1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Imigrantët si informatorë?

Sven Pöhle / exh18 Maj 2014

Qendra Kryesore për Marrjen në Pyetje për dekada me radhë ka mbledhur informacione nga azilkërkuesit në Gjermani. Në fund të qershorit ajo do të mbyllet por praktika e deritanishme nuk do të marrë fund.

https://p.dw.com/p/1C1fE
Qendra Kryesore për Marrjen në Pyetje - Berlin
Fotografi: imago/Stefan Zeitz

Në verë merr fund me Qendrën Kryesore për Marrjen në Pyetje (HBW) një pjesë e historisë së shërbimit të fshehtë. Më shumë se 50 vjet me radhë ka ekzistuar autoriteti nën varësinë e Shërbimit Informativ Federal (BND). Por pasi nëntorin e kaluar u bë publike se atje shërbimet sekrete në mënyrë të rregullt merrnin informacione fshehurazi nga azilkërkuesit, qeveria gjermane pak kohë më vonë njoftoi mbylljen e autoritetit.

Fundi i autoritetit nuk nënkupton fundin e marrjes në pyetje

Aktualisht pranë HBW punojnë ende rreth 40 punonjës, deklaroi qeveria gjermane pas një kërkese për informacion të drejtuar nga grupi parlamentar i Partisë E Majta në muajin prill. Planifikohet që HBW të shpërbëhet në 30 qershor 2014, bëri të ditur Shërbimi Informativ Federal pas një pyetjeje të Deutsche Welles.

"Në vend që të vihet në shqyrtim dhe të ndryshohet praktika e autoritetit, kemi të bëjmë këtu me një manovër për të larguar vëmendjen", kritikon zv/kryetari i Partisë E Majta, Jan Korte, në një deklaratë për DW: "BND thjesht vendos etiketa të tjera mbi dyer dhe njerëzit në situata të vështira vazhdojnë të shfrytëzohen".

Marrja në pyetje e azilkërkuesve nuk përfundon me mbylljen e Qendrës për Marrjen në Pyetje. Shërbimet informative gjermane mund të marrin edhe në të ardhmen informacione nga azilkërkuesit në Gjermani. Kështu shkruhet në përgjigjen e qeverisë gjermane ndaj pyetjeve të drejtuara nga grupi parlamentar i Partisë E Majta, një kopje të së cilës e ka agjencia e lajmeve dpa. Sipas saj Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) i përcjell edhe më tej informacioneve nga procedurat e azilit, Shërbimit Federal Informativ (BND) dhe Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës.

Strehë refugjatësh në Friedland
Shfrytëzim i azilkërkuesve nga shërbimet sekrete në Gjermani?Fotografi: picture-alliance/dpa

Sa kohë që marrja në pyetje e azilkërkuesve bëhet hapur nga shërbimet sekrete nuk ka asgjë për të kritikuar, thotë avokati Victor Pfaff i specializuar në legjislacionin për të huajt, dhe anëtar themelues i organizatës "Pro Asyl". Problematike është kur "azilkërkuesit i lihet të besojë se bëhet fjalë vetëm për njohjen ose jo të tij si refugjat dhe i kërkohet të japë informacione të sakta." Nëse marrja personale në pyetje në procedurën e azilit përdoret për të nxjerrë informacione për shërbimet sekrete, kemi të bëjmë me një keqpërdorim të procedurës, thekson avokati. "Azilkërkuesit duhet t'i garantohet që ajo që ai thotë nuk do të përcillet më tutje dhe do të përdoret vetëm për shqyrtimin e kërkesës së tij për azil", thotë Pfaff. Por praktika ka treguar se njohja e azilit dhe dokumentet e udhëtimit jepen shumë shpejt kur azilkërkuesi arrin të japë informacione relevante për shërbimin sekret.

E kontestuar: Përcjellja e informacioneve tek shërbimet sekrete aleate

Këto informacione janë ndarë edhe me shërbime sekrete mike. Në nëntor 2013 BND konfirmoi për DW se ka në dispozicion të dhënat e mbledhura në Qendrën Kryesore për Marrjen në Pyetje dhe se këto të dhëna mund t'i përcillen edhe partnerëve ndërkombëtarë. Kjo do të vazhdojë në këtë mënyrë edhe pas mbylljes së autoritetit: "Shkëmbimi i përgjithshëm i informacioneve me shërbimet sekrete të huaja mbetet i paprekur", thuhet në përgjigjen e qeverisë gjermane për grupin parlamentar të Partisë E Majta.

Symbolbild - Predator Drohne
Fotografi: Getty Images

Përcjellja e informacioneve të caktuara të azilkërkuesve është e kontestuar, sepse kështu Gjermania mund të merrte pjesë indirekt në vrasjet e qëllimshme të SHBA në vende të tjera. E kontestuar në këtë mes është edhe natyra e të dhënave që mund të përcillen. Sipas këndvështrimit të qeverisë gjermane të dhënat e telefonisë mobile për shembull janë shumë të pasakta për "zbulimin konkret të objektivit". Por ekspertët e IT kundërshtojnë: teknikisht është në çdo kohë e mundur të lokalizohet pozicioni i një telefoni celular nga çdo vend i botës.

Sipas informacioneve të gazetës Süddeutsche Zeitung (SZ) dhe radios Norddeutscher Rundfunk (NDR), në të kaluarën SHBA kanë shfrytëzuar për sulme me avionë pa pilot, informacione që vinin nga azilkërkues në Gjermani. Të dhëna të tilla si numra telefonësh celularë kanë ndihmuar p.sh. të zbulohen, kapen apo edhe të vriten persona të dyshuar si terroristë.

Qeveria gjermane në këtë mes i referohet të ashtuquajturit "ndalim i përcjelljes së informacionit". Në këtë rregull të brendshëm shërbimi për përcjelljen e informacioneve tek partnerët ndërkombëtarë thuhet ndër të tjera: "Të dhënat e përcjella nuk duhet të shërbejnë si bazë apo argument për (...) një dënim me vdekje." Në përgjigjen e qeverisë gjermane thuhet se supozohet që "informacionet nga marrjet në pyetje përdoren për krijimin e një pamjeje të përgjithshme të situatës nga shërbimet sekrete të huaja". Por nuk ka asnjë informacion se si përdoren saktësisht të dhënat e përcjella nga shërbimet sekrete aleate.

"Kjo praktikë e shfrytëzimit të njerëzve në nevojë duhet të marrë fund pa vonesë", kërkon Jan Korte nga Parta E Majta. "Veçanërisht duke pasur parasysh se qeveria gjermane nuk është në gjendje të përjashtojë se informacionet e përftuara nuk përdoren për vrasjet me avionë pa pilotë të SHBA, që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare."

Një fund të marrjeve në pyetje nuk do të ketë një herë për një herë. Se si do të jetë praktika në të ardhmen, është ende e paqartë. Po kështu edhe se kush do ta kryejë atë dhe nëse punonjësit e shërbimit sekret do të paraqiten qartë si të tillë para azilkërkuesve. Shërbimi Informativ Federal nuk jep përgjigje për këtë pyetje duke iu referuar ruajtjes së sekretit.