1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

130710 EU Klima CO2 Reduktion

14 Korrik 2010

Evropa gulçon nga vala e vapës - por në rrafshin politik lufta kundër ndryshimit të klimës duket sikur po bie në harresë. Me objektiva të rinj ambiciozë të BE-së për klimën nuk llogaritet.

https://p.dw.com/p/OIOk
Ishulli Kiribati në jug të Paqësorit: Pita Meanke shikon se si dallgët përplasen me muret mbrojtëse të shtëpisë që ka ndërtuar familja e tij.
Ishulli Kiribati në jug të Paqësorit.Fotografi: AP/Greenpeace

Me gjithë valën aktuale të vapës në Evropë lufta kundër ndryshimit të klimës ka rënë në përgjithësi në harresë në BE. Kjo në një kohë kur gjatë krizës me më pak para mund të arrihet më shumë në uljen e gazrave serrë. Por, që BE-ja të rrisë në një kohë të afërt nga 20 në 30 për qind synimin për reduktimin nuk pritet.

Kondicionerët në lagjen e Evropës në Bruksel punojnë me kapacitet maksimal gjatë valës së vapës. Në politikën e klimës të BE-së nga ana tjetër punohet pa u munduar. Samiti i Kopenhagës dështoi. Dhe qeveritë kanë tani halle të tjera: Të përballojnë krizën financiare. Të shpëtojnë euron. Të nxisin rritjen ekonomike.

Prioritet ka sot kriza ekonomike

"Kjo është një situatë shumë e vështirë për ekonominë evropiane. Dhe në shumë kryeqytete tani është prioritet numër një: Si të sillemi me krizën ekonomike? Kjo është veçse e kuptueshme", thotë Connie Hedegaard, komisionerja evropiane për mbrojtjen e klimës. Ajo ka ngarkuar punonjës të llogarisin: Tani në kohën e krizës do të ishte në fakt më e lehtë të mbroje klimën. Sepse prodhohet më pak, çlirohet edhe më pak gaz serrë. Dy vjet më parë BE-ja i vuri vetes objektiv të ulte me 20 për qind çlirimin e CO2-it deri në 2020-ën. Kostot për arritjen e këtij synimi janë ulur tani dukshëm, thotë Connie Hedegaard:

Komisionerja evropiane për klimën, danezja Connie Hedegaard
Komisionerja evropiane për klimën, danezja Connie HedegaardFotografi: picture-alliance/ dpa

"Kostot për arritjen e synimit 20 për qind kanë zbritur nga 70 miliardë euro në 48. Me fjalë të tjera: Me shumën që përllogaritën në 2008-ën për arritjen e një reduktimi me 20 për qind tani mund të arrinim mbi 25 për qind."

Edhe reduktimi i çlirimit të CO2-it me 30% i arritshëm

Për disa miliardë më shumë janë të arritshme edhe 30 për qind, shton ajo. E megjithatë, as vetë komisionerja për mbrojtjen e klimës nuk u angazhua që BE-ja të vihet në ballë dhe t'i vërë vetes synimin detyrues për ta ulur çlirimin e CO2-it deri në 2020-ën më shumë, me 30 për qind. Por komisionerja e BE-së për mbrojtjen e klimës paralajmëron: Kur objektivat për mbrojtjen e klimës arrihen tani gati me gishtin e vogël, sepse në kohë krize oxhaqet nxjerrin më pak tymra, kjo nuk është doemos e mirë për klimën botërore. Sepse atëherë këto objektiva nuk prodhojnë shtysa të mjaftueshme për të kërkuar dhe për të shpikur teknika të reja për mbrojtjen e klimës.

Në kushtet aktuale temperaturat rriten me më shumë se 2°C

Me objektivat që i kanë vënë deri tani vetes vendet e industrializuara nuk do të arrihet që ngrohja e Tokës të kufizohet në dy gradë. Dy gradë konsiderohen përgjithësisht si niveli përcaktues për klimën botërore. Vetëm deri në këtë kufi mendohet të jenë disi të kontrollueshme pasojat e ndryshimit të klimës.

Autor: Andreas Reuter / Elert Ajazaj

Redaktoi: Eliana Xhani