1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gara për Prishtinën - Intervistë me Isa Mustafën

Bekim Shehu13 Nëntor 2013

Shanset për të qene në krye të Prishtinës, ligji i diskutueshëm për kryeqytetin e Kosovës, zgjedhjet e ardhëshme parlamentare dhe reforma zgjedhore janë disa nga temat që trajton Isa Mustafa në bisedë me Deutsche Wellen.

https://p.dw.com/p/1AGGX
Isa MustafaFotografi: DW/ E. Ahmeti

DW: Zoti Mustafa, jemi vetëm pak ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, ju si lider i opozitës kandidoni për të parin e kryeqytetit, kundër kandidatit të lëvizjes vetëvendosje, Shpend Ahmeti, sa jeni i bindur që do ta merrni edhe një mandat, kryetar i Prishtinës?

Isa Mustafa: Unë jam shumë i bindur që do ta marr edhe mandatin e  tretë ngase diferenca në vota është shumë  e madhe, ne kemi  diku nëntë mijë vota më shumë se sa ka rivali im Shpend Ahmeti. Kemi zhvilluar kontakte me qytetarët, sepse gjatë raundit të parë unë pak kam arritur që të jem në Prishtinë, e kam shfrytëzuar kohën që të jem në komunat e tjera. Kam pasur tubime në Prishtinë, por me ka munguar kontakti i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe shpjegimi i programit për katër vjetët e ardhshme. Shpresojmë që do ta marr mandatin e ardhshëm, mirëpo, duhet ta bëjmë punën dhe të procedojmë me balotazhin që është një akt demokratik.

DW: Z Mustafa, ju jeni kryetar i Prishtinës prej dy mandatesh, a është sot Prishtina ajo që ju e keni dëshiruar?

Isa Mustafa:  Në fakt edhe kërkesat dhe synimet tona janë më të mëdha sesa nganjehërë ne arrijmë t'i realizojmë. Prishtina ka pasur probleme shumë të mëdha në fushën e infrastrukturës rrugore, shkollore, shëndetësore, infrastrukturës për të rinj, kulturë, sport  dhe është shumë problem që të gjitha këto kërkesa të rregullohen në një periudhë të shkurtër kohore. Ne kemi filluar kryesisht nga viti 2005, sepse në fillim edhe kanë munguar mjetet për investim. Kemi investuar shumë në këtë katër vjeçarin e fundit, kemi ndërtuar 26 shkolla në komunën e Prishtinës që është gati gjysma e shkollave që kemi këtu, kemi edhe 11 anekse që kemi bërë me agjencionin amerikan për zhvillim ndërkombëtar, kemi ndërtuar 50 fusha sportive, gjashtë qendra të mjekësisë familjare, katër ambulanca, kemi ndërtuar edhe shumë objekte tjera në fusha të ndryshme dhe  kjo flet se investimet janë bërë, mirëpo, kjo flet edhe që buxheti për investime është shumë i kufizuar. Ne kemi një buxhet diku rreth 32 deri në 34 milionë gjatë vitit  dhe paramendoje për një qytet të tillë  me një buxhet të tillë sa mund të përmbushen nevojat. Nganjehërë synimet i kemi mbi  mundësitë dhe potencialin me të cilat mund t'i përballojmë ato, kështu që ky disproporcion nganjëherë shprehet edhe te kërkesat e qytetarëve edhe te synimet tona.                

DW: Z. Mustafa: Ka kohë që flitni për ligjin për kryeqytetin i cili nuk është miratuar nga Kuvendi i Kosovës. E cilësoni këtë ngecje të qëllimshme nga kundërshtarët tuaj politik në Kuvend, apo vërtetë është e pamundur që në këto rrethana kryeqyteti të ketë ligjin e vet.

