1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ishujt Falkland - mollë sherri e interesave

2 Prill 2012

Perspektivat për burime nafte e kanë ashpërsuar konfliktin për ishujt Falkland: Në konfrontimin midis Argjentinës dhe Britanisë së Madhe kemi të bëjmë me interesa strategjike.

https://p.dw.com/p/14W1m
Flamuri britanik në Axax Bay
Flamuri britanik në Axax BayFotografi: AP

Rituali është thuajse i njëjtë. Në përvjetorin e luftës së Falklandit "mprehen shpatat". Kështu është duke ndodhur edhe kësaj here, në prag të përvjetorit të 30-të të pushtimit argjentinas të 2 prillit. Argjentina dhe Britania e Madhe akuzojnë njëra - tjetrën për "kolonializëm" dhe "imperializëm" dhe theksojnë pretendimet e tyre mbi grupin e ishujve, në të cilin jetojnë rreth 3000 banorë me 1200 anëtarë të ushtrisë britanike dhe një gjysmë milioni dhen. 

Londra ka dërguar në Atlantikun jugor anije luftarake dhe sipas njoftimeve të shtypit edhe një nëndetëse me armë atomike në bord. Këtë presidentja e Argjentinës Cristina Fernández de Kirchner e quan në një notë proteste dërguar Kombeve të Bashkuara, "rrezik të madh për sigurinë ndërkombëtare" .

"Në kryqëzatë"

"Presidentja argjentinase ndodhet në një fushatë personale kryqëzate", thotë Sukey Cameron, përfaqësuesja e ishujve të Falklandit në Londër. "Çështja e ishujve radhitet shumë lart në rendin e ditës."

Faktikisht Argjentina ka rritur presionin dy vitet e fundit. Kështu për shembull që prej vitit 2010 anijet që kalojnë ujërat territoriale argjentinase duhet të marrin një leje të posaçme nëse ndodhen në rrugë për në arqipelag, i cili ndodhet 500 km larg. Në fund të vitit të kaluar katër vende të unionit ekonomik amerikano-jugor i mbyllën portet e tyre për anijet që udhëtonin nën flamurin e ishujve Falkland.

Protesta në Argjentinë
Protesta në ArgjentinëFotografi: Reuters

Ky hap ka vetëm rëndësi simbolike, por banorët e ishullit druhen nga sanksione të tjera siç mund të jetë embargoja për firmat që veprojnë në ishull.

Përveç kësaj bëhen spekullime se Kirchner do ta dëtyrojë edhe Kilin që të bllokojë lidhjen e vetme ajrore për në Amerikën e Jugut. Në fund të viteve 90-të Kili pati shprehur gatishmërinë që të pezullonte fluturimet javore.

Grindje për princin Uilliamin

Londra reagoi ndaj këtij presioni duke dërguar kryetarin e ardhshëm të shtetit, princin William. Nipi i mbretëreshës, pilot helikopteri në forcat ajrore britanike u dërgua në fillim të muajit për të qëndruar gjashtë javë në bazën ajrore, Mount Pleasant. Ministria e Mbrojtjes thekson se kjo është rutinë dhe ka qenë shumë kohë më parë e planifikuar, por këtë nuk e beson askush. "Vështirësia që kam unë për ta besuar këtë argument është se stacionimet nuk kanë qenë kurrë  çështje rutine", thotë Klaus Dodds, ekspert për gjeopolitikën në Kolegjin Royal Holloway të Universitetit të Londrës. Nuk është çudi që Argjentina shikon në këtë veprim një provokim të qëllimshëm.

Sipas Dodds arkipelagu është interesant për shkak të lëndëve të para. Kështu mendohet që rreth 200 ishujve të gjendet naftë, megjithëse shpimet deri tani nuk kanë sjellë rezultate të qarta. Por më e rëndësishme është perspektiva afatgjatë e rezervave të lëndëvë të para, thotë eksperti: "Një nga faktorët e rëndësishëm që nuk diskutohet është afërsia me Antarktikun."

Kapitullimi i trupave argjentinase në ishujt Falkland, 1982
Kapitullimi i trupave argjentinase në ishujt Falkland, 1982Fotografi: picture-alliance/dpa

Ishujt shërbejnë si trampolinë për "Territoret britanike në Antarktik", një sipërfaqe e madhe mbi kontinentin e akullt që pretendohet nga Britania e Madhe. "Unë nuk jam duke thënë se në Antarktik do të nxirren në një të ardhme të afërt naftë, gaz, uran, zink dhe lëndë të tjera të para", thotë Dodds. "Por Pakti i Antarktikut, i cili e ndalon këtë, nuk ka pse të jetë në fuqi përgjithmonë." Kështu direktivat e protokollit të ambientit mund të hiqen në një konferencë rirshqyrtuese në vitin 2048.   

Autor: Dennis Stute/ Aida Cama
Redaktoi: Vilma Filaj- Ballvora