1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Interesim i komunitetit ndërkombëtar për votimet në Shqipëri

Arben Muka19 Qershor 2015

Ambasadori i RFGJ në Shqipëri, Hellmut Hoffmann ka apeluar në ditën e fundit të fushatës elektorale për pjesëmarrje në votimet e ditës së dielë, në mënyrë që qytetarët të përdorin të drejtën e tyre për të zgjedhur.

https://p.dw.com/p/1Fjc9
Wahlen in Albanien 2013
Fotografi: DW/A. Muka

Kur kanë mbetur dhe pak kohë që në 61 bashkitë e Shqipërisë do të zhvillohen zgjedhjet për pushtetin lokal janë shtuar zërat e ndërkombëtarëve për mbarëvajtjen e tyre, duke e lidhur standardin e votimeve me procesin e integrimit evropian të vendit. Në një prononcim për mediat ditën e premte (19.06), që është dhe dita e fundit e fushatës elektorale, ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Hellmut Hoffmann theksoi rëndësinë shumë të madhe që kanë zgjedhjet në një sistem demokratik, pasi sipas tij, qytetarët kanë kështu mundësinë të përcaktojnë se kush do të duhet të drejtojë fatet politike të vendit.

“Zgjedhëset dhe zgjedhësit shqiptarë mund të vendosin ditën e dielë, se kush do të përfaqësojë interesat e tyre në nivel lokal vitet e ardhshme. Kjo është një mundësi për të bashkëformësuar të ardhmen e Shqipërisë dhe shpresa ime është, që shumë shqiptarë ta përdorin të drejtën e tyre për të zgjedhur. Vetëm kush shkon të votojë merr përsipër përgjegjësitë, që i takojnë një qytetari aktiv.”

Der Botschafter Deutschlands in Tirana Hellmut Hoffmann
Ambasadori i RFGJ në Shqipëri, Hellmut HoffmannFotografi: picture-alliance/dpa

Ambasadori Hoffmann kujtoi në deklaratën e tij dhe kontekstin e procesit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. “Pikërisht në një vend, që është kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, zgjedhjet vëzhgohen me vëmendje të veçantë në nivel ndërkombëtar, duke qenë se janë një test i rëndësishëm për zhvillimin e demokracisë, e për këtë arsye është tejet e rëndësishme që ato të zhvillohen në mënyrë transparente dhe ligjore.“

Të dielën rreth 100 vëzhgues si përfaqësues të BE-së

Për të shprehur rëndësinë që kanë zgjedhjet, më herët shefja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadorja Romana Vlahutin, konfirmoi se në ekipin e vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it do të jenë dhe rreth 100 përfaqësues nga shtetet anëtare të BE-së, të cilët janë në pjesën më të madhe përfaqësues të selive diplomatike të akredituara në Tiranë. Ambasadorja Vlahutin vuri theksin tek fenomeni i shitjes së votave dhe spekulimeve me ushtrimin e të drejtës së votimit nga qytetarët, pasi sipas saj ata duhet të marrin pjesë në demokraci, sepse ata nuk janë objekti i spekulantëve, por janë subjekt i procesit të votimeve.

“U kemi bërë thirrje qytetarëve, që të bëjnë kujdes dhe të mbeten të angazhuar, dhe të refuzojnë çfarëdo rryshfeti dhe presioni që mund t'u bëhet. Vota juaj është e fshehtë, ajo është liria juaj dhe askush nuk mund ta marrë atë. Dita e zgjedhjeve është një mundësi që qytetarët të përmirësojnë demokracinë dhe përmes saj të përmirësojnë jetesën e tyre të përditshme” – ka apeluar shefja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.