1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

110609 Iran Wahl

11 Qershor 2009

Katër kandidatë konkurojnë të premten në Iran, për t'u zgjedhur në postin e presidentit- të gjithë ata duan të bëhen presidentë. Dhe gradualisht, klima po nxehet - para së gjithash në duelet televizive.

https://p.dw.com/p/I7Lf
Irani para zgjedhjeve
Tema "të drejtat e grave" është shumë delikate në këtë fushatë elektorale.Fotografi: Fars

Pak para zgjedhjeve presidenciale, tonet në Iran po ashpërsohen. Pas dy debatesh televizive në ditët e shkuara, dy sfiduesit me më shanse e akuzuan për gënjeshtra presidentin e deritashëm, Mahmut Ahmadinexhad: kandidati kryesor i kampit reformator, Mir Hosein Musavi dhe Mehdi Karubi, gjithashtu një reformator i bindur. Ata e akuzuan se me deklaratat e tij, ai po "shkel zakonet". Presidenti Ahmadinexhad, nga ana e tij, e akuzoi sfiduesin e tij, Musavi, ish-presidentin e vendit, Rafsanxhani dhe fëmijët e tij për korrupsion.

Miting elektoral në Iran.
Pak para zgjedhjeve presidenciale, tonet në Iran po ashpërsohen.Fotografi: ILNA


Musavi konsiderohet sfiduesi më me shanse i presidentit aktual. As ai nuk u tregua i rezervuar në duelin televiziv. Ai tha se bilanci i Ahmadinexhadit si president është poshtërues për iranianët, për të cilët "atij vërtet i vjen keq". Ai e gënjen popullin, tha Musavi.


Deklaratat e Ahmadinexhadit gjatë duelit televiziv shkaktuan zemërim të madh në mediet iraniane. Abas Abdi, shkencëtar i shkencave politike dhe këshilltar i reformatorit Mehdi Karubi, tha për këtë: "Gënjeshtrat në një duel televiziv janë të papërfytyrueshme në Perëndim. Mediet e demaskojnë menjëherë gënjeshtarin. Por këtu nuk ndodh asgjë. Këtu thuhet "këtë nuk e kam thënë" dhe me kaq përfundon e gjitha."

Për postin presidencial në Iran kandiduan 475 kandidatë, midis tyre 42 gra. Këshilli i fuqishëm iranian i Mbikqyrësve, lejoi të kandidonin megjithatë vetëm katër meshkuj. Krahas reformatorit, Mir Hosein Musavi dhe Mehdi Karubi, në zgjedhjet presidenciale u lejua të marrë pjesë edhe ish-komandanti i Gardave të Revolucionit, Mohsen Rezaie. Musavi vetë e quan veten "një reformator të lidhur me parimet bazë të revolucionit."

Por mbështetësit e presidentit Ahmadinexhad e shohin të gjithë këtë ndryshe. Pas duelit televiziv, ata lëshuan britma me parulla si "Musavi, ne do të të bëjmë fërtele". Mbështetësit e Musavit u përgjigjën me shprehje si "tutje pataten". Patatja, në këtë fushatë elektorale konsiderohet tashmë sinonim, për korrupsion dhe blerje votash. Sepse Ahmadinexhadi urdhëroi para rreth një muaji, që banorëve në disa fshatra "t'u dhurohen" patate. Qeveria jep edhe dhurata në para për më të varfrit e vendit. Pra, për familjet në rajonet fshatare, studentët dhe mësuesit. Kundërshtarët e Ahmadinexhadit i kundërshtojnë natyrisht në mënyrën më të ashpër, këto aksione dhuratash.

Mohsen Rezaie.
Në zgjedhjet presidenciale u lejua të marrë pjesë edhe ish-komandanti i Gardave të Revolucionit, Mohsen Rezaie.Fotografi: Mehr

Por në rrëmujën e luftës, në Iran thuajse nuk flitet për plane të së ardhmes të kandidatëve. Gjithashtu pak dëgjon për gjendjen ekonomike dhe shoqërore të vendit. Xhila Baniagob, gazetare dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, thotë se në fushatën elektorale, OJQ dhe kërkesat e tyre janë harruar krejtësisht: "Duket se kandidatët preferojnë të përmendin në fjalimet e tyre vetëm kërkesat e institucioneve shoqërore. Ky është deficiti i madh i kandidatëve."

Pikërisht tema "të drejtat e grave" është shumë delikate në këtë fushatë elektorale. Sepse asnjëri nga kandidatët nuk bën dot pa votat e grave. Njëra nga kërkesat më të rëndësishme të grave është heqja e "policisë së zakoneve". Të gjithë kandidatët bëjnë propozime, të formësuara pikërisht për gratë. Në fund të fundit, rreth 25 milionë votues janë gra. Dhe pa votat e tyre, më 12 qershor asnjëri nga kandidatët nuk do të bëhet president.

Autor : Fahimeh Farsaie / Auron Dodi

Redaktoi : Aida Cama