1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

I dërguari special i Gjermanisë në Shkup

Fatos Musliu12 Maj 2016

VMRO-DPMNE e vetme në zgjedhje. Komisioni Shtetëror Zgjedhor në seancën e së enjtes (12.05) konfirmoi listën e kandidatëve pë deputetë të dorëzuar nga partia VMRO-DPMNE, për zgjedhjet e 5 qershorit.

https://p.dw.com/p/1ImTR
Diplomat Johannes Haindl
Fotografi: picture alliance/CTK/Horazny/Sterba

Gjendja në Maqedoni është ndërlikuar edhe më shumë pas vendimit të VMRO-DPMNE-së që të shkojë e vetme në zgjedhje. Për të ndihmuar në tejkalimin e gjendjes, në Maqedoni ka arritur edhe emisari gjerman, Johannes Haindl.

Ardhja e diplomatit gjerman shihet si një mundësi e re për nxjerrjen e vendit nga kriza, në të cilën ndodhet vendi prej një viti e gjysmë, apo që nga paraqitja e asaj që njihet si aferë e përgjimeve. Përfaqësuesi special i Gjermanisë për Maqedoninë, Johanes Haindl pas arritjes në Shkup, ka dhënë prononcimin e parë për media.“Kam ardhur këtu të njihem me situatën dhe të dëgjoj. Bëhet fjalë për atë që procesi i iniciuar nga SHBA dhe BE të korr sukses. Detyrën time e shoh në përkrahje aktive të këtyre përpjekjeve. Zhvillimet ditëve të fundit tregojnë qartë se koha është e shkurtër dhe tani nevojitet përpjekje e përbashkët nga të gjitha partitë politike që të zbatohen reformat e nevojshme dhe bindshëm të vazhdohet në këtë rrugë”, deklaroi Johannes Haindl.

Në agjendën e tij është takimi me liderët e partive politike, nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos, si dhe me ambasadorin e SHBA-së dhe ambasadorë të tjerë të vendeve të BE-së. Në njoftimin nuk është theksuar nëse Haindl planifikon të takohet me presidentin Gjorge Ivanov.

VMRO-DPMNE e vetme në zgjedhje

Komisioni Shtetëror Zgjedhor në seancën e së enjtes (12.05) konfirmoi listën për deputet të dorëzuar nga partia VMRO-DPMNE, për zgjedhjet e 5 qershorit. Anëtarë e komisionit kanë konstatuar se listat nuk përmbajnë parregullsi. Me vendimin për të marrë pjesë e vetme në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 5 qershor, VMRO DPMNE-ja që drejtohet nga Nikolla Gruevski thotë se ka vepruar në përputhje me ligjin për shpalljen e zgjedhjeve dhe sipas saj, për një parti politike nuk duhet të ketë prioritet më të madh se sa respektimi i ligjeve dhe i kushtetutës së vendit.

“Në përputhje me vendimin e organeve drejtuese të partisë, VMRO DPMNE ka dorëzuar listat me kandidatë për deputet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në 5 qershor. Organet drejtuese gjithashtu kanë vendosur të mbështesin ekipin negociator në bisedimet për dalje nga kriza”, ka deklaruar Vlladimir Nelovski nga VMRO DPMNE-ja.

Lista deri te KSHZ-­ja, siç paralajmëruan paraprakisht, nuk kanë dorëzuar LSDM­-ja, BDI­-ja dhe PDSH­-ja. Vlerësimi i tyre i përbashkët është se zgjedhje nuk mund të ketë pa plotësimin e kushteve për mbajtjen e tyre në atmosferë të lirë dhe demokratike.“Kthim pas nuk ka. Pa pastrimin e listës zgjedhore, pa reforma në media dhe pa anulimin e vendimit të presidentit për falje, zgjedhje më 5 qershor nuk do të ketë. Kriminelët do të përballem me drejtësinë ndërsa qytetarëve do t'u sigurohen zgjedhje të lira dhe demokratike”, thuhet në reagimin e LSMD-së.

Analistët: Nuk mund të ketë zgjedhje vetëm me një parti

Shkuarja në zgjedhje vetëm e VMRO-së, do ta ndërlikojë edhe më shumë krizën politike në Maqedoni, thotë Mitko Gaxhovski, njohës i çështjeve politike.

Bëhet fjalë për një hap me të cilin VMRO-ja edhe më tej i jep shpresë anëtarësisë se është e mundur mbajtja e zgjedhjeve më 5 qershor. Është një veprim që aspak nuk do t'i ndihmojë zgjidhjes së krizës, përkundrazi ajo do të thellohet edhe më tej”, thotë Gaxhovski.

Mospjesmarja e partive politike shqiptare në zgjedhje për analistin Albert Musliu është një sinjal se ato i qëndrojnë besnik partnerit ndërkombëtar.

“Kjo tregon së paku një unitet të subjekteve shqiptare, si një reflektim të qëndrimeve të komunitetit shqiptar në Maqedoni lidhur me bashkëpunimin me partnerët tanë ndërkombëtarë. Uroj që ky unitet dhe kontstruktivitet të vazhdojë edhe në ditët në vijim me qëllim që të mos lejohet që vetëm VMRO-DPMNE të shkoj në zgjedhje, meqë atëherë do të kemi një krizë shumë më të thellë”, thotë analisti Albert Musliu.

VMRO-DPMNE ka dorëzuar listat për deputetë jo sepse realisht ka për qëllim mbajtjen e zgjedhjeve, por me këtë akt ka për qëllim që të bëjë tregti në bisedime, të cilat do të udhëhiqen nga ndërkombëtarët, vlerëson profesori universitar Stevo Pendarovski.“Bisedimet kanë për qëllim tërheqjen e amnestisë nga presidenti dhe ndryshimin e datës së zgjedhjeve. Nëse VMRO-DPMNE nuk do të dorëzonte lista për kandidatë, praktikisht do të largohej nga kjo kartë, që po luan në bisedime. Data e 5 qershorit dhe amnestia janë dy çështje me të cilat VMRO-DPMNE do të bëjë tregti”, thotë Pendarovski.Sipas tij, mospjesëmarrja e BDI-së në zgjedhje ishte shokuese për VMRO-DPMNE, e cila deri në momentin e fundit nuk besoi se BDI nuk do të rrijë në fjalë.

Profesor Bekim Kadriu nuk përjashton mundësinë që partia VMRO-DPMNE ta tërheqë listën e kandidatëve për deputet, në rast se ndaj partisë maqedonase në pushtet ushtrohet ndonjë presion ndërkombëtar. Ai thotë se vetëm akti i dorëzimit të listave për deputet nuk garanton se do të mbahen zgjedhjet më 5 qershor. “Dorëzimi i listave nuk nënkupton se me të vërtetë do të mbahen zgjedhje, nëse partitë politike vendosin të mos marrin pjesë në to edhe pse i kanë dorëzuar listat. Nëse mbahen zgjedhjet më 5 qershor, mendoj se ne hymë edhe më thellë në krizën politike”, ka deklaruar Kadriu.