1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

181111 Cameron EU

18 Nëntor 2011

Qëndrimi i britanikëve në krizën evropiane të borxheve, shihet si pak konstruktiv prej politikanëve të eurogrupit. Kjo mund të relativizohet me vizitën në Gjermani të kryeministrit David Cameron të premten (18.11.).

https://p.dw.com/p/13Ctq
David Cameron dhe presidenti i Këshillit të BE-së Herman Van Rompuy në Bruksel
David Cameron dhe presidenti i Këshillit të BE-së Herman Van Rompuy në BrukselFotografi: dapd

Duhet të ketë qenë një skenë e shënuar ajo në samitin e fundit të BE-së. Kryeministri britanik David Cameron kritikoi ashpër kolegët e tij të Eurozonës për menaxhimin e tyre me gjysmë zemre të krizës, aq ashpër saqë Nicolas Sarkozy-së i kërceu damari. Presidenti francez thuhet të ketë provokuar me fjalët: Ju, zoti Cameron, humbët një mundësi të mirë për të heshtur. Me siguri, e përkthyer kjo do të thotë: më mirë ta kishe mbyllur gojën! Kështu thuhet të ketë ndodhur pas dyerve të mbyllura në Bruksel.

Cameron në samitin e BE-së në Bruksel, 23.10.2011
Cameron në samitin e BE-së në Bruksel, 23.10.2011Fotografi: dapd

Britanikët edhe më tej në kurs distancimi nga euro

Para kamerave Cameron flet më pas për përgjegjësi të përbashkët dhe për solidaritet, por i pyetur nëse ishte i zhgënjyer që Britania e Madhe nuk ishte e përfshirë në mënyrë aktive në menaxhimin e krizës, kryeministri thotë: "Jo nuk jam i zhgënjyer, sepse nuk jam pjesë e euros dhe nuk dua që Britania e Madhe t'i bashkohet euros dhe këtë e konsideroj edhe zgjidhjen më të mirë për ekonominë britanike."

Pozicioni i britanikëve në Bruksel është aktualisht i ndarë më dysh. Nga njëra anë ata i shtyjnë shtetet e euros për të marrë masa të plota kundër krizës së huave, por kur është fjala për dorëzimin e kompetencave te Evropa, për shembull në mbikëqyrjen e buxhetit shtetëror, atëherë nuk duan t'ia dinë. Madje David Cameron ka deklaruar këtë javë se do ta shfrytëzojë krizën për të rimarrë kompetenca prej Brukselit. Edhe ministri i tij i financave George Osborne, bën të qartë se tani vendet e euros duhet të ndihmojnë vetveten. "Eurozona duhet t'i tregojë botës që qëndron pas monedhës së saj. Nuk mund të presim se ç'ndodh në Athinë apo në Romë. Duhet të ketë progres edhe në Bruksel, sepse në qoftë se nuk ka, atëherë kjo do të ketë pasoja të rënda për gjithë ekonominë evropiane, e kësisoj edhe për ekonominë britanike."

London Stock Exchange
London Stock Exchange

Britanikët kundër taksës financiare

Ja ku është sërish, ekonomia britanike. Atje e ka hallin qeveria në Londër. Planet gjermane për një taksë mbi transaksionet financiare shihen atje si sulm kundër zemrës së ekonomisë britanike, më saktë: kundër tregut të fuqishëm financiar, Londrës. Këtë britanikët duan ta mbrojnë. Për kryesuesin e euro-skeptikëve britanikë në Parlamentin Evropian, Nigel Farage, dominanca e qeverisë gjermane në krizën aktuale kalon çdo kufi. "Tani jetojmë në një Evropë të dominuar nga Gjermania. Në fakt projekti evropian donte të pengonte pikërisht këtë."

Zëra të tillë vijnë në mënyrë tepër provokuese, mirëpo së paku ata tregojnë se sa larg njëri me tjetrin janë në kohën e krizës përfytyrimet gjermane dhe ato britanike për të ardhmen e Evropës.

Autor: Leon Stebe / Elert Ajazaj

Redaktoi: E. Xhani