Isa Mustafa: Ligji ka qenë krejtësisht e mundur që të miratohet, ka qenë në procedurë të kuvendit para dy vjetësh, ka kaluar leximin e parë, ka kaluar në komisione dhe është kthyer prapa që të bëhen disa plotësime me arsyetimin se nuk ka qenë e qartë se a është ligj për Prishtinën apo për komunën, sepse, disa të ashtuquajtur ekspertë kanë pasur problem me përkufizime se çfarë është  qyteti dhe çfarë është komuna. Por, ky ligj është për kryeqytetin, ndaj ne në sistemin tonë kushtetues i kemi të organizuara  të gjitha komunat edhe në pjesën urbane edhe në pjesën rurale. Ne nuk kemi mundur t'i shkëpusim të gjitha fshatrat nga Prishtina dhe të themi se ligji vlen vetëm për kryeqytetin  dhe nuk vlen edhe për fshatrat e komunës së Prishtinës, ngase kjo është në kundërshtim të Kushtetutës, sepse Kushtetuta nuk e definon tek ne bashkinë siç e definon në Shqipëri, por e definon komunën edhe në pjesën urbane edhe rurale. Prandaj unë mendoj se nuk ka pasur vullnet të qeverisë që të bëhet kjo, por s'ka pasur vullnet as të organizatave ndërkombëtare financiare, pasi ne diku para katër vjetësh kemi pasur kundërshtim nga ana e FMN-së  për grantin specifik për Prishtinën si kryeqytet, sepse të jesh kryeqytet do të thotë  që ke shpenzime më të mëdha se sa një komunë e zakonshme.       


DW: Vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje për parlamentin e Kosovës, ndërkohë, partia juaj ka kohë që ju ka mandatuar duke synuar postin e kryeministrit. Përbën kjo ndonjë problem  në rast se zgjedheni me një dhjetor të këtij viti, kryetar i Prishtinës?

Isa Mustafa: Nuk mendoj se përbën ndonjë problem, partia ime më ka kandiduar për kryetar të komunës së Prishtinës, jam i përkushtuar për këtë mandat dhe çështja pastaj e zgjedhjeve nacionale dhe çështja e krijimit të qeverisë dhe kryeministrit janë çështje të tjera që natyrisht nuk do të bëhen pa pajtimin e qytetarëve të Prishtinës dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në qoftë se qytetarët janë të pajtimit që unë të mbetem kryetar i Prishtinës, unë do të mbetem kryetar i Prishtinës, në qoftë se me votën e lirë qytetarët përcaktojnë që unë të bëhem kryeministër, ne do ta bëjmë zgjidhjen për Prishtinën, por unë mendoj se tash jam përcaktuar për Prishtinën dhe mandatin për Prishtinën duhet ta përfundojë.  


DW: Zgjedhjet lokale  dhe rezultati i tyre i ditur deri tash, a mund të cilësohet një paramasë e orientimit të elektoratit për zgjedhjet e përgjithshme?

Isa Mustafa:  Mendoj se po, sepse këtu kemi praktikisht dy lloj votash që kemi realizuar në zgjedhjet lokale të tre nëntorit. Kemi votat për kryetar të komunave që në një formë shprehin përkrahjen e programeve zhvillimore të komunave për periudhën e ardhshme katër vjeçare dhe ne kemi mbi 50 mijë vota më shumë se sa kemi pasur katër vjet më parë.  Po ashtu kemi votën për asamble komunale që kemi rritje prej 14% krahasuar me katër vjet më parë dhe në të dy rastet shihet se ne kemi një rritje,  kemi një ecje përpara dhe unë shpresoj që në zgjedhjet nacionale ne do të jemi fuqimisht të parët dhe ne do ta formojmë qeverinë, natyrisht në koalicion me subjekte të tjera.   

DW: Cila do të jetë strategjia e LDK-së për zgjedhjet e ardhshme, do të garoni me koalicione parazgjedhore, apo si parti e vetme?

Isa Mustafa:  Ne  jemi më shumë që të garojmë si parti e vetme, sepse kjo është forma më e shëndoshë  dhe pastaj ne do ta matim peshën specifike të çdo subjekti politik  dhe do ta kemi shumë më lehtë që të bisedojmë për koalicione, sepse mund ta dijmë saktë se kush peshon më shumë në pikëpamje të votës së qytetarëve. 

