1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

281009 Anschlag Pakistan

29 Tetor 2009

Në mbarë botën dënohen atentatet katastrofale në Kabul dhe Peshavar. Zyra presidenciale amerikane theksoi vendosmërinë e saj, për të mos u stepur prej veprave të ekstremistëve radikalë-islamikë.

https://p.dw.com/p/KIe5
Pas shpërthimit të një autobombe në Peshavar më 23.10.2009
Pas shpërthimit të një autobombe në Peshavar më 23.10.2009Fotografi: AP

Në qytetin pakistanez Peshavar, në një treg me shumë njerëz u krye një atentat i rëndë. Në atentat pati më shumë se 90 viktima dhe të paktën 200 të plagosur. Forcat e sigurisë druhen se numri i viktimave do të rritet. Atentati ndodhi gjatë vizitës triditore në Pakistan të ministres së Jashtme të SHBA, Hillary Klinton. Me të mbërritur, Klintoni e dënoi në një konferencë shtypi atentatin si sulm burracakësh ndaj njerëzve të pafajshëm.

Në një rrugë me gjallëri në një treg të Peshavarit shpërtheu një bombë. Gati 100 vetë u vranë, më shumë se 200 u plagosën. Atentatorët patën fshehur rreth 100 kg lëndë shpërthyese në një automjet, të cilin e hodhën në erë. Një shtëpi dykatëshe u rrëzua, në shumë dyqane shpërtheu zjarr.

Waheed Jan, njëri nga ndihmësit bujarë e pa me sytë e tij shpërthimin: "Një automjet erdhi dhe qëndroi para tregut. Pak pas kësaj ndodhi një shpërthim i madh. Disa godina u shkatërruan."

Një tjetër tha, midis viktimave janë para së gjithash gra dhe fëmijë. "Në treg ndodheshin në atë kohë shumë gra duke bërë pazar. Ne kemi nxjerrë të paktën 50 viktima nga gërmadhat dhe më shumë se 150 të plagosur. Shumë vende tregtimi u përfshinë nga flakët. Ishte si një përmbysje e botës."

Kudo në Pakistan janë ashpërsuar masat e sigurisë. Ky ishte atentati i tretë në Peshavar brenda një muaji, por më i rëndi që prej gati dy vjetësh.

Qeveria po bën ç' është e mundur, tha komisari drejtues i policisë në Peshavar, Azam Khan: "Policia nuk mund të jetë kudo. Atentate të këtij lloji mund të pengohen vetëm me vështirësi. Ne kemi vendosur një unazë sigurie përreth qytetit. Tani përpiqemi që të angazhojmë edhe publikun. Biznesmenët dhe tregtarët duhet të ndihmojnë për ta rritur sigurinë në sheshet publike."

Përgjegjësinë për atentatin nuk e ka marrë askush. Megjithatë besohet se përgjegjës për të janë ekstremistë islamikë. Ushtria pakistaneze po zhvillon aktualisht një ofensivë të shkallës së gjerë kundër Talibanëve në Vaziristanin Jugor, në Veri të vendit.

Pakistan USA Hillary Rodham Clinton bei Nawaz Sharif in Lahore
Ministrja e Jashtme e SHBA-së Hillary Rodham Clinton në takimin me ish-kryeministrin e Pakistanit Nawaz Sharif in Lahore më 29.10. 2009Fotografi: AP

Ministrja e jashtme e SHBA, Hillary Klinton e dënoi atentatin si akt burracakësh. Ajo kishte qëndruar pak orë më parë në Islamabad, për ta garantuar qeverinë pakistaneze për mbështetje në luftë kundër terrorizmit. "Sot u krye një atentat tjetër brutal dhe pas shpine, në të cilin e humbën jetën edhe më shumë njerëz të pafajshëm. Terroristët janë të aftë për të shkatërruar, por nuk janë në gjendje të ndërtojnë. Këtë ne jemi në gjendje ta bëjmë më mirë. Ministri i Jashtëm i Pakistanit dhe unë biseduam se si mund të bashkëpunojmë edhe më ngushtë."

Pakistani konsiderohet aleati më i rëndësishëm i SHBA-së në luftën kundër terrorizmit. Ministrja e Jashtme e SHBA-së do të takohet në vizitën e saj triditore me udhëheqjen politike dhe ushtarake të Pakistanit, si dhe me kryetarët e fiseve në rajonin kufitar në Veriperëndim të vendit, si dhe me përfaqësues të ekonomisë.

Autor: Bernd Musch-Borowska / Auron Dodi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora