1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

IS rrëzon një avion të koalicionit në Siri

at (afp/dpa)24 Dhjetor 2014

Një organizatë britanike ka konfirmuar pretendimet e "Shtetit Islamik" se ata kanë rrëzuar një avion luftarak. Fotot e pilotit të rrethuar nga militantët janë publikuar nga xhihadistët në Internet.

https://p.dw.com/p/1E9g2
Fotografi: picture-alliance/AP Photo// Maya Alleruzzo

Një avion luftarak i koalicionit të SHBA-së është rrëzuar nga "Shteti Islamik" (IS) në afërsi të Raqqa-s, qytet në veri të Sirisë. Xhihadistët pretendojnë se kanë kapur pilotin jordanez.

Vëzhguesi britanik për të Drejtat e Njeriut me bazë në Siri konfirmoi rrëzimin dhe kapjen, duke njoftuar: "Kemi konfirmuar se anëtarë të IS kapën rob një pilot arab, pasi qëlluan avionin e tij me një raketë kundërajrore në afërsi të qytetit Raqqa." Kjo është hera e parë që një avion është goditur nga militantët e IS që prej kohës, kur SHBA nisi sulmet ajrore në Siri tre muaj më parë.

Grupi terrorist i IS me bazë në Raqqa publikoi fotografitë në disa faqe online, ku tregoheshin luftëtarët, që kishin rrethuar pilotin e kapur. Ata thoshin se ai ishte jordanez dhe publikuan edhe emrin e tij. Fotografi të tjera tregojnë momentin, kur pilotin e nxjerrin nga uji një grup burrash dhe më pas në tokë janë disa dhjetëra luftëtarë të tjerë të IS. Zyrtarët jordanezë nuk kanë reaguar ende.

Militanët pretendojnë se kanë përdorur një raketë, që ndjek nxehtësinë për të rrëzuar avionin. Jordania së bashku me Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin i janë bashkuar vendeve perëndimore në sulmet ajërore kundër IS në Siri. Koalicioni ka vënë në shënjestër Raqqan, që përdoret si bazë kryesore nga xhihadistët.