DW: Z. Mustafa, duket se ka një bllokadë politike në Kuvendin e Kosovës. A ka interes LDK për bllokimin  e kuvendit dhe si e shihni funksionimin e institucioneve të Kosovës deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Isa Mustafa: Unë mendoj se askush në Kosovë nuk ka interes për bllokimin e punës së Kuvendit të Kosovës, kuvendi duhet të funksionojë në mënyrë normale. Ne një ditë më parë kemi bërë një hap që të funksionalizohet kuvendi. Kemi kërkuar që koalicioni të tërheqë  kërkesën e tij që raporti për shitjen e PTK-së të futët në rendin e ditës në kuvend  dhe poashtu kemi thënë se nëse ajo tërhiqet edhe ne do ta tërheqim kërkesën tonë për komision hetimorë parlamentar për shitjen e PTK-së. Pra është arritur një marrëveshje që në seancën e radhës të hiqen këto dy pika në mënyrë që kuvendi të mund të punojë. Ne do  të bëjmë përpjekje që kjo çështje të mos e pengojë punën e kuvendit, mirëpo, do të jemi shumë parimorë sa i përket problematikës së shitjes së PTK-së, sepse konsiderojmë se ajo është shitur pa bazë ligjore dhe nuk ka asnjë arsye që tash baza ligjore të kërkohet në kuvendin e Republikës së Kosovës pas shitjes. Është kryer shitja, kanë përfunduar të gjitha procedurat dhe tash të thuhet po e sjellim raportin në kuvend, aprovojeni dhe më këtë po e plotësojmë anën ligjore. Pra, ka mbetur një cështje  e hapur që nuk mendojë se kjo çështje duhet ta pengojë punën e kuvendit të Kosovës.          

DW: A është partia juaj e gatshme për zgjedhje të parakohshme?


Isa Mustafa: Gjithsesi jemi të gatshëm edhe pse nuk preferojmë shumë zgjedhje të parakohshme. Preferojmë më tepër që të kryhet reforma zgjedhore dhe të hyjmë më të organizuar me ligje më të qarta, përkatësisht me rregulla më të qarta ligjore në zgjedhjet e ardhshme. 

DW: Zoti Mustafa, ka  më shumë se dy vjetë që ka një dakordim për reformë zgjedhore, akoma nuk ka ndodhur, por ju do të hyni në zgjedhjet e ardhshme, përsëri pa reformë zgjedhore?

Isa Mustafa: Në qoftë se është e domosdoshme, në do të hyjmë, por preferojmë që të hyjmë në zgjedhjet e ardhshme me reformë zgjedhore. Reforma mund të bëhet, janë disa çështje më të lehta për të cilat mund të merremi vesh dhe unë nuk do të insistoja që me çdo kusht ne t'i zgjidhim të gjitha tani. Unë mendoj se çdo hap në sqarimin dhe përkufizimin e problemeve që janë paraqitur në zgjedhjet e kaluara është i dobishëm pa marr parasysh se a arrijmë që të gjitha t'i zgjidhim apo jo. Unë preferoj që për çështjet për të cilat mund të merremi vesh ato çështje t'i procedojmë dhe t'i kalojmë në kuvend për aprovimin e plotësimit të ligjit, apo ligjit të ri për zgjedhjet.   

DW: Zoti Mustafa, në veriun e Kosovës u organizuan zgjedhje për herë të parë, nuk kaluan ashtu sic u parashikua. Sa mund të flitet në këtë rast për suksesin e marrëveshjes së 19 prillit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Isa Mustafa: Unë mendoj se kështu si po ecin gjërat pak mund të flasim për suksesin, sepse, incidentet në veri nuk kanë ndodhur rastësisht  dhe unë mendoj se po të kishte pasur angazhim serioz të qeverisë së Serbisë ajo nuk do të ndodhte, por fjala është sa ata po sillen ndryshe në tryezë e ndryshe në implementimin e pjesëve të ndryshme të marrëveshjes. Ne shpresojmë dhe do të angazhohemi edhe si Kosovë edhe si LDK-së, që t'i procedojmë gjërat dhe organet e pushtetit të Kosovës nga të gjitha sferat që të ushtrojmë pushtetin dhe sovranitetin edhe në veri të vendit, por për këtë lypet një sjellje shumë më serioze e qeverisë së Serbisë dhe po ashtu edhe një angazhim të faktorit ndërkombëtar që ka ndërmjetësuar këto bisedime.