1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Incidente të vogla gjatë festimeve të pavarësisë

Bekim Shehu18 Shkurt 2008

Zyrtarë të policisë në Kosovë njoftojnë se gjatë festimeve të natës së 17 shkurtit ka humbur jetën një person dhe janë plagosur disa të tjerë. Në pjesën veriore të Kosovës janë regjistruar shpërthime.

https://p.dw.com/p/D97z
Pamje nga festimet në Prishtinë.Fotografi: AP

Gjatë festimeve për shpalljen e pavarësisë në Kosovë ka humbur jetën të paktën një person dhe janë lënduar pesë të tjerë. Që të gjithë janë shqiptarë të Kosovës. Zyrtarë të policisë thanë se rastet kanë ndodhur si pasojë e shkrepjes së armëve të zjarrit gjatë festimeve dhe zënkave të ndryshme ndërmjet të rinjve. Gjendja shëndetësore e të lënduarve njoftohet së është e qëndrueshme. Policia njofton po ashtu se në pjesën veriore të Kosovës, të banuar nga shumica serbe, gjatë natës ka pasur disa shpërthime ku cak sulmi kanë qenë objektet dhe veturat e administratës ndërkombëtare. Dëme në njerëz nuk ka pasur.

Zëdhënësi i policisë Veton Elshani, thotë se në përgjithësi policia konsideron se gjendja e sigurisë në Kosovë paraqitet e qetë dhe rastet e sipërpërmendura i cilëson si raste të izoluara. Organet e rendit edhe gjatë ditës së sotme janë të anagazhuara gjithandej Kosovës duke qenë më të përqendruara përreth vendbanimeve serbe. Kjo për faktin që pothuajse në të gjitha emklavat serbe gjatë ditës zhvillohen protesta kundër pavarësisë së Kosovës.

Kosovo Unabhängigkeit Thaci und Sejdiu mit neuer Flagge
Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu duke prezantuar flamurin e Kosovës.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës edhe sot u kanë bërë thirrje qytetarëve që të përmbahen nga veprimet që mund të nxisin tensione. Ndërsa serbët e Kosovës i kanë porositur që mos të frikësohen nga pavarësia, sepse të drejtat e tyre në Kosovë do të mbrohen me ligj.