1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

100210 Iran Sanktionen

10 Shkurt 2010

Për shkak të programit të tij atomik Irani është izoluar në botë. Po kush vuan në Iran nga sanksionet?

https://p.dw.com/p/LyEv
Demonstrata pro sanksioneve në Iran
Demonstrata pro sanksioneve në IranFotografi: picture-alliance / dpa

Izolimi i Iranit nga bota po vazhdon. Prej këtij vendi po distancohet gjithnjë e më shumë edhe ekonomia gjermane. Koncerni Siemens deklaroi se në mes të vitit do ta ndërpresë biznesin e tij me Iranin. Më parë prej Iranit u tërhoqën banka të mëdha gjermane. Por kush vuan më tepër në Iran prej barrës së sanksioneve?

Retrospektivë

Viti 1979 ishte viti i revolucionit iranian. Ajatollah Komeini mori sundimin, Irani u bë republikë islamike. Në nëntor 1979, studentë të armatosur sulmuan ambasadën amerikane në SHBA dhe morën 66 vetë si pengje. Si përgjigje SHBA vendosën sanksione ekonomike. Pas më shumë se 400 ditësh, pengjet u lanë të lira. Por embargoja mbetet në fuqi. Të gjitha mallrat e prodhura në SHBA nuk lejohet të shiten në Iran. Kjo prek edhe pjesët e këmbimit për avionë civilë, Boeing dhe Airbus.

Pasojat e embargos

Që atëherë, shoqëria ajrore iraniane Iran Air si dhe shoqëri ajrore private iraniane nuk kanë mundësi t'i përdorin avionët modernë nga SHBA dhe Evropa. Ato mjaftohen me avionë të përdorur rusë - dhe këta rrëzohen shpesh.

Në 30 vitet e fundit prej rrëzimeve të avionëve në Iran kanë humbur jetën 1.720 vetë. Rasti i fundit: një avion Tupolev u rrëzua në qershor 2009, 169 vetë humbën jetën. Midis tyre edhe Abdi Jamini, një kompozitor i njohur në Iran. Shoku i tij Kazem tregon: "Ai kishte gjithnjë frikë nga Tupolevët. Të gjithë e dinin këtë. Na ra si shok, kur dëgjuam se ishte në bordin e atij avioni."

Aksidenti i fundit ajror në Iran, Xhanatabad, 15 korrik 2009
Aksidenti i fundit ajror në Iran, Xhanatabad, 15 korrik 2009Fotografi: picture alliance/dpa

Politikanët iranianë ia vënë fajin SHBA-së për fatkeqësitë me avionët. Ato janë armiku i vendit dhe i popullit. Për ta mbrojtur vendin, qeveria iraniane investon në industrinë e armatimeve dhe në radhë të parë avancohet ndërtimi i raketave.

Nima: Nuk është sekret, që makineritë tona janë në gjendje të prodhojnë edhe pjesë armësh

Nga Irani janë tërhequr gradualisht sipërmarrje ndërkombëtare dhe banka të mëdha evropiane. Prej gjendjes gjithnjë e më të keqe ekonomike në Iran kanë vuajtur sidomos firmat e vogla industriale. Tani ato gëzohen që marrin porosi nga ushtria.

Nima M, që preferon të mos e thotë emrin, punon në një firmë të vogël në Karaj, në veriperëndim të Teheranit. Firma e tij prodhon pjesë metalike për porosidhënës të ndryshëm. "Nuk është sekret, që makineritë tona janë në gjendje të prodhojnë edhe pjesë armësh. Prandaj sanksionet e reja e kanë prekur fort këtë degë të industrisë." Ai tregon më tej se muajt e fundit, numri i porosive të firmave private është pakësuar dukshëm. Disa klientë kanë falimentuar. Nga kjo situatë përfitojnë para së gjithash kinezët, beson Nima M. "Makineritë e tyre funksionojnë e shumta tre ose katër vjet. Pastaj duhet të blesh makineri të reja." - shton ai.

Shumë iranianë i akuzojnë pushtetmbajtësit se përfitojnë nga sanksionet ekonomike, përmes bizneseve të tilla. Kështu, në vitin 2009, në Britaninë e Madhe u ngri një xhirollogari me 1,7 miliardë dollarë. Pronari i xhirollogarisë ishte Mojtaba Khamenei, bir i udhëheqësit fetar Ajatollah Khamenei. Zyrtarisht Mojtaba është mësues feje.

Autor: Shabnam Nouriam/Auron Dodi
Redaktor: Pandeli Pani