botëror, sepse në infrastrukturë pothuajse nuk është bërë asnjë investim. Në vend të kësaj politika e çmimeve dhe mungesa e sigurisë ligjore kanë bërë që të paralizohen disa degë të ekonomisë.

Autor: Jan D. Walter/ Vilma Filaj-Ballvora
Redaktoi: Auron Dodi