1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Humbet besimi tek institucionet - Largime masive nga Kosova

Bekim Shehu5 Shkurt 2015

Sociologu Artan Muhaxhiri flet në një intervistë për Deutsche Welle, për shkaqet se përse mijëra qytetarë të Kosovës po largohen nga vendi drejt vendeve perëndimore.

https://p.dw.com/p/1EW6M
Bushauptbahnhof Prizren im Kosovo
Fotografi: DW/R. Alija

DW: Zoti Muhaxheri, si e shpejgoni faktin e ikjes masive të qytetarëve të Kosovës që po migrojnë jilegalisht drejt vendeve të BE-së? Kemi dëgjuar arsye të ndryshme, por më e përfolura është largimi për një jetë më të mirë, si e shpjegoni këtë në aspektin social?

Muhaxhiri: Baza e gjithë kësaj ikjeje janë kushtet e mjerueshme sociale por edhe humbja e besimit në shtetin e Kosovës, sepse edhe para shpalljes së pavarësisë edhe pas shpalljes së pavarësisë ka pasur mungesë të adresimit të çështjeve elementare dhe problemeve fundamentale me të cilat është ballafaquar populli i Kosovës, prandaj e kemi të humbur besimin e qytetarëve në shtetin e Kosovën dhe ky reagim impulsiv i qytetarëve është si reagim i mugesës së shpresës dhe një alternative për një jetë më të mirë në shtetin e Kosovës. Pra është një akumulim i të gjithë atyre pakënaqësive. Qytetarët nuk kanë shpresë që partitë politike, kuvendi, qeveria do të merren me problemet e tyre të jetës së përditshme, prandaj po shfrytëzohet rasti i parë që njerëzit të largohen nga Kosova dhe të kërkojnë një jetë më të mirë diku tjetër.

DW: Qytetarët e Kosovës, jo shumë larg vetëm 15 vjet më parë me qindra mijëra ishin refugjatë, një pjesë e madhe e tyre edhe në vendet e BE-së dhe ku pothuaj shumica nga ta me të përfunduar lufta në mënyrë vullnetare u kthyen në Kosovë, ndërsa, tash 15 vjet pas luftës, po ndodh kjo ikje masive, ka një shpjegim kjo dukuri?

Muhaxhiri: Është e saktë kjo që e përmendi ju, sepse ka qenë një befasi e madhe edhe për shtetet e perëndimore që në atë kohë kosovarët kanë insistuar që të kthehen në shtepitë e tyre në vitin 1999, gjë që nuk ka ndodhur shembull me emigrantët e Bosnjes dhe Hercegovinës. Kthimi masiv i qytetarëve të Kosovës në vitin 1999 ka qenë një shembull i atdhedashurisë, i respetktit për vendin, sepse, ka ekzistuar një shpresë e madhe se me largimin e forcave serbe, në Kosovë do të ketë një zhvillim ekonomik, do të ketë investime nga jashtë, sepse Kosova është një vend i vogël dhe me shumë pak investime këtu do të kishte një gjendje ekonomike shumë të mirë. Por, për fat të keq kjo nuk ka ndodhur dhe për pasojë tash ka ardhur koha e pakënaqësive të mëdha, sepse, nuk ka as indikacione që mund të ketë investime të huaja dhe krijim të kushteve për investime, për një zhvillim të qendrueshëm ekonomik që është për mirëqenie sociale. Por këtu ka ndodhur u kundërta dhe mashtrimet e politikanëve duke bërë në fushata zgjedhore premtime të mëdha si p.sh. hapjen e vendeve të reja të punës, por asnjëherë në aspektin konkret nuk e kanë bërë. Prandaj ekziston një mosbesim i thellë i qytetarëve të Kosovës ndaj politikanëve dhe ndaj premtimeve të tyre. Pra me një fjalë ekziston një zhgënjim i madh i qytetarëve pse tash kemi këto ikje masive nga vendi. Kjo edhe është arsyeja që asnjë politikan i rëndësishëm nuk e ka marrë guximin që t'i vizitojë qytetarët që po ikin pikërisht nga qendra e Prishtinës, nga stacioni i autobusëve, që t'u kërkojë atyre në mënyrë direkte të mos largohen nga Kosova.

DW: Zoti Muhaxheri, ambasadat e shteteve të BE-së vazhdimisht janë shumë aktive për çdo proces që ndodh në Kosovë. Në rastin e migrimit të paligjshëm që aktualisht, kur destinacion janë pikërisht vendet e BE-së, nuk duket të ketë një angazhim nga ambasadat që të ndalet kjo ikje. Sa mendoni që ambasadat e huaja janë të angazhuara që të ndalet kjo ikje e njerëzve nga Kosova?

Muhaxhiri: Këtu ekziston një paradoks, sepse ambasadat e vendeve perëndimore vazhdimisht thonë se kosovarëve nuk do t'u pranohet azili, qytetarët nuk duhet të largohen, ndërsa, në anën tjetër, pikërisht shtetet prej nga vijnë këta ambasadorë nuk bëjnë asgjë konkrete që ta ndalin këtë emigrim. Migrimi ilegal ka filluar në atë moment kur është bërë publike që ekziston një mundësi e madhe për të kaluar në vendet e BE-së nga Kosova përmes Hungarisë. Migrimi mund të ndalet vetëm atëherë, kur të bëhet bllokada nga vendet e BE-së ku po hyjnë kosovarët ilegalisht. Pra, asnjë apel retorik nuk mund t'i ndalë kosovarët që të largohen nga vendi i tyre, por kjo mund të ndalet vetëm nëse bllokohet hyrja e qytetarëve kosovarë në kufijtë e vendeve të BE-së.

DW: Zoti Muhaxheri, ka me dhjetra raste të personave që kanë ikur dhe po ikin nga Kosova me një gjendje jo të keqe sociale, por megjithatë, kanë vendosur të largohen nga Kosova, si shpjegohet kjo?

Muhaxhiri: Në Kosovë ekziston një pasiguri dhe vështirësi e madhe për gjetjen e një vendi pune, sikundër ekziston një pasiguri e madhe për ruajtjen e vendit të punës, sepse nuk ka një funksionim të mirë të gjykatave, të sistemit të drejtësisë, nuk zbatohet ligji i punës dhe mbikqyrja e bizneseve dhe këto të fundit p.sh. mund të bëjnë çfarë të duan dhe në këtë kontekst edhe të punësuarit në kompani të ndryshme nuk janë të sigurt për vendin e tyre të punës, nuk janë të sigurt që të drejtat e tyre respektohen, prandaj edhe kalkulojnë që ikja e tyre është më me benefit sesa qëndrimi i tyre në Kosovë. Rroga mesatare në Kosovë është shumë e vogël, vetëm sa për të mbijetuar, prandaj tek këta persona gjithmonë ekziston arsyeja për të kërkuar një jetë më të mirë. Ne kemi pasur rastin kur edhe mjekët e Kosovës kanë migruar në Gjermani, mjek të cilët kanë qenë të punësuar në Kosovë.