1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hyn në fuqi kompromisi i Brukselit për kontrollin e integruar të kufirit Kosovë - Serbi

26 Dhjetor 2011

Zyrtarë të ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, konfirmojnë fillimin e zbatimit të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes mes Kosovës dhe Serbisë, siç është rënë dakord në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

https://p.dw.com/p/13ZNi
Fotografi: picture alliance/dpa

Zyrtarët e ministrisë, në mëngjesin e së hënës kanë qëndruar në pikalimin kufitar Kosovë-Serbi në Merdare për të parë nga afër zbatimin e marrëveshjes dhe sipas tyre çdo gjë është duke u zhvilluar normalisht pa ndonjë problem. Kjo është hera e parë që nga përfundimi i luftës që qytetarët e Kosovës me dokumente të Kosovës lejohen të kalojnë në Serbi, mirëpo, me disa proceduara shtesë. Veturat kosovare që kalojnë në Serbi, detyrohen të paguajnë një taksë sigurimesh nga 60 deri në 100 euro, për një muaj të qëndrimit eventual në Serbi. Tabelat e veturave me inicialet KS, mund të kalojnë pa problem në territorin e Serbisë, ndërsa, tabelat me inicialet RKS, " Republika e Kosovës", duhet të pajisen në kufij me tabela të përkohshme, për të qëndruar në Serbi për faktin që Serbia nuk pranon asnjë shenjë që identifikon Republikën e Kosovës.

Marrëveshja nuk mund të zbatohet në pikëkalime Jarinje dhe Bërnjak

Ministri i punëve të brendshme në qeverinë e Kosovës Bajram Rexhepi, tha të hënën (26.12) se marrëveshja me Serbinë për qarkullimin e lirë të njerëzve, vlen edhe për dy pikat kufitare në veri të Kosovës, në Jarinje dhe Bërnjak, mirëpo, për shkak të barrikadave të vëna nga serbët në rrugët kryesore në veri, kjo marrëveshje tash për tash nuk mund të zbatohet në këto dy pika kufitare. "Marrëveshja për qarkullimin e lirë të njerëzve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vlen edhe për pikat kufitare në veri, por në këtë pjesë lëvizjet e njerëzve janë të kufizuara për shkak të barrikadave, ndërsa, kompanitë e sigurimeve teknikisht e kanë të pamundur të funksionojnë në dy pikat kufitare", tha ministri Bajram Rexhepi, për mediat lokale në Kosovë.

Auf dem Foto ist die Chefin des kosovarischen Verhandlungteams und die Vizeministerpräsidentin Edita Tahiri Fotos von unserer Korrespondentin aus Brüssel - Marina Maksimovic 08. März 2011
Fotografi: DW

Qeveria e Kosovës, sipas kryenegociatores në biseda teknike me Serbinë Edita Tahiri, është e vendosur që të zbatojë çdo marrëveshje me Serbinë të arritur në Bruksel. Deri tani janë dy marrëveshje që janë duke u zbatuar, njohja e vulave doganore dhe së fundi nga data 26 dhjetor edhe qarkullimi i lirë i njerëzve, ndërsa, pritet të zbatohet edhe kthimi i regjistrave civil, kadastrat dhe njohja e diplomave universitare.

Edhe qeveria në Beograd dhe qeveria e Kosovës, janë shprehur për vazhdimin e dialogut për çështje tjera teknike dhe takimi i radhës thuhet se do të mbahet nga fundi i muajit janar në Bruksel.